Gjenerali italian: Ishim pushtues, shqiptarët na hapën dyert! Historia e fshehur 80 vite
Dritare.net

Një histori e jashtëzakonshme që bashkon Shqipërinë dhe Italinë, e mbetur për më shumë se 80 vjet në kujtesën e atyre që e jetuan, vjen shumë shpejt për publikun shqiptar dhe italian përmes dokumentarit “Në besë të shqiptarëve 2” dhe librit “Në besë të shqiptarëve”, me autore gazetaren Rudina Xhunga. Në qendër të tyre është historia e shpëtimit të mijëra ushtarëve italianë nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, një histori që dëshmon se si humanizmi dhe besa shqiptare triumfuan mbi urrejtjen dhe dhunën e luftës.
Një nga zërat më të rëndësishëm të këtij rrëfimi është historiani ushtarak italian dhe gjenerali Massimo Coltrinari, i cili prej më shumë se 30 vitesh studion fatin e ushtarëve italianë që mbetën në Shqipëri pas armëpushimit të 8 shtatorit 1943. Në një intervistë të gjatë me Rudina Xhungën për DritareTV, ai sjell dokumente, fakte dhe dëshmi që hedhin dritë mbi një periudhë pak të njohur të historisë së dy vendeve.
Coltrinari rrëfen dramën e ushtarëve italianë që, pas kapitullimit të Italisë fashiste, u gjendën të braktisur dhe të ndjekur nga gjermanët. Ai tregon se si mijëra prej tyre mbijetuan falë ndihmës së familjeve shqiptare, ndërsa të tjerë u bashkuan me partizanët për të luftuar kundër nazistëve. Historiani ndalet edhe te ekzekutimet e oficerëve italianë, historia e jashtëzakonshme e një piloti të shpëtuar nga shqiptarët dhe vendimi i Enver Hoxhës për të lejuar riatdhesimin e një formacioni partizan italian me armët e veta.
Më poshtë intervista e plotë të historianit italian Massimo Coltrinari, dhënë gazetares Rudina Xhunga për DritareTV!
Rudina Xhunga: Këtu jemi në një apartament fantastik. Më në fund e kemi gjetur profesorin Massimo Coltrinari dhe më vjen shumë mirë që e keni pranuar këtë intervistë. Faleminderit!
Massimo Coltrinari: Faleminderit juve që më kontaktuat, për interesin dhe për faktin që sollët në vëmendje mbi 30 vite kërkime mbi një vend që është në zemrën time. Familja ime është nga Ankona dhe gjyshi im ka pasur marrëdhënie me Shqipërinë, midis dy luftërave, por edhe pas luftës. Pra ekziston një kontakt i vogël.
Rudina Xhunga: Ju keni një histori me Shqipërinë.
Massimo Coltrinari: Po, një histori tregtie, sidomos me Vlorën dhe me Tiranën, sipas kujtimeve të nënës sime. Nuk ka mbetur më asgjë e shkruar sepse gjithçka i ka kaluar kushëririt tim. Në vitin 1989 më kontaktoi gjenerali Ilio Muraca për Shqipërinë, sepse një mik i gjyshit tim, që ishte nga Jesi, një qytet i vogël pranë Ankonës, kishte qenë në Shqipëri dhe atëherë iu kujtua se një nip i mikut të tij Enriko ishte në ushtri dhe studionte këtë histori të Shqipërisë. Pra gjenerali Muraca më kontaktoi. Që aty filloi gjithçka që ndodhi. Filloi në një moment të veçantë sepse, ministri i Mbrojtjes në atë kohë, Virginio Rognoni kishte ngritur një komision për studimin e rezistencës së ushtarakëve italianë jashtë vendit. Sepse deri në vitet 1989–1990, domethënë deri në rënien e Murit të Berlinit, kishte një barrierë midis Lindjes dhe Perëndimit dhe në Itali nuk ishte studiuar më në thellësi ajo që kishte ndodhur me ushtarakët italianë jashtë territorit kombëtar. Kishte një boshllëk të madh. Ministri Rognoni, me nxitjen e gjeneralit Muraca dhe të shoqatave të ishluftëtarëve që i referoheshin pak a shumë kësaj periudhe të historisë italiane, thoshte se është e nevojshme të hidhet dritë mbi këtë ngjarje. Atëherë hapet çështja e Kefalonisë, sepse deri në 1989–1990 nuk mund të flitej.
Rudina Xhunga: Por pse?
Massimo Coltrinari: Pseja është diçka që na çon shumë larg, sepse ne sapo kishim dalë nga një diktaturë, kishte ndodhur ajo që ne e quajmë lufta e çlirimit, kishte kundërvënie, disa sektorë, disa pjesë ishin përjashtuar, nuk bënin pjesë në debat. Midis tyre rezistenca, sjellja e ushtarakëve italianë jashtë vendit. Përjashtimi tjetër i madh ishte ai i të internuarve ushtarakë italianë në Gjermani. Pra e gjithë çështja e internimit në Gjermani nuk trajtohej për një arsye të thjeshtë. Protagonistët e të dyja palëve, si të rezistencës jashtë vendit, ashtu edhe të internuarit, nuk donin të flisnin më për të. Kur u kthyen në Itali kishte një ndjenjë turpi: "Mjaft, kemi ikur si ushtarë, shumë nga miqtë dhe shokët tanë të luftës kanë vdekur, e humbëm luftën, vendosim një gur sipër dhe le ta nisim nga e para". Dhe nga ai moment, kur ndodhi pikërisht kjo fshirja e këtyre temave, 30 vjet më pas shumë nga ata ishin ende gjallë dhe ekzistonte një mundësi për të mbledhur shumë kujtime. Muraca kishte mbledhur rreth 40 ekspertë përmes Shoqatës Kombëtare të Partizanëve të Italisë dhe të gjitha shoqatave të ishluftëtarëve dhe pas dy vitesh kërkimesh kishin arritur të gjenin materiale për Kefaloninë, ishujt grekë, Egjeun, Greqinë dhe Jugosllavinë, Malin e Zi, Sanxhakun, lista është e gjatë dhe kishte shumë dokumentacion, sidomos për Korsikën, sepse Korsika në shtatortetor 1943 është çliruar nga ushtarët italianë dhe praktikisht gjermanët përmes këtyre luftimeve pastaj kanë kaluar në Itali dhe ato trupa kanë luftuar në Cassino. Pra kishte gjithë materialin e këtij fronti të madh të italianëve jashtë vendit, por nuk kishte asnjë dokumentacion për Shqipërinë.
Rudina Xhunga: Asgjë për Shqipërinë?
Massimo Coltrinari: Nuk kishte absolutisht asgjë. Përveç tri publikimeve, por jashtëzakonisht të ideologjizuara. Pra "Da oppressori a combattenti per la libertà"– "Nga pushtues në luftëtarë për liri", nga Bruno Brunetti. Në këtë pikë, çdo gjë që të propozoje përfundoje në anën politike, sepse ishte çështje ideologjie dhe kërkimet nuk ecnin përpara. Ndërsa ideja e Coremites (Komisioni për Studimin e Rezistencës së Ushtarakëve Italianë Jashtë Vendit) ishte të bëhej një kërkim i paanshëm, përndryshe historiani do bëhej politikan. E gjithë kjo lidhet me një tematikë shumë të rëndësishme që ndoshta në Shqipëri vetëm sa është cekur, por në Itali ka qenë shumë e pranishme: drama jonë e tërheqjes nga Rusia. Ne kishim shkuar në Rusi, pastaj në janar ndodhi epopeja e trupave italiane në Rusi ku ne humbëm gjysmën e kontingjentit, rreth 100.000 persona. Ka qenë një tragjedi kombëtare që praktikisht në këtë përballje ideologjike e bënte të pamundur të bëje kërkime serioze dhe të thelluara, sepse menjëherë përfshiheshe në këtë kundërvënie ideologjike dhe historia e të burgosurve italianë në Rusi, sepse besohej se këta 80–90.000 të pakthyer ishin të burgosur të rusëve. Mbaroi lufta, kthehen të burgosurit. Hrushovi, kur erdhi në Tiranë në vitin 1946–1947, bën një deklaratë zyrtare dhe thotë: Bashkimi Sovjetik ka kthyer të gjithë të burgosurit në shtëpitë e tyre. Por të burgosurit ishin 10.860, po të tjerët, rreth 70.000 që mungonin? Aty filloi një polemikë shumë e madhe mes Bashkimit Sovjetik që nuk donte t'i kthente sepse donte t'i mbante ende të burgosur. Pastaj në vitet '70 ka qenë një film me Marcello Mastroianni dhe Sophia Loren, "I girasoli", "Luledielli", në të cilin besohej se të burgosurit italianë ishin ende në duart e rusëve. Në vazhdën e Luftës së Parë Botërore ku ushtarët italianë dhe austriakë mbetën në Rusi, herë pas here ndonjë kthehej. Pra në opinionin publik ekziston kjo ide se përmes përplasjes ideologjike nuk mund të merret vesh e vërteta. Çështjen e të burgosurve rusë e kemi trajtuar. Realiteti është që nuk është faji i askujt, as i sovjetikëve që i mbajtën apo i vranë. Është lufta, sepse fatkeqësisht ngrica dhe kushtet e kanë përcaktuar këtë tragjedi të madhe. E përsëris, gjysma e kontingjentit italian prej 200.000 burrash, nuk është kthyer në Itali. Dhe këtu ekziston një tjetër linjë që praktikisht hapi historinë e të burgosurve, linja e rezistencës jashtë vendit, sepse për të burgosurit rusë nuk mund të flitej. Kur unë isha kapiten i ri, Muraca më thërret dhe më thotë: "Duhet të keni shumë kujdes sepse është një temë e veçantë dhe duhet të jetë absolutisht pa anësi politike, jashtë politikës." Pastaj më tha: "Më duhen vetëm 100 faqe." Në fakt në zyrat historike të Forcave të Armatosura ishin bërë tashmë disa verifikime dhe nuk kishte absolutisht asgjë, as në arkiva dhe as në Bibliotekën Kombëtare. Në këtë pikë, diçka duhej bërë dhe ideja ishte të përmbysej piramida. Pra të nisej nga poshtë përmes shoqatave të veteranëve dhe sidomos me ato që kishin të bënin me ushtarët e kthyer nga Rusia, të cilat kishin gazetat e tyre. Këtu në këtë institut është një emerotekë e Qendrës së Studimeve mbi Vlerën Ushtarake që mbledh rreth 80 tituj të shoqatave të veteranëve të luftës. Ideja ishte të vendosej një njoftim: "Kushdo që ka marrë pjesë në luftën në Shqipëri, qoftë në vitet 1940–1943, qoftë 1943–1945, të kontaktojë!" Në fillim nuk u përgjigj askush, por rastësia e deshi që u zhvillua një konferencë ku foli komandanti i Brigadës Partizane Italiane, Giovanni Marras që më pas kishte luftuar me Titon dhe tha: "Ndërsa për Brigadën Italiane dihet gjithçka, për Brigadën e Gramshit nuk dihet gjë. Dhe pse nuk dihet gjë? Për arsyen e thjeshtë se të kthyerit nuk flasin. Unë u bëj apel shoqatave dhe anëtarëve që të kontaktojnë me sekretarin e përgjithshëm të Coremites." Që nga ai moment të gjitha revistat e vendosën në faqet e tyre këtë apel. Përmes Marrasit dhe Muracas, pas trekatër muajsh filluan të përgjigjeshin. Dhe në vitet 1989-1992, u mblodhën dosjet që tani janë të gjitha të vendosura në Zyrën Historike të Ushtrisë. Ky ishte objektivi i Coremites. Madje, këto dosje filluan të shtoheshin shumë. Fillimisht këto dosje i vendosa në bibliotekën time, por më pas, kur u shtuan i vendosja atykëtu. Sot këto dosje i kam kataloguar të gjitha, i kam sistemuar dhe ruajtur sepse kur merr dokumentacionin e dikujt, nuk mund ta lësh atykëtu. Më pas nisi të përhapej ideja se do të kishte një valë të dytë. Kur u pyetën: "Pse nuk keni folur për këtë?", ata përgjigjeshin: "Sepse nuk duam të flasim për gjëra të këqija. Janë ngjarje për të cilat nuk flitet, sepse janë tepër të rënda. Lufta është një gjë e tmerrshme. Kam vuajtur shumë, përse duhet t'i rikthehem sërish atyre kujtimeve?" Pse duhet t'i thoshin këto gjëra. Por këto janë gjëra që duhen thënë, sepse nuk duhet të ndodhin më kurrë.
Rudina Xhunga: A keni takuar ndonjërin prej tyre?
Massimo Coltrinari: Po. Ishte një seri miqësish. Po flasim për mbi 100–150 persona. Për shembull, ky libër "Divizioni Perugia: nga tragjedia te harresa, Shqipëri" është i bazuar në të gjitha letrat që unë kam mbledhur nga këta 100–150 persona. Është një zotëri nga Frosinone, një i mbijetuar i luftës, që i mblidhte këto letra dhe unë kam nxjerrë këtë material mbi Divizionin "Perugia", mbi një episod të veçantë.
Rudina Xhunga: Vetëm për divizionin Perugia?
Massimo Coltrinari: Po, vetëm për këtë. Në momentin që ata u bindën se mund të linin një kujtim pozitiv për fëmijët dhe nipërit e tyre, u krijua një valë e dytë. Sepse Instituti Kombëtar "Nastro Azzurro" për luftëtarët e dekoruar për vlerë ushtarake, sipas dekretit mbretëror të vitit 1927, lëshon të ashtuquajturën diplomë heraldike, një diplomë nominale, për të lënë një dëshmi të vetes, përndryshe gjithçka bie në harresë. Me këtë sistem u zgjerua edhe më shumë baza e dëshmive. Erdhën ditarët që i patë në zyrën historike. Gjëja më e rëndësishme është rikuperimi, sepse pastaj brezi ikën dhe në fakt sot nuk jeton më asnjë dëshmitar.
Rudina Xhunga: Por a ka ndonjë regjistrim, ndonjë zë?
Massimo Coltrinari: Unë kam vetëm një regjistrim nga Domenico Salerno, të besuarit të kolonel Zignanit. Sepse me familjen Zignani, me Domenicon dhe me vejushën e Zignanit, me gjeneralin Zignani, kam pasur gjithmonë një marrëdhënie bashkëpunimi. Madje në 1993-shin shkova me familjen time në Romagna, në Lugo, për të inauguruar kazermën, shkollën "Goffredo Zignani", kur gjenerali Zignani komandonte akademinë etj. Ka qenë një përvojë shumë e bukur edhe në funksion të edukimit të fëmijëve të mi sepse vjehrri im ka bërë tërheqjen nga Rusia, ka bërë luftën në Shqipëri. Madje unë e kam përfshirë në këtë libër. Ai erdhi në Shqipëri në shtator të 1940ës. Kjo lidhje familjare bëri që të gjitha këto kërkime të kishin mbështetje. Gruaja ime, që është e diplomuar në letërsi, më ka ndihmuar shumë me katalogimin dhe interpretimin. Deri në 1995ën, nuk kishim asgjë. Më pas filluan të vinin shumë dëshmi. Për shembull për një episod si sulmi në Krujë më 22 shtator, unë e mora direkt versionin e parë se vetëm atë kisha, por pastaj erdhën shumë versione. Edhe roli i Legjionit të 182-të të Milicisë ka versione të ndryshme, sepse jo të gjithë kanë kaluar te gjermanët, jo të gjithë kanë bërë të njëjtën gjë. Pastaj duhej artikuluar. Në këtë pikë lindi ideja të katalogohej materiali në skeda, sepse libri nuk mund të shkruhej, kishte shumë të dhëna, shumë materiale. Më 1 shtator 1995, që mes të tjerash ishte edhe ditëlindja e gruas sime, isha duke dalë nga Shtabi i Përgjithshëm për të shkuar në festë, më takon Enzo Orlanducci dhe më thotë: "Brenda 10 ditësh duhet të më shkruash një libër, zgjidh ti." Unë i thashë: "Do të shkruaj një libër për Shqipërinë". Ai e mori seriozisht menjëherë. Të nesërmen më thërret dhe më pyet: "Po libri?" Lindi ideja të bëhej një provë për të parë nëse materiali mund të publikohej. Kështu lindi "Albania 43", i shkruar për 10 ditë, si një provë. Jo për ushtarët italianë në Shqipëri, por për dërgimin e ushtarakëve italianë në kampet e përqendrimit, vetëm shtator–tetor. Ky ishte qëllimi. Pastaj Orlanducci ia thotë menjëherë gjeneral Muracas, ai ia thotë autoriteteve më të larta dhe brenda 24 orëve libri duhej të dilte. Dhe në fakt doli. Ka dy karakteristika kryesore: e para, është bërë në një mënyrë që nuk ndjek metodën historike. Kjo sepse në atë kohë duhej vetëm t'i vendosnim gjërat njëra pas tjetrës; e dyta, ishte plot me gabime. Dhe kur doli ky libër të gjithë ishin të lumtur, të gjithë të kënaqur. Por duhej pasur shumë kujdes. Libri përfundoi në duart e një luftëtari, toger Antonio Giuseppe Dore, i cili bashkë me Ernesto Celestinon, kishte organizuar një togë mortajash në Ushtrinë Nacionalçlirimtare Shqiptare dhe jetonte në Sardenjë. Ai erdhi në Romë, e mori librin dhe më 16 prill 1996, ma korrigjoi tërësisht, si gabimet, ashtu edhe termat shqiptarë. Ky është versioni origjinal që është sot në CESM, Qendrën e Studimeve për Vlerën Ushtarake, por duam ta ribotojmë, sepse libri u shkrua në mënyrë didaktike dhe kur gjërat janë shumë të zgjeruara, është mirë të ketë një pikë referimi. Për herë të parë u arrit të përcaktohej numri i ushtarëve italianë në Shqipëri. Në 1995ën kur ende nuk kishte kompjuterë, një shok imi arkitekt më bëri një grafik që tregonte sa ushtarë ishin në Shqipëri. Në fund, me kontrolle dhe burime të ndryshme, arritëm të kuptojmë se në Shqipëri, më 8 shtator 1943 ishin 130.000 ushtarë italianë. Dhe këtu duhet të kemi parasysh gjithmonë se Shqipëria ishte territor italian, ishte e aneksuar dhe ushtarët shqiptarë ishin ushtarë të Mbretërisë së Italisë. Ata ishin pjesë e këtyre 130 mijëve, duke përfshirë edhe Kosovën, sepse Kosova ishte aneksuar. Pra kur bëhen llogaritjet, duhet marrë parasysh Shqipëria e Madhe, përfshirë Kosovën, dhe duhet mbajtur parasysh edhe fakti që shqiptarët ishin ushtarë italianë, njësoj si të gjithë qytetarët e tjerë italianë.
Rudina Xhunga: Pra kjo shifër nuk është reale?
Massimo Coltrinari: Kjo shifër është shifra e saktë, duke iu referuar këtyre premisave. Por nëse bën një vlerësim tjetër, ku nuk i konsideron shqiptarët si qytetarë italianë, ose nuk konsideron Kosovën, ose nuk konsideron Milicinë, është e qartë që shifra ndryshon. Dhe shumë shpesh përplasja mbi të dhënat është pikërisht këtu, sepse premisa nuk është e qartë. Pra, duke e marrë si të qartë se në atë moment Shqipëria ishte pjesë përbërëse e Mbretërisë së Italisë, Kosova ishte pjesë përbërëse e Shqipërisë dhe ekzistonte Shqipëria e Madhe, së cilës i mungonte Çamëria. Ky është fakti nga i cili duhet nisur. Atje ishin 130 mijë ushtarë italianë: ushtria, marina dhe aviacioni. Përveç Forcave të Armatosura Italiane, në atë kohë ekzistonte edhe Milicia Vullnetare për Sigurinë Kombëtare, e cila, pas 25 korrikut 1943, u bë Milicia Vullnetare. Ajo italiane u shpërbë, ndërsa ajo shqiptare u bë Milicia Vullnetare Shqiptare. Këtu përfshiheshin rreth 10 mijë shqiptarë. Këta 10 mijë shqiptarë, praktikisht, u çmobilizuan menjëherë pas 8 shtatorit 1943. Pas armëpushimit qytetarët shqiptarë me shtetësi italiane u kthyen në shtëpitë e tyre. Pra, nga 130 mijë kalojmë në 120 mijë dhe pastaj vjen ndarja. Të dhënat e para janë shumë të thjeshta: 68 mijë iu bashkuan aleancës së vjetër, sidomos në zonën e Korçës me Divizionin "Arezzo", pati një numër shumë të lartë që pranoi propozimet gjermane për të kaluar në ushtrinë gjermane. Madje, në Pragë, në vitin 1945, rreth 500 italianë me uniforma gjermane mbrojtën Pragën nga rusët. Ky është një fenomen që u shfaq te Divizioni "Arezzo". Pastaj janë 810 mijë ushtarë italianë që arritën të ktheheshin në atdhe, përmes Korfuzit dhe Kefalonisë. Kefalonia ra më 25 shtator, por deri më 25 shtator kishte lëvizje të anijeve italiane nga Kefalonia, nga Korfuzi dhe nga Santi Quaranta. Unë e quaj Santi Quaranta (Saranda), por asokohe quhej Porto Edda. Në këtë pikë anijet shkonin e vinin dhe në bord merreshin fillimisht të plagosurit, të sëmurët dhe ushtarët e shpërndarë, sepse në momentin që këto anije lëviznin, gjermanët sulmuan Porto Eddan dhe u zmbrapsën pas rënies së Kefalonisë, më 28 dhe 29 shtator, për të ruajtur lidhjet.
Rudina Xhunga: U mbyt ndonjë anije atje?
Massimo Coltrinari: Po, anija, torpedinierja Sirtori u mbyt me të gjithë njerëzit. Sepse më 10 shtator, nga Santi Quaranta, rreth 4 mijë ushtarë italianë kaluan në Korfuz me gjeneralin Luigi Lusignani. Në Zyrën Historike ka një korrespondencë shumë të bukur mbi rezistencën e italianëve në Korfuz. Të gjithë emrat që përmend janë dekoruar me medalje ari: koloneli Elio Bettini, koloneli Zignani, për të cilin kam mbledhur edhe dëshmitë e pasardhësve të tij, etj. Në këtë pikë del një e dhënë. Komanda Italiane në Brindisi, Komanda e Përgjithshme, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, të gjitha autoritetet italiane dhe aleate e dinin se në Shqipëri kishte një rezistencë të trupave italiane. Ky është një fakt i rëndësishëm, sepse dikur pati një polemikë të madhe se Kefalonia nuk kishte qenë në kontakt me Brindisin. Nuk kishte kontakt të drejtpërdrejtë, por kishte kontakt midis Kefalonisë, Korfuzit dhe Brindisit dhe prandaj kjo është e rëndësishme. Të tjerët që ndodheshin në Shqipëri, 70 mijë, u nisën, duke ndjekur urdhrin gjerman, drejt Bitolës dhe ata pranuan, sepse besuan premtimin e gjermanëve se do të riatdhesoheshin në Itali. Me armë dhe pajisje, të rreshtuar dhe të mbuluar, siç thonë ushtarakët, u nisën nëpër rrugët e Shqipërisë drejt Bitolës, hipën në trena, të gjithë të bindur se do të ktheheshin në Itali. Por kur arritën afër Vjenës, në vend që të shkonin drejt perëndimit, u dërguan drejt lindjes dhe të gjithë u internuan. Kështu përfunduan në kampe përqendrimi. Bëhet fjalë për rreth 70 mijë ushtarë. Mbeten vetëm dy të dhënat e fundit: 20 mijë që mbetën, të cilët duke e kuptuar situatën, nuk i pranuan gjermanët, u fshehën dhe aty fillon epopeja e marrëdhënies midis civilëve shqiptarë dhe ushtarëve italianë. Dhe pastaj janë luftëtarët e famshëm. Luftëtarët ishin 3 mijë, sepse në shtator të vitit 1943, Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare, kishte rreth 170 burra dhe një numër ushtarësh italianë, të cilët kishin dezertuar jo për arsye ideologjike, por nga zhgënjimi ndaj fashizmit ose si reagim ndaj tij. Në këtë pikë, problemi i vërtetë i luftëtarëve në Shqipëri ishte çështja logjistike, domethënë: si mund të mbahej një luftëtar? Normalisht, një luftëtar kishte nevojë për ushqimet e veta dhe më shumë se 3 ose 4 mijë nuk arrinin të luftonin, sepse nuk mund të mbaheshin. Të gjithë të tjerët dërgoheshin në të ashtuquajturat punë bujqësore, domethënë në ferma, nëpër fshatra, në ara, jo vetëm për të punuar që të mbijetonin, por edhe për të vazhduar punën për të ushqyer këta luftëtarë. Fillimisht, kur sapo mbërriti gjenerali Azzi me gjithë formacionin, nga Forlì, nga Firence, ishin 6 mijë dhe u konstatua menjëherë se nuk kishte ushqim për të gjithë. Me pak fjalë, Shtabi i Përgjithshëm Shqiptar filloi të bënte përzgjedhjen dhe u krijua struktura e parë e ushtrisë shqiptare, një strukturë jo vetëm me luftëtarë të armatosur, por edhe me mortaja, mitraloza dhe dy bateri artilerie, njëra prej tyre e Firences. Ato ishin armët themelore të ushtrisë për vazhdimin e luftës së çlirimit. Më pas mbetën rreth 20 mijë ushtarë italianë, të cilët, sipas të gjitha dëshmive që kam gjetur, u dërguan në punë bujqësore. Kjo u bë për tri arsye: njëra mbijetesa, tjetra shmangia e kapjes nga gjermanët dhe e treta furnizimi i trupave luftarake. Pra ata punonin edhe për ushtarët italianë që luftonin në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, sepse ajo përbëhej nga dhjetëra mijëra shqiptarë dhe rreth 3.000 italianë.
Rudina Xhunga: Kur mbaroi lufta, sa italianë u kthyen në Itali nga 1943shi në 1945ën? Sepse me thënë të drejtën janë dy vite pak të errëta për ne. Në Shqipëri nuk kemi folur shumë gjatë kohës së Enver Hoxhës, por as këtu nuk është folur shumë.
Massimo Coltrinari: Te ne, në vitet 1943-1945 ishte gjithçka e përqendruar në territorin kombëtar, sepse kishim dy koalicione që luftonin kundër njëratjetrës. Përkrah kësaj ishte edhe ajo që lidhej me italianët që luftonin luftën e tyre të çlirimit dhe nga ana tjetër, në veri ishte Republika Sociale. Vështirë se mendohej për jashtë vendit. Kjo ndodhi edhe në Shqipëri. Duhet thënë se në Shqipëri shumë prej tyre erdhën nga Greqia. Pra, në këtë pikë nuk ka të dhëna të sigurta, sepse të dhënat e sigurta gjenden në një botim të Zyrës së Veteranëve të viteve 19431945, të cilin tani nuk e kam këtu, sepse nga Greqia kalonin në Shqipëri, por edhe ata që vinin nga Bullgaria. Në Ballkan, në përgjithësi, italianët shkonin gjithmonë drejt bregdetit, ndërsa të tjerë nga Shqipëria shkonin drejt Jugosllavisë. E dhëna kryesore është ajo e Grazianit, sepse ai kishte ngritur në veri, në Split, një bazë për riatdhesimin e italianëve. Dhe aty ka shifra që nuk janë të sakta, sepse bëhet fjalë për njerëz që vinin nga Kreta, njerëz që vinin nga të gjitha vendet e tjera dhe mbërrinin në Shqipëri, por që në Shqipëri nuk kishin qenë kurrë. Riatdhesimi u bë i rëndësishëm në vitin 1945, sepse të gjithë luftëtarët u organizuan fillimisht në Batalionin "Gramshi", pastaj në Brigadën dhe në Divizionin "Gramshi", në të cilin u përfshinë të gjithë luftëtarët dhe që u riatdhesuan. Dhe aty ndodhi nderimi i madh që Enver Hoxha i bëri luftëtarit italian, të cilin e riatdhesoi me armë. Ishte një formacion partizan italian që u kthye me armët e veta në Itali, në Taranto, në Sant'Andrea, në prill të vitit 1945.
Rudina Xhunga: Pse e bëri këtë Enver Hoxha?
Massimo Coltrinari: Për t'i bërë nderim ushtarit italian. Sepse pa ushtarin italian, ajo ushtri nuk do të kishte ekzistuar dhe këtë e ka pranuar edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. Sepse, për fat të keq, në Shqipëri ndodhi ajo që falë Zotit nuk ndodhi në Itali. Gjermanët kishin arritur të çanin frontin e rezistencës. Rezistenca u nda në dy pjesë: ata që bashkëpunuan me gjermanët dhe ata që shkuan në male. Pastaj lindi çështja e Kosovës që pati një histori krejt më vete, ku ne italianët përjetuam një situatë aspak të bukur nga ana e kosovarëve. Sepse Regjimentet e Gjuetarëve të Shqipërisë, i pari, i dyti, i treti dhe i katërti, kishin në trupë edhe nënoficerë shqiptarë, njerëz nga qytetet dhe shqiptarë të Kosovës, ndërsa oficerët ishin italianë. Menjëherë pas 10 shtatorit, në momentin kur Divizioni "Puglia" zhvendoset dhe shkon drejt Adriatikut për t'u nisur me anije, ndodhin ngjarje të trishta, në të cilat vriten të gjithë oficerët italianë nga ushtarët e këtyre regjimenteve shqiptare. Kjo është një faqe e dhimbshme e historisë. Unë gjithmonë e shoh Shqipërinë e Madhe të ndarë në dy pjesë, atë të Kosovës, sepse më pas kam bërë misione në Austri dhe në Jugosllavi, në Sarajevë, pastaj jam kthyer përsëri. Problemi i Kosovës është një gjë më vete, nuk ka lidhje me atë që është fryma e dy përbërësve të Shqipërisë, veriut dhe jugut, sepse, për pjesën tjetër, këto episode nuk janë përsëritur kurrë. Ka pasur gjithmonë diçka që lidhet me një të kaluar. Sepse ne mbërritëm në Shqipëri në vitin 1915 dhe zbarkuam në Sazan dhe në Vlorë. Ishim në luftë me Austrinë, kishim hapur frontin ballkanik. Kur nisi pushtimi i austriakëve ne kishim trupat tona, divizionet tona. Një gjeneral italian, pas një viti e gjysmë luftimesh, nga Kalaja e Gjirokastrës, u bëri një thirrje shqiptarëve: "Shqiptarë të dashur, luftoni në krahun tonë luftën e pavarësisë kundër armikut që ishte austrohungarez". Ky është një fakt që nuk mund të mos merret parasysh në marrëdhëniet midis italianëve dhe shqiptarëve, sepse ne po luftonim luftën tonë të katërt të pavarësisë, Luftën e Parë Botërore, ndërsa Shqipëria po ndërtohej si shtet. Dhe 20 vjet më pas, ky shpirt vazhdon: luftohet i njëjti armik, gjermani dhe të dy popujt ishin në të njëjtën anë. Dhe fshatari nuk e shihte më italianin si dikë që vinte nga jashtë, por si dikë që luftonte kundër të njëjtit armik.
Rudina Xhunga: Sigurisht, ky është një këndvështrim. Por ekziston edhe këndvështrimi tjetër; italiani që kishte ardhur në Shqipëri ishte pushtuesi, pra armiku. Në arkivat e Zyrës Historike lexova një letër, që ishte një dëshmi që ndoshta e keni mbledhur ju në atë kohë dhe ai thoshte: "Na bëri përshtypje shqiptari që deri tani na shihte si armiq dhe tani jemi miq." Domethënë, kjo gjë ndodhi me këtë burrë shqiptar, i cili hapi shtëpinë e tij për të mbrojtur italianin, i cili një ditë më parë kishte qenë armiku i tij dhe jo vetëm për ta mbrojtur, por për ta fshehur nga nazistët dhe për t'i dhënë ushqim, në një kohë kur ushqimi mungonte. Çfarë ndodhi?
Massimo Coltrinari: Para së gjithash, në nivel ndërkombëtar, Shqipëria e Zogut ishte tashmë në sferën tonë të influencës. Ky pushtim, i dëshiruar nga ministri i Jashtëm Gian Galeazzo Ciano, i cili e konsideronte Shqipërinë protektoratin e tij, ishte një tepri, sepse Shqipërinë e kishim edhe pa e pushtuar. Aneksimi i Shqipërisë ishte një akt i politikës ndërkombëtare. Këtu dalim pak nga fusha ime e kërkimeve, ndoshta pak më tepër seç duhet, sepse askush në komunitetin ndërkombëtar nuk i kërkonte Italisë të mos merrej me Shqipërinë. Italia kishte influencën e saj në Shqipëri. Pasi u bë ky pushtim, Tirana tregon se nuk ishte një regjim krejtësisht shtypës dhe shfrytëzues. Në Tiranë edhe sot ekzistojnë të gjitha ndërtimet, sepse fashizmi donte të tregonte në Shqipëri atë që duhej të ishte rendi i ri në Evropë, nëse fashizmi do të kishte fituar luftën. Dhe, për këtë arsye, e kishte marrë Shqipërinë si model dhe Shqipëria kishte pasur vetëm përfitime. Kazermat e Vittorio Emanuele II u ndërtuan si një imazh i asaj që do të ishin shumë prej ndërtimeve. Shumë prej tyre janë marrë si model nga kazermat këtu, në qytetin tonë ushtarak, Cecchignola. Domethënë, ndërhyrjet u bënë për të treguar se fashizmi kishte rendin e ri në Evropë, gjithmonë në formën e një diktature, por gjithsesi, gjërat shkuan keq, gjithçka u shemb dhe armiku i vërtetë nuk ishte më italiani, por gjermani. Dhe shqiptari thotë: "Në fund të fundit, këta italianë kanë qenë pushtues, na kanë pushtuar, por në këtë moment po na japin edhe një dorë për të luftuar kundër armikut të vërtetë, që është gjermani." Në këtë pikë lindin episode të ndryshme. Ka episode në të cilat shqiptarët vrasin italianët, ka italianë që vrasin shqiptarë dhe janë një pjesë shumë e vogël. Për shembull, ditët e fundit, ndërsa përgatitesha për takimin me ju, gjeta një rast. Një pilot italian, në korrik të vitit 1944, ndërsa po mitralonte bregdetin shqiptar, u qëllua dhe u rrëzua. Ai bëri një ulje emergjente dhe humbi ndjenjat. U zgjua në një shtëpi fshatarësh shqiptarë, ku krahu i tij i thyer iu mjekua me miell dhe vezë, me ilaçet e vjetra popullore të fshatarëve. Të gjithë buzëqeshnin dhe i jepnin për të ngrënë. Jemi në korrik të vitit 1944 dhe gjermanët ishin kudo. Ata e morën pilotin, e çuan në një pikë evakuimi italian dhe brenda dy muajsh u kthye përsëri në fluturim. Domethënë, kjo do të thotë se shqiptarët, po të donin, mund ta dorëzonin te gjermanët dhe do të merrnin një kilogram kripë, sepse nuk kishte para; paguhej vetëm me kripë ose me ar. Këtë pilot unë e kam intervistuar në vitet 19831984, dhe ai thotë: "Shiko, mua më la përshtypje pikërisht ky shpirt, sepse armiku i vërtetë, nuk ishte më italiani apo shqiptari, por ishte bërë gjermani, sepse gjermani, kudo që shkelte, tregonte egërsinë e tij." Për shembull, kampi i përqendrimit të Kavajës është një nga më të tmerrshmit në Shqipëri dhe jemi në vitin 1944. Për gjermanët, Shqipëria ishte vërtet jashtë boshtit të tyre, por duhej ta kontrollonin, sepse përndryshe do t'i jepte mbështetje Jugosllavisë dhe do të prishte gjithë ekuilibrin e Ballkanit.
Rudina Xhunga: Për ata që thonë se gjermanët vetëm kaluan nëpër Shqipëri dhe nuk bënë luftë çfarë do të thoni?
Massimo Coltrinari: Gjatë luftës detyra e italianëve në Ballkan ishte ajo e ruajtjes së territoreve, sepse gjermanët nuk kishin forca dhe këta gjermanë ishin të angazhuar në Rusi. Prandaj, sa më pak forca të angazhonim në Ballkan, aq më mirë ishte. Në momentin kur Italia doli nga lufta, gjermanët u çmenden, sepse e shohin të gjithë Ballkanin të pambrojtur. Italia, Greqia, Shqipëria, Jugosllavia ishin të mbuluara nga ushtria italiane, me disa njësi gjermane rezervë, por problemi i tyre i vërtetë ishte Rusia. Në këtë pikë, ata u detyruan të tërhiqnin forca nga Rusia dhe t'i sillnin në Greqi, në Shqipëri dhe në Jugosllavi. Dhe kjo ishte një mënyrë indirekte për t'i dobësuar gjermanët në frontin rus. Jo më kot e gjithë kjo ndodhi pas Stalingradit; jemi në vitet 19431944. Pra, në Shqipëri u vendosën forca, sigurisht jo të jashtëzakonshme, por edhe në Greqi, sepse forcat në Shqipëri duhej të shërbenin si mbështetje për ato në Greqi. Dhe pastaj, në tetor të vitit 1944, ndodh e gjithë tërheqja e madhe drejt jugut. Gjermanët u bënë agresivë sepse kishin frikë. Kishin frikë sepse ishin në territore armiqësore, ishin larg dhe të paktë në numër. Ky është thelbi. Egërsia e vërtetë gjermane u shfaq nga kjo frikë e madhe. Kjo frikë u shtua edhe nga fakti që Italia kishte kërkuar armëpushim.
Rudina Xhunga: Në fakt, për këtë është folur, që gjermanët i trajtuan italianët në Shqipëri sikur të ishin hebrenj.
Massimo Coltrinari: Marrëdhënia midis gjermanit, pra ideologjisë naziste dhe italianit pas shtatorit të vitit 1943 është komplekse. Së pari, lidhet me ideologjinë e dhunës: "Kush nuk është me mua, është kundër meje." Për mua, gjithçka nis nga kjo dhunë, nga frika. Frika e vërtetë. Pastaj edhe nga përdorimi i trupave që nuk ishin aspak trupa të zgjedhura, si divizionet e famshme "Brandenburg", të cilat rekrutoheshin mes kriminelëve dhe nuk kishin kode, pra duhej të mbijetonin. Dhe mbi të gjitha, sepse italianët fillimisht përqafuan luftën guerile. Dhe lufta guerile është forma më e keqe e luftës, sepse nuk e di kurrë se ku ndodhet armiku. Atëherë ti reagon duke bërë gabim pas gabimi, sepse në luftën guerile, dhuna sjell dhunë. Kjo ndodhi, për shembull, si në Kefaloni, ashtu edhe me Divizionin "Acqui" dhe Divizionin "Perugia". Divizionit "Perugia", i cili luftoi kundër gjermanëve, iu pushkatuan të gjithë oficerët, ishin 196. Gjermanët i pushkatuan sepse kishin frikë se këta ushtarë, nën komandën e tyre, do të shkonin në male dhe do të nisnin luftën guerile. Në kampin e Limones janë pushkatuar 47, dhe më pas kemi edhe pushkatime të tjera në zonën e Kuçit. Janë 47 dhe është vetëm një Medalje e Artë, nëntoger Rodolfo Betti, i cili u pushkatua bashkë me 48 oficerë të tjerë në Kuç, ku është edhe një monument i bukur përkujtimor. Deri pak kohë para pandemisë së COVID19, çdo vit, më 7 tetor, organizoheshin përkujtimore në Perugia, ngaqë Betti ishte nga andej me origjinë dhe më pas një delegacion shkonte në Kuç për të vendosur lule mbi varrin e 47 italianëve të ekzekutuar.
Rudina Xhunga: Në shumë raste, nëse gjermanët gjenin një italian të strehuar në shtëpinë e një shqiptari, i pushkatonin të dy. Ata që hapnin derën, duhet ta mendonin shumë mirë.
Massimo Coltrinari: Pikërisht. Sepse shpeshherë shumë fshatarë nuk i hapnin dyert nga frika e kësaj. Në përgjithësi, këta 20 mijë ushtarë mbijetuan, kështu që dikush duhet t'i ketë ndihmuar. Dikush i ka asistuar. Pra, ka pasur një marrëdhënie me popullsinë dhe kjo marrëdhënie ka qenë pozitive. Po ju jap një shembull. Fshatarët shqiptarë ishin të varfër dhe mezi e siguronin ushqimin. Disa detyroheshin të përdornin edhe gomarin për të nxjerrë ujë nga pusi. Në një moment, për të mos vdekur nga uria, italiani që kishin marrë në shtëpi bëri një marrëveshje shumë të thjeshtë. "Unë do të zë vendin e gomarit që të nxirrni ujin dhe ju do më jepni për të ngrënë." Kjo për të kuptuar se kushtet ishin jashtëzakonisht të vështira dhe armiku i vërtetë, përveç gjermanit, ishte edhe vetë mbijetesa. Mësimi i madh i rezistencës së ushtarakëve italianë jashtë vendit është se, në momentin kur dikush të imponon një diktaturë, dhe në fund ka një reagim, ka një rezistencë, kur ti je në anën e të dobëtit, në anën e të sulmuarit, në anën e atij që pëson dhunë, në fund bashkohesh me atë që pëson dhunë. Këtu ndodh edhe transformimi i vërtetë. Transformimi është se në fillim i sheh italianët dhe shqiptarët kundër njëritjetrit, sepse ti shkon atje, i pushton. Edhe ne italianët nuk kemi qenë vetëm të bukur, të mirë, "diell, picë dhe mandolinë". Kemi qenë pushtues dhe duhet ta themi hapur. Kjo nuk do të thotë se sot nuk ndihem italian; unë kam qenë gjithmonë italian. Por duhet pranuar se kemi shkuar në shtëpinë e dikujt tjetër për ta pushtuar dhe kjo nuk është diçka që bëhet. Sepse kur dikush ka ardhur në shtëpinë time, më ka pushtuar dhe unë nuk jam dakord, atëherë ka diçka që duhet respektuar. Po e përsëris, pa bërë shumë retorikë: në momentin kur kupton se ke mundësinë të respektosh të tjerët dhe disa vlera që duhen respektuar, atëherë lind edhe rezistenca. Për shembull, ne kemi pasur rezistencën tonë në veri gjatë gjithë viteve 1944-1945. Pse dolën njerëzit në male? E kuptoni çfarë do të thotë të jetosh në male, sidomos në dimër? Vetëm vështirësitë dhe lufta për mbijetesë tregojnë gjithçka. Ky libër duhej të ishte dyfish më i madh, por pastaj askush nuk do ta lexonte. Një vëllim i tillë duhet të dokumentohet mirë. Sepse, në momentin që dikush dëshiron të krijojë një ide të vetën, nuk duhet të thotë atë që them unë, apo atë që thoni ju, apo atë që dëgjon tani në emision. Merr një dokument të cituar, e lexon dhe flet me protagonistin e vitit 1943. Sepse, kur ke një dokument të shkruar më 23 tetor 1943 nga nënkolonel Zignani, mbi ngjarjet në Shqipëri, nga armëpushimi edhe në vazhdimësi, në atë moment ti krijon idenë tënde. Pra, ke përpara një protagonist që nuk po shkruan versionin e tij për arsye politike apo ideologjike, apo nga një këndvështrim i caktuar. Zignani të jep listën e plotë të të gjitha njësive italiane që ishin atje. Më pas, që nga data 23 tetor, ai së bashku me oficerë të tjerë krijuan Komandën e Trupave Italiane të Malit.
Rudina Xhunga: Zignani ka një rol themelor në këtë libër.
Massimo Coltrinari: Po. Por rolin e parë e ka pasur komandanti i Aeroportit të Shijakut, Mario Barbi Cinti i cili më 14 shtator, me 114 aviatorë ngjitet në Pezë dhe takohet me Enver Hoxhën. Në këtë pikë krijohet grupi i parë me italianët që bashkohet me Ushtrinë Nacionalçlirimtare dhe thotë: "Le të bëjmë një marrëveshje. Italianët të vijnë të luftojnë gjermanët dhe unë ia dorëzoj komandën kujt të vijë." Pastaj vijnë edhe tre oficerë të tjerë. Më 23 shtator vjen koloneli Ferdinando Raucci dhe koloneli Zignani dhe krijohen tri batalione. Pastaj pas Krujës, në fund të shtatorit vjen gjenerali Arnaldo Azzi me Divizionin "Firenze" dhe kështu krijohet kjo strukturë e ushtarëve italianë që luftojnë në Shqipëri pranë Enver Hoxhës. Më 1 nëntor ndodh përplasja e parë e madhe në Berat, ku shkatërrohet Batalioni "Gramshi", i cili është shkatërruar tri herë. Në këtë betejë të Beratit ka një fotografi shumë të bukur të italianëve që parakalojnë në Berat më 29 tetor. Prandaj, përpara se të dëgjojmë ndërmjetësit, duhet lexuar dokumenti. Sepse nëse lexon ditarin origjinal, jo atë të korrigjuar pas luftës, që është gjetur sepse autori ka vdekur dhe nuk ka pasur mundësi ta përshtaste, atëherë ti flet me vetë ngjarjen. Kështu ti ke pasqyrën e plotë të asaj që ka ndodhur në Shqipëri. Kjo është arsyeja pse doli një vëllim dhe duhej të ishte i dyfishtë. Duhej të ishte si në versionin italian, por edhe në versionin shqiptar, në nivele të ndryshme: ushtri, korparmatë, divizion, brigadë dhe kështu me radhë. Ky është versioni që ishte një surprizë e madhe. Sepse në fund të fundit marrëdhënia me Shqipërinë mbetet një aventurë shumë e bukur kulturore. Kjo është e padiskutueshme. Por në të njëjtën kohë gjithçka përsëritet në cikle. Nëse nuk ka një aftësi të fortë kritike dhe rezistence ndaj atyre që përpiqen t'i tërheqin versionet nga ana e tyre, pa hyrë në detaje, shpesh këto punime mbeten në bibliotekë dhe nuk ndikojnë te gjeneratat e reja.
Rudina Xhunga: Prandaj shtrohet pyetja: a kanë kuptuar diçka brezat e rinj, apo rrezikojmë të na çojnë drejt Luftës së Tretë Botërore?
Massimo Coltrinari: Njerëzit zakonisht i kuptojnë gjërat vetëm kur rreziku bëhet real.
Rudina Xhunga: A ka ardhur ky rrezik sipas jush?
Massimo Coltrinari: Jo. Unë do të thosha se ekziston kjo aftësia për të jetuar vazhdimisht buzë greminës. Italia, që nga viti 1948 e deri sot ka qenë shpesh në atë gjendje, por në fund ka ditur ta rimarrë veten dhe të mos bjerë në greminë. Ne jemi italianë, kemi makarona, por kemi 400 lloje të ndryshme makaronash. Për ju që jeni shqiptare, makaronat janë thjesht makarona. Për mua si italian janë fusilli, spaghetti, e shumë të tjera. Pra, jemi të ndryshëm brenda një uniteti dhe të qenit i ndryshëm nuk do të thotë të jesh i përçarë apo të mos jesh pjesë e një kombi. Për shembull, unë jam nga Marche, dikush tjetër nga Lazio, një tjetër nga Kalabria, por kur i bashkon, bëhen italianë. Sot kjo është diçka e natyrshme. Ky është edhe mësimi që përpiqem të jap në masterin e historisë. Nuk mund të marrësh një shqiptar, një gjerman, një italian dhe një francez dhe të thuash që janë thjesht katër evropianë. Jo. Unë jam italian, ju jeni shqiptare dhe identiteti ynë duhet të ruhet gjithmonë, në çdo aspekt. Por vjen një moment kur duhet të themi: "Të bashkohemi!" Domethënë, ka momente kur përçarja të vendos në gojën e ujkut dhe atëherë duhet të jemi të fortë. Dhe atëherë heqim dorë pak nga vetja jonë, ashtu siç ne kemi hequr dorë pak nga identiteti ynë dhe kemi bërë Mbretërinë e Italisë. E bëmë keq, por e bëmë. Pastaj bëmë Republikën Italiane. Tani, nëse ne i japim Evropës diçka nga vetja jonë, krijojmë Evropën. Ja pse, në fund të fundit, unë ndihem evropian, ashtu siç ju ndiheni evropiane. Sepse unë jam italian, ju jeni shqiptare, por jemi dy evropianë.
Rudina Xhunga: Kjo është edhe arsyeja pse kemi zgjedhur të tregojmë për figurën e Goffredo Zignanit, sepse ai është një hero evropian që lidh italianët me shqiptarët. E dini pse?
Massimo Coltrinari: Sepse formimi i tij shpirtëror dhe trashëgimia kulturore e Goffredo Zignanit vijnë nga ajo Romagna që u frymëzua nga Giuseppe Mazzini, i cili donte jo vetëm bashkimin e Italisë, por edhe një Evropë të bashkuar. Pra, ideja është kjo: të jesh vetvetja, por në të njëjtën kohë të jesh pjesë e diçkaje më të madhe, për disa gjëra thelbësore si mbrojtja apo ekonomia. Sepse euroja sot ka bërë që të mos jemi më në mëshirë të këtyre luhatjeve, të uljeve dhe ngritjeve të monedhave kombëtare. Për shembull, euroja ka sjellë një farë stabiliteti ekonomik. Një ushtri evropiane, në kohët që jetojmë, do të garantonte më shumë siguri. Sepse ndodh gjithmonë e njëjta gjë: vjen dikush dhe thotë: "Më duhet kjo". Por tjetri i përgjigjet: "Kujdes, nuk është e jotja, pse do ta marrësh?" Hitleri filloi me Saarin, pastaj me Sudetet. Historia na mëson se diktatori kërkon gjithmonë diçka. Sot Rusia filloi me Krimenë, tani është Donbasi, pastaj do të vijë Königsberg, ndërsa ky tjetri këtu do të thotë: "Tani dua këtë, dua atë..." Edhe brenda një diktature, e cila ishte diktaturë, kishte edhe forma kontrolli, por ky shpirt i Risorgimentos italian kishte mbetur. Pra ideja për të ndërtuar diçka më të madhe. Kur ndodh përplasja mes Carlo Tuccit, shefit të Shtabit të Armatës së 9të, dhe Zignanit, ky i fundit thoshte se nuk u duhet besuar premtimeve të gjermanëve, sepse ata nuk do të jenë kurrë të besueshëm. Zignani i referohej pikërisht kësaj aftësie për të rezistuar ndaj atij që të shkel, ndaj atij që dëshiron të imponojë idenë e tij pa pjesëmarrje. Të mos harrojmë se Klemens von Metternich tha se Italia është thjesht një shprehje gjeografike, pra sikur nuk ekzistonte si komb. Zignani e kundërshton këtë logjikë. Zignani arsyetonte në vitin 1943, siç arsyetoj unë sot në vitin 2026. Arsyeja është ajo që lidhet me këndvështrimin evropian. Ai thoshte se duhej bërë patjetër gjëja e duhur. Dhe ai u ngjit në male, ngriti këtë strukturë, luftoi dhe në fund u pushkatua, por në mënyrë të qetë, të kthjellët. Zignani është një nga ato figura që përfaqëson kuptimin e një lufte që ne e quajmë luftë çlirimtare, por edhe aftësinë për t'i menaxhuar gjërat duke i respektuar të gjithë. Ndaj të rinjtë duhet të kalojnë në këto shtigje. Unë kam shumë besim te të rinjtë. Kam parë që çdo brez i ri oficerësh është më i mirë se ne. Nëse mendoj për atë që isha unë kur isha kapiten dhe shoh kapitenët e sotëm, më vjen pak turp për atë që kam qenë dhe për mënyrën se si isha. Të rinjtë sot kërkojnë një gjë thelbësore, jo interpretime, por dokumente. Dhe shpesh më ka ndodhur të dëgjoj kritika. "Kjo është bërë gabim. Këtu nuk është bërë mirë. Kjo nuk duhej bërë." Mirë, ti e mendon kështu, është mendimi yt. Por kur shkoj nëpër shkolla dhe lexoj letra të tipit "I dashur armik", në fillim të gjithë studentët mendojnë: "Çfarë po na thotë ky? Kujt i intereson?" I shikojnë si gjëra të parëndësishme. Por pastaj koha kalon dhe diskutimi zgjat me orë të tëra, sepse të rinjtë nuk duan të ikin. Ata pyesin, debatojnë, kërkojnë shpjegime. Prandaj e përsëris se kam shumë besim te të rinjtë.
Rudina Xhunga: Unë ju falënderoj shumë që keni bërë gjithë këtë punë dhe na keni sjellë kaq shumë fakte. Është shumë e rëndësishme që i keni bërë bashkë këta libra. Por a ju kanë falënderuar nga Shqipëria?
Massimo Coltrinari: Historia vazhdon. Instituti "Nastro Azzurro", i themeluar në vitin 1923 ka si qëllim studimin e vlerës ushtarake, jo si diçka e së kaluarës, por si një faktor i paprekshëm strategjik. Sepse, nëse një vendimmarrës në çdo nivel, ekonomik apo ushtarak, ka 100 njësi për të arritur një objektiv, prej tyre 30 punojnë shumë mirë, 30 mesatarisht dhe 30–40 punojnë keq ose kundër objektivit, atëherë duhet punuar pikërisht mbi këta 30–40 për t'i përmirësuar. Por nëse edhe tek ata 30 që punojnë mirë keni dikë që bën më shumë se detyra e tij, sepse është i bindur dhe beson në atë që bën, atëherë vlera në vetvete rritet dhe ju e arrini më lehtë objektivin. Është një logjikë thjesht matematikore. Prandaj, instituti është i orientuar drejt së ardhmes, për të kultivuar të gjitha ato vlera që të bëjnë të besosh në diçka. Sepse kur beson në diçka, vepron siç bëri Zignani. Ai mund të kthehej shumë lehtë në Itali me një anije, por zgjodhi të mos largohej, u gjend përballë togës së pushkatimit dhe për këtë arsye u dekorua me Medaljen e Artë për Trimëri Ushtarake. Sot sfida më e madhe është komunikimi dhe besimi në atë që secili përfaqëson, duke e ndërtuar këtë besim përmes dokumenteve dhe analizës së fakteve. Në kuadër të këtij instituti, ne kryejmë pikërisht këtë funksion. Pastaj çfarë ndodh? Falënderimet, nëse vijnë, pranohen, nëse nuk vijnë, puna vazhdon si më parë. Por nga Shqipëria kam marrë shumë, shumë mirënjohje. Mirënjohje kam marrë nga ishdrejtoresha e Arkivit të Shtetit, zonja Nevila Nika. Ato dy herë që kam qenë në Shqipëri, më është dukur sikur isha një figurë e veçantë.
Rudina Xhunga: Ku keni qenë në Shqipëri?
Massimo Coltrinari: Më pritën në aeroport dhe më çuan në sheshin "Skënderbej". Gjithmonë më kanë trajtuar shumë mirë, me kujdes, pothuajse me përkëdhelje. Pastaj shkova në Universitetin e Shkodrës, ku më ishte propozuar edhe një seminar, por më pas dolën disa vështirësi organizative dhe nuk u realizua. Ajo që më habiti është fakti që më bënë të ndihem sikur jam një person i rëndësishëm.
Rudina Xhunga: Por sigurisht që jeni. Keni bërë gjëra shumë të rëndësishme për historinë.
Massimo Coltrinari: Në fakt, gjëja është shumë e thjeshtë. Ne jemi të një brezi të Akademisë Ushtarake të viteve të protestave. Hymë në akademi sepse besonim në të, edhe pse ishte një kohë e paqartë dhe e trazuar. Por ishte një kolonel i jashtëzakonshëm që na dha udhëzime shumë të qarta. Tani, pas 50–60 vitesh, duhet të lini përshtypjen se i bëni këto gjëra sepse ju pëlqejnë, jo me detyrim. Duhet të bëni gjëra serioze, por me kënaqësi. Sepse kur bën diçka që të pëlqen, që argëtohesh, në fund ia del mbanë. Por sot shpesh ndodh e kundërta, bëhen shumë gabime. Dhe në Shqipëri, gjithçka është si një festë.
Rudina Xhunga: Një festë e vërtetë. A keni qenë në Vlorë?
Massimo Coltrinari: Po, kam qenë në Vlorë. Kam studiuar edhe në Sazan, për të parë si kanë zbarkuar bersalierët. Nuk po them atë që kemi parë, por çfarë kanë bërë marinarët kur kanë zbarkuar në Vlorë, nga Sazani, në vitin 1915. Praktikisht, nga tri varka shpëtimi, dy u përmbysën, sepse nuk i njihnin thellësitë e ujit. Pra, miqtë shqiptarë më kanë treguar disa aspekte të bregdetit, pikërisht ato më të veçantat. Pastaj kam ndjekur gjithë rrugën e Lancierëve të Milanos përgjatë bregdetit, deri poshtë në Greqi dhe, gjatë kësaj kohe, më kanë bërë të përshkoj një pjesë të rrugës. Ishte e mrekullueshme, e jashtëzakonshme. Pastaj është ëndrra që nuk e kam realizuar ende, por herët a vonë do ta realizoj, do të shkoj në Alpet Shqiptare. Sepse unë shkoj gjithmonë në male, në Cortina e vende të tjera, por herë pas here dikush më thotë: "Nëse shkon në Shqipëri, është edhe më bukur." Një gjë që duhet ta bëj para së gjithash është të shkoj në Elbasan, në Manastirin e Jezuitëve, sepse aty ka edhe një histori. Jezuitët kanë marrë dhe kanë fshehur flamurin e Regjimentit të 130të të Këmbësorisë. E kanë ndarë në copa, sipas ngjyrave. Ende po bëjmë kërkime për këtë. Prandaj është një vend që duhet ta vizitoj.
Rudina Xhunga: Për t'u njohur, për t'u dashur dhe për të bashkëpunuar më shumë dhe për të thënë disa gjëra që nuk janë thënë për vite.
Massimo Coltrinari: Problemi është më shumë çështje kulture. Nga përvoja ime në Ballkan kam kuptuar se Shqipëria, fatkeqësisht, ende po paguan çmimin e trashëgimisë së Jugosllavisë, të ndarjeve të saj. Pastaj është çështja akoma më e ndërlikuar dhe jo e këndshme e Kosovës. Ne ishim atje në vitin 1990, gjatë luftërave në Jugosllavi. Në Itali ekziston shpesh një mendësi që i sheh Greqinë veçmas se është Greqia, por Shqipërinë, Bullgarinë, ishJugosllavinë dhe pjesërisht Rumaninë si një bllok të vetëm. Por kjo nuk është aspak e vërtetë. Kam disa rezerva të mëdha për zonën e BosnjëHercegovinës. Kam qenë në Mostar dhe kam parë nga afër problemin fetar, aty është një realitet krejt tjetër, një atmosferë krejt ndryshe. Por nëse fillojmë të flasim për këto gjëra, rrezikojmë të humbasim edhe atmosferën e bisedës. Prandaj le ta lëmë këtu.
Rudina Xhunga: Ju falënderoj shumë!
Massimo Coltrinari: Faleminderit juve, jam gjithmonë në dispozicionin tuaj./dritare.net