Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare Paolo Bulgari, një nga figurat e njohura të industrisë së bizhuterive luksoze
Dritare.net

Ka ndërruar jetë në Romë, në moshën 89-vjeçare, Paolo Bulgari, biznesmeni dhe argjendari italian që ndihmoi në shndërrimin e kompanisë familjare Bvlgari në një prej markave më të njohura të luksit në botë.
Lajmi u bë i ditur nga familja e tij, ndërsa mediat italiane e kujtuan si “argjendarin më të madh të kohës sonë”. Paolo Bulgari drejtoi kompaninë si kryetar që prej vitit 1984, duke luajtur një rol të rëndësishëm në zgjerimin e saj ndërkombëtar.
Historia e familjes Bulgari nis në fund të shekullit XIX, kur gjyshi i tij, argjendari grek Sotirios Voulgaris, me origjinë nga Paramithia, një fshat malor në rajonin e Epirit në Greqinë veriperëndimore, u largua nga sundimi osman dhe u vendos fillimisht në Napoli e më pas në Romë, ku hapi dyqanin e tij.
Paolo iu bashkua biznesit familjar pas përfundimit të shkollës dhe u specializua në njohjen e gurëve të çmuar, duke u bërë një nga ekspertët më të njohur në këtë fushë. Nën drejtimin e tij, Bvlgari u zgjerua përtej bizhuterive, duke përfshirë në aktivitetin e saj orët, parfumet, artikujt prej lëkure dhe hotelet.
Krijimet e markës u bënë të preferuara të personazheve të njohur dhe familjeve mbretërore, mes tyre Princesha Diana, Elizabeth Taylor, Audrey Hepburn, Marilyn Monroe dhe, në vitet e fundit, Zendaya e Rihanna.
Në vitin 2011, familja Bulgari shiti aksionet kontrolluese të kompanisë te grupi francez i luksit LVMH, në një marrëveshje me vlerë rreth 3.7 miliardë euro.
Në vitin 2019, Paolo Bulgari dhe bashkëshortja e tij krijuan Fondacionin Paolo Bulgari, me synimin për të mbështetur të rinjtë në zonat e pafavorizuara të Romës përmes arsimit dhe formimit profesional.
Kompania Bvlgari e nderoi me një mesazh homazh, duke e cilësuar si një shpirt të vërtetë krijues, trashëgimia e të cilit do të frymëzojë brezat e ardhshëm.
Ceremonia mortore do të mbahet të hënën, më 23 nëntor, në Bazilikën e Santa Croce in Gerusalemme në Romë.