Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Çfarë ndodhi me anijen italiane “Giuseppe Sirtori” në vitin 1943? Rrëfimi i historianit Coltrinari!

Çfarë ndodhi me anijen italiane “Giuseppe Sirtori”


Një anije luftarake italiane e mbytur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe historia e mijëra ushtarëve që përpiqeshin të largoheshin nga Shqipëria pas kapitullimit të Italisë. Historiani ushtarak italian Massimo Coltrinari sjell në vëmendje një nga episodet tragjike të shtatorit 1943, në një intervistë me gazetaren Rudina Xhunga për DritareTV.

Bëhet fjalë për torpedinieren italiane “Giuseppe Sirtori”, të cilën historiani e përmend teksa rrëfen lëvizjet e anijeve ushtarake ndërmjet Sarandës, Korfuzit dhe Kefalonisë, në ditët e para pas armëpushimit të 8 shtatorit 1943.

Në atë periudhë, mijëra ushtarë italianë ndodheshin në një situatë të jashtëzakonshme. Pas kapitullimit të Italisë, ushtria italiane u shpërbë dhe ushtarët duhej të vendosnin nëse do të dorëzoheshin te gjermanët, do të përpiqeshin të ktheheshin në atdhe apo do të vazhdonin rezistencën.

Coltrinari shpjegon se anijet italiane vazhdonin të lëviznin ndërmjet porteve të rajonit, duke transportuar fillimisht të plagosurit, të sëmurët dhe ushtarët e shpërndarë. Saranda, që në atë kohë njihej me emrin Porto Edda, ishte një nga pikat e rëndësishme të këtyre lëvizjeve.

I pyetur nga Rudina Xhunga nëse gjatë këtyre operacioneve ishte mbytur ndonjë anije, historiani përmend torpedinieren “Giuseppe Sirtori” një anije luftarake e Marinës Mbretërore Italiane, e përdorur gjatë Luftës së Dytë Botërore për operacione ushtarake dhe detyra shoqërimi në det. Në shtator të vitit 1943, ajo ndodhej në Korfuz, ku forcat italiane po përballeshin me sulmet gjermane.

Historia e saj është e lidhur ngushtë me ngjarjet dramatike që përfshinë mijëra ushtarë italianë në Shqipëri dhe Greqi pas shtatorit 1943.

Në intervistën për DritareTV, Coltrinari tregon gjithashtu se më 10 shtator 1943, rreth 4 mijë ushtarë italianë kaluan nga Saranda drejt Korfuzit, së bashku me gjeneralin Luigi Lusignani. Ai përmend edhe dokumentet historike që ruhen në arkivat italiane mbi rezistencën e ushtarëve në Korfuz.

Rrëfimi i Coltrinarit është pjesë e intervistës së realizuar për dokumentarin “Në besë të shqiptarëve 2”, me autore Rudina Xhungën, i cili vjen shumë shpejt për publikun shqiptar dhe italian. Dokumentari sjell dëshmi dhe dokumente për fatin e ushtarëve italianë që mbetën në Shqipëri pas kapitullimit të Italisë dhe për shqiptarët që i strehuan e i ndihmuan të mbijetonin gjatë luftës.

Më poshtë, pjesë nga intervista e historianit Massimo Coltrinari me gazetaren Rudina Xhunga për DritareTV.

Massimo Coltrinari: Kefalonia ra më 25 shtator, por deri më 25 shtator kishte lëvizje të anijeve italiane nga Kefalonia, nga Korfuzi dhe nga Santi Quaranta. Unë e quaj Santi Quaranta (Saranda), por asokohe quhej Porto Edda.

Në këtë pikë anijet shkonin e vinin dhe në bord merreshin fillimisht të plagosurit, të sëmurët dhe ushtarët e shpërndarë, sepse në momentin që këto anije lëviznin, gjermanët sulmuan Porto Eddan dhe u zmbrapsën pas rënies së Kefalonisë, më 28 dhe 29 shtator, për të ruajtur lidhjet.

Rudina Xhunga: U mbyt ndonjë anije atje?

Massimo Coltrinari: Po, anija, torpedinierja Sirtori u mbyt me të gjithë njerëzit. Sepse më 10 shtator, nga Santi Quaranta, rreth 4 mijë ushtarë italianë kaluan në Korfuz me gjeneralin Luigi Lusignani.

Në Zyrën Historike ka një korrespondencë shumë të bukur mbi rezistencën e italianëve në Korfuz. Të gjithë emrat që përmend janë dekoruar me medalje ari: koloneli Elio Bettini, koloneli Zignani, për të cilin kam mbledhur edhe dëshmitë e pasardhësve të tij, etj.