Çështja “Balluku”, Rama nga Brukseli: Askush nuk është mbi ligjin në Shqipëri!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama është pyetur për çështjen e Belinda Ballukut në mbërritje në samitin BE-Ballkani Perëndimor, që zhvillohet në Bruksel. Kreu i qeverisë e cilësoi luftën kundër korrupsionit në Shqipëri si të paprecedentë në rajon, duke theksuar se ky është një nga argumentet pse vendi duhet të konsiderohet një kandidat serioz për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Rama nënvizoi se çdo çështje duhet të kalojë përmes një procesi të rregullt ligjor, ndërsa shtoi se në Shqipëri nuk ka më askënd mbi ligjin.
“Ajo që Shqipëria po bën kundër korrupsionit është e paprecedentë në rajon dhe kjo është pikërisht arsyeja përse Shqipëria duhet të konsiderohet një vend kandidat shumë, shumë serioz. Nëse deri jo shumë kohë më parë Shqipëria portretizohej gjithmonë si një vend ku ishte ngulitur kultura e pandëshkueshmërisë dhe ku korrupsioni ishte vetë sistemi, sot Shqipëria është një vend ku sistemi po lufton fuqishëm korrupsionin. Natyrisht, çdo çështje duhet të kalojë përmes procesit të rregullt ligjor, por është shumë e qartë se në Shqipëri nuk ka më askënd mbi ligjin. Dhe pikërisht kjo është arsyeja përse Shqipëria duhet të shihet me një sy shumë pozitiv”, tha Rama.
I pyetur për mbylljen e kapitujve të radhës të negociatave me Bashkimin Europian, kryeministri u shpreh se Shqipëria po ecën sipas planifikimit, ndërsa për disa çështje mbetet në pritje të miratimit nga Komisioni Evropian.
“Ne po punojmë shumë fort çdo ditë me Komisionin Evropian dhe le të shohim si do të dalin llogaritë. Por, me sa jam në dijeni, jemi në rrugën e duhur dhe sipas planifikimit. Nga ana tjetër, kjo nuk është një punë e njëanshme, por një punë me dy kahe. Për disa prej çështjeve, ne jemi ende në pritje që Komisioni të japë dritën jeshile, sepse, siç e di kushdo që është i përfshirë në këtë proces, Komisioni duhet t’i miratojë paraprakisht tekstet që ne i kemi përgatitur tashmë”, tha kryeministri./dritare.net