Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Spiropali: Ata që duhet të ikin rrinë, ata që duhet të rrinë ikin!

Spiropali: Ata që duhet të ikin rrinë, ata që duhet të

Një ditë pasi u përjashtua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, Elisa Spiropali po mban një konferencë për shtyp.

Ti përmende historinë. Unë jam e para grua në 35 vjet dhe po e marr si dekoratë këtë meqë jam edhe kryetarja më e re e zgjedhur e Kuvendit të Shqipërisë. Me këto dy skaje, duke qenë edhe gruaja e parë e përjashtuar nga një parti në 2026 për arsye të qëndrimeve të mia, nuk duhet të çuditemi fare. Nuk ka asgjë për sa kohë që ata që duhet të ikin, rrinë dhe ata që duhet të rrinë, ikin. Mendoj se do të shohim edhe shumë të tjera sepse Shqipëria ka hyrë në një fazë shumë delikate. Këtë qëndrime kam mbajtur edhe para protestave të flamingove, për t’iu përgjigjur kohës për mënyrën si vepron pushteti dhe vendimmarrja. Kam folur për nevojën për reformim të sistemit tonë elektoral që tanimë është moçal politik, është në stanjacion të plotë të përfaqësimit politik. Këtu nuk pulson më nevoja e shoqërisë për më shumë përfaqësim.

Në momentin që unë kam mbajtur qëndrime publike për t’i vënë fre pushtetit, për ta kufizuar në funksion të një Shqipërie që është e të gjithëve, në momentin që kam mbajtur qëndrime që nuk udhëhiqeshin nga një nevojë personale, di ta bëj shumë mirë brenda forcës sonë politike, na ka mësuar koha e përgjegjësitë, por ishte koha për ta kuptuar që gjërat kanë ndryshuar thellësisht. Në atë kohë shumë ngritën vetulla dhe pyetën nga erdhi kjo, ishte një analizë. E mbaj si dekoratë që jam përjashtuar. Pa diskutim që kam edhe unë përgjegjësitë e mia në konsolidimin e pushtetit të personalizuar dhe partisë së një njeriu, qeverisë dhe pushtetit të një njeriu, kjo është përtej pushtetit të Edi Ramës dhe raportit personal. Ishte ajo nevojë e brendshme për të thënë që dinjiteti njerëzor dhe guximi qytetar janë më të fortë se çdo triumfalizëm. Kur kjo mungon, s’ka shtyllë që e mban në këmbë, s’ka rëndësi sa mandate”, tha Spiropali.

Votimi i deputetëve socialistë erdhi 10 ditë pasi Asambleja e PS-së e përjashtoi atë nga të gjitha forumet e partisë. Deputetët socialistë votuan të martën në një mbledhje me dyer të mbyllura, ku munguan si kryeministri Edi Rama, ashtu edhe vetë Spiropali. Të gjithë deputetët e pranishëm votuan pro largimit të saj nga grupi, ndërsa Erion Braçe dhe Bledi Çuçi abstenuan.

Me largimin e Spiropalit, grupi parlamentar i PS-së mbetet me 81 deputetë. Për të arritur shumicën e cilësuar prej 84 votash, që nevojitet për miratimin e ligjeve që kërkojnë tri të pestat, socialistët varen tashmë nga votat e të tre deputetëve të partisë së Tom Doshit.