Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së shmang përgjigjet për hetimin ndaj Nvidia-s
Dritare.net

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Todd Blanche, ka shmangur komentet mbi mundësinë e një hetimi federal ndaj kompanisë së teknologjisë Nvidia dhe drejtuesit të saj, Jensen Huang.
Gjatë një konference për mediat të martën, Blanche u pyet disa herë nëse Departamenti i Drejtësisë apo FBI-ja kishin hetuar Huang, por ai u përgjigj: “Nuk e di për çfarë po flisni”. Megjithatë, ai e cilësoi Nvidia-n si një “qytetar të mirë korporativ”.
Çështja lidhet me shqetësimet për sigurinë kombëtare dhe dyshimet se disa çipa të avancuar të Nvidia-s mund të jenë devijuar drejt Kinës përmes kompanisë Megaspeed, me seli në Singapor. Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur se hetimet ndaj Megaspeed nisën në vitin 2024 për shkelje të mundshme të kontrolleve të eksportit.
Ndërkohë, Presidenti Donald Trump ka konfirmuar se ka ndërhyrë në vendimin e bordit të Nvidia-s për rikthimin e Huang në postin e drejtuesit ekzekutiv. Trump madje deklaroi se do të shqyrtonte mundësinë e një faljeje presidenciale në rast se ndaj tij do të kishte veprime penale.
Rikthimi i Huang ka shkaktuar reagime të forta në Kongresin amerikan, ku përfaqësues nga të dyja partitë kanë kërkuar sqarime mbi ndikimin e administratës Trump dhe rreziqet e mundshme për sigurinë kombëtare.
Përfaqësuesit e Kongresit pritet ta marrin në pyetje Huang javën e ardhshme, veçanërisht për marrëdhëniet e tij me drejtuesen e Megaspeed, e cila dyshohet se ka pasur lidhje me shërbimet kineze të inteligjencës.
Zhvillimet kanë ndikuar edhe në tregjet financiare. Pas një rritjeje të fortë të aksioneve të Nvidia-s, të hënën, me mbi 31%, aksionet e kompanisë ranë pothuajse 6% në mbylljen e tregtimit të së martës.
Ndërsa hetimet dhe debatet politike vijojnë, rasti i Nvidia-s po kthehet në një çështje të rëndësishme për marrëdhëniet mes teknologjisë, politikës dhe sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara./L.F-dritare.net