Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Si shpëtuan shqiptarët 20 mijë italianë nga vrasja! Flet historiani Marenglen Kasmi!

Si shpëtuan shqiptarët 20 mijë italianë nga vrasja! Flet

Kapitullimi i Italisë në shtator të vitit 1943 ndryshoi rrjedhën e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, por edhe fatin e dhjetëra mijëra ushtarëve italianë që ndodheshin në territorin shqiptar. Të braktisur nga komanda e tyre ushtarake dhe të përndjekur nga ish-aleatët gjermanë, shumë prej tyre gjetën shpëtim pikërisht te populli që deri atëherë kishin pushtuar.

Në një intervistë me Dritan Hilën në DritareTV, historiani Marenglen Kasmi sjell dokumente nga arkivat gjermane, që hedhin dritë mbi kapitullimin e ushtrisë italiane, trajtimin e ushtarëve nga gjermanët, bashkimin e italianëve me partizanët dhe strehimin e tyre në familjet shqiptare.

Intervista zhvillohet në kuadër të dokumentarit dhe librit “Në besë të shqiptarëve”, me autore gazetaren Rudina Xhungën, kushtuar historisë së shpëtimit të mijëra ushtarëve italianë nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dokumentari, i cili vjen shumë shpejt për publikun shqiptar dhe italian, sjell dokumente arkivore, dëshmi të historianëve, rrëfime të pasardhësve të ushtarëve italianë dhe të familjeve shqiptare që i strehuan.

Pse ushtria italiane nuk u bëri qëndresë gjermanëve?

Duke iu referuar dokumenteve gjermane të shtatorit të vitit 1943, Kasmi shpjegon se në Shqipëri, ndodheshin rreth 90 mijë ushtarë italianë. Rreth 60 mijë të tjerë ndodheshin në Maqedoni dhe 40 mijë në Mal të Zi. Pavarësisht epërsisë numerike të italianëve, mungesa e komunikimit me Romën, paqartësia e komandës ushtarake dhe gjendja morale e trupave bënë që qëndresa ndaj gjermanëve të mos organizohej.

“Në aspektin ushtarak kjo ushtri ishte shumë e mirë, por morali ishte ai që çalonte, sepse nuk kishin ndonjë motiv të madh ushtarët italianë për të bërë qëndresë dhe për të lënë kockat në një vend të huaj, për një luftë që nuk është se u interesonte. Pjesa më e madhe e ushtarëve italianë në këtë kohë nuk donin asgjë tjetër, veçse të ktheheshin në shtëpi.”, shprehet historiani.

Çfarë ndodhi në hotel Dajti në shtatorin e vitit 1943?

Kasmi rrëfen edhe momentin e kapitullimit të komandës italiane në Tiranë, kur gjenerali gjerman Lothar Rendulic detyroi gjeneralin italian Rosi të nënshkruante kapitullimin.

“Erdhi në Tiranë dhe te hotel Dajti detyroi Rosin që të nënshkruante kapitullimin për të gjitha forcat italiane, që nga Dalmacia, pra edhe Shqipëria. Kjo përsëri vjen tek ajo pika: si është e mundur që një forcë shumë e vogël gjermane detyron një forcë kaq të madhe italiane të kapitullojë? Arsyeja kryesore, mendoj unë, është moskomunikimi dhe mungesa e informacionit dhe e urdhrave se çfarë do të ndodhte më tej. Ndërkohë që bie shteti, detyrimisht edhe ushtria, kur mbetet pa urdhra, bie”, shpjegon Kasmi.

Historiani e cilëson edhe dorëheqjen e gjeneralit Dalmazzo si një tregues të dështimit të zinxhirit drejtues ushtarak italian, në një moment kur mijëra ushtarë kishin nevojë për orientim dhe mbrojtje.

Dënimet e gjermanëve ndaj ushtarëve italianë

Një prej dokumenteve që historiani prezanton në DritareTV mban datën 11 shtator 1943 dhe përcakton masat ndëshkuese ndaj ushtarëve italianë që nuk zbatonin urdhrat e komandës gjermane. Dokumenti parashikonte dënime me vdekje edhe për ushtarët italianë që u shisnin apo u dhuronin armë shqiptarëve.

“Çdo ushtar italian, i cili u shet armë personave civilë, pra shqiptarëve, apo ua dhuron ato, apo i bën armët të papërdorshme, do të pushkatohet”, shpjegon historiani duke iu referuar dokumentit.

Sipas Kasmit, nga rreth 90 mijë ushtarët italianë që ndodheshin në Shqipëri, 50 deri në 55 mijë përfunduan në kampet gjermane të punës dhe të robërve të luftës. Qëndrimi fillestar i gjermanëve ndaj italianëve ndryshoi me zhvillimin e situatës dhe me shtimin e rasteve të bashkëpunimit të italianëve me partizanët shqiptarë.

Fati tragjik i divizionit “Perugia”

Në intervistë, historiani ndalet edhe te historia e divizionit italian “Perugia”, që kishte vepruar në zonën e Gjirokastrës dhe Tepelenës. Pas kapitullimit të Italisë, mijëra ushtarë të këtij divizioni shpresonin të riktheheshin në atdhe. Sipas Kasmit, rreth 4 mijë prej tyre arritën të hipnin në anije, ndërsa për shumë të tjerë mundësia e largimit u ndërpre. Marrëveshja e gjeneralit Chiminello me forcat partizane shqiptare dhe dorëzimi i armatimit tek ato sollën pasoja tragjike për oficerët italianë që ranë në duart e gjermanëve.

Kur shqiptarët ndanë bukën me ushtarët që i kishin pushtuar

Përballë kësaj situate, mijëra italianë gjetën strehim në familjet shqiptare. Kasmi thekson se mbi 20 mijë ushtarë italianë u strehuan pranë popullsisë vendase, duke u bërë pjesë e familjeve që i mirëpritën.

“Nga pushtues, u bënë pjesë e familjes. Pra, u futën në familje dhe jetonin atë që kishte familja, ndanin me të”, rrëfen historiani.

Shqiptarët, megjithëse ndodheshin vetë në kushtet e luftës, të varfërisë dhe të një pushtimi të ri, hapën dyert e shtëpive për ushtarët italianë, duke ndarë me ta ushqimin dhe duke u ofruar mundësinë për të mbijetuar. Gjatë bisedës ngrihet edhe çështja e vëmendjes që historiografia italiane i ka kushtuar kësaj mikpritjeje. Kasmi përmend si një shpjegim të mundshëm edhe ndjenjën e turpit për mënyrën se si komanda italiane i braktisi ushtarët e saj.

Dokumenti gjerman për Goffredo Zignani-n dhe Ferdinando Raucci-n

Një vend të veçantë në intervistë zë dokumentacioni gjerman për operacionin 505, të zhvilluar në fillim të nëntorit të vitit 1943. Kasmi prezanton një hartë të hartuar nga gjermanët, e cila dokumenton edhe praninë e ushtarëve italianë pranë forcave partizane në zonën e Pezës. Sipas historianit, harta dëshmon gjithashtu bashkëpunimin e formacioneve të Ballit Kombëtar me forcat gjermane gjatë këtij operacioni.

Kasmi sjell edhe protokollin gjerman të marrjes në pyetje të oficerëve italianë, mes të cilëve koloneli Ferdinando Raucci dhe nënkoloneli Goffredo Zignani, figura qendrore e dokumentarit dhe librit “Në besë të shqiptarëve”. Zignani dhe Raucci kishin zgjedhur të bashkoheshin me partizanët shqiptarë dhe të luftonin kundër nazizmit. Më 17 nëntor të vitit 1943, të dy oficerët italianë u pushkatuan nga gjermanët në Elbasan.

“Këta kishin kaluar tashmë si drejtues të formacioneve italiane nën komandën e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Praktikisht ishin pa asnjë lloj shansi për të shpëtuar”, shprehet Kasmi.

Italianët që vdiqën në shtëpitë e shqiptarëve dhe që askush nuk erdhi t'i kërkonte

Një tjetër çështje që trajtohet në intervistë është fati i eshtrave të ushtarëve italianë që humbën jetën në Shqipëri gjatë luftës. Kasmi shpjegon se procesi i riatdhesimit të eshtrave nisi në vitet ’60, por nuk arriti të përfundonte për shkak të vështirësive në identifikimin dhe gjetjen e varreve. Sipas tij, ende mungon një statistikë e qëndrueshme që të bëjë dallimin mes italianëve që humbën jetën në periudha të ndryshme të luftës. Në përfundim të intervistës, historiani Marenglen Kasmi thekson rëndësinë e respektimit të jetës dhe kujtimit të ushtarëve të rënë, pavarësisht ushtrisë së cilës i përkisnin.

“Ushtarët, ushtarakët në tërësi, nuk mund të fajësohen për politikën apo të mbajnë kusuret politike. Në momentin që ushtari bie, respektohet”, shprehet Kasmi.

Dokumentet e prezantuara në DritareTV sjellin një këndvështrim mbi historinë e shpëtimit të ushtarëve italianë në Shqipëri, duke dëshmuar përmes arkivave gjermane rrezikun me të cilin përballeshin italianët dhe rëndësinë e ndihmës që u ofruan familjet shqiptare./Dritare.net