Beteja e fundit e Goffredo Zignani-t në Pezë, sipas arkivave gjermane!
Dritare.net

Goffredo Zignani, nënkoloneli italian që pas kapitullimit të Italisë zgjodhi të qëndronte në Shqipëri dhe të luftonte krah partizanëve shqiptarë, është heroi kryesor i dokumentarit dhe librit “Në besë të shqiptarëve", me autore gazetaren Rudina Xhunga.
Historiani Marenglen Kasmi sjell në DritareTV një dokument të zbuluar në arkivat ushtarake gjermane, që hedh dritë mbi betejën e fundit të Zignanit në zonën e Pezës dhe kapjen e tij nga gjermanët.
Dokumenti, i datës 8 nëntor 1943, përmban protokollin e marrjes në pyetje të shtatë oficerëve italianë, mes të cilëve nënkoloneli Goffredo Zignani dhe koloneli Ferdinando Raucci, të cilët nëntë ditë më vonë, më 17 nëntor 1943, u pushkatuan nga gjermanët në Elbasan.
Në dokument pasqyrohet organizimi i forcave italiane në Pezë, bashkëpunimi i tyre me partizanët shqiptarë, prania e misionit britanik dhe ngjarjet që i paraprinë kapjes së oficerëve italianë.
Kjo dëshmi nga arkivat e ushtrisë gjermane hedh dritë mbi ditët e fundit të qëndresës së Zignani-t në Shqipëri, një histori që vjen e rrëfyer për publikun shqiptar dhe italian në dokumentarin e gazetares Rudina Xhunga.
Ja çfarë shkruhet në dokumentin e arkivave gjermane, të sjellë nga historiani Marenglen Kasmi në DritareTV.
Marrja në pyetje e oficerëve italianë të zënë robër, më 8.11.1943
-Koloneli Fernando Raucci, 52 vjeç, nga Roma. Deri në armëpushim, oficer i personelit (IIa) në Shtabin e Armatës së 9-të italiane, Tiranë.
-Nënkoloneli i Shtabit të Përgjithshëm Gofreddo Zignani, 37 vjeç, nga Roma. Deri në armëpushim, shef i zyrës operative (Ia) në Shtabin e Armatës së 9-të italiane, Tiranë.
-Kapiteni Lumardini, 46 vjeç, nga Viareggio.
-Togeri Vittorio Pagnini, 31 vjeç, nga Gradara.
-Togeri Filippo Nespoli, 31 vjeç, nga Napoli.
-Togeri Carlo Rosini, 27 vjeç, nga Siena.
-Nëntogeri Glauco Marzari, 22 vjeç, nga Milano.
Partizanët shqiptarë:
Shef i Shtabit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare është Spiro Moisiu, major shqiptar në kohën e Ahmet Zogut. Më 21 dhe 22.10.1943 ai ka qëndruar në zonën e Pezës bashkë me gjeneralin italian Azzi (komandant i Divizionit italian "Firenze") dhe me shefin e tij të shtabit, majorin Terizia.
Komandant ushtarak në zonën e Pezës është Myslim Peza. Komisari i tij është Shuli.
Në zonën e Pezës vepron Brigada e 3-të e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, nën komandën e Spahisë. Ai ka qenë aspirant oficer shqiptar, kapiten artilerie në anën e të kuqve në Luftën Civile Spanjolle dhe më pas është stërvitur në Rusi. Posta komanduese e fundit e Sphahia-s, që u njihej robërve, ndodhej në zonën e Alltatës, 5 km në jugperëndim-perëndim të Petrelës.
Brigada kishte 3 batalione me nga 3 kompani. Çdo kompani kishte 100 deri në 120 veta. Armatimi përbëhej nga pushkë italiane, mitralozë të lehtë dhe mitralozë të rëndë. Brigadës i varej një repart artilerie i përbërë nga italianë, me 2 topa malorë italianë 75 mm të ish-Divizionit "Firenze". Mortajat e lehta (45 mm) dhe mortajat e rënda 81 mm (2 copë) i përdornin shqiptarët. Përveç këtyre, thuhet se kishte edhe topa kundërtank 20 mm.
Municionet për pushkë, mitralozë, mortaja dhe topa kundërtank ishin të bollshme. Për artilerinë kishin mbetur vetëm rreth 50 predha. Depot e municioneve dhe të ushqimeve janë ngritur pothuajse gjithmonë në male dhe gjenden jashtëzakonisht vështirë. Mjetet e transportit janë mushkat dhe kuajt. Përgjegjës i furnizimit është Baba Peza, vëlla i Myslim Pezës.
Partizanët mbajnë çdo ditë lidhje me korrierë me Elbasanin, Tiranën dhe Durrësin. Korrierët lëvizin të veshur si fshatarë.
Anglezët:
Me sa dinë robërit, pranë Myslim Pezës ndodhen si organizatorë dhe këshilltarë një major anglez (ndoshta Seymour, të cilin shqiptarët e quajnë Samurra), një kapiten, 1 nënoficer dhe 1 tetar. Robërit kanë dëgjuar se furnizimi bëhet me avionë anglezë.
Italianët:
Komandant i të gjithë italianëve të Badoglio-s në Shqipëri është gjenerali Azzi (komandant i Divizionit "Firenze"). Shef i shtabit të tij është majori Terizia.
Komandant i italianëve në zonën e Pezës është koloneli Raucci. Shef i shtabit të tij është nënkoloneli Bau.
Forca e përgjithshme: 2000 veta, nga të cilët 250 të armatosur dhe rreth 60 oficerë.
Organizimi: 3 batalione.
Batalioni I: komandant nënkoloneli Mosconi. Forca 550 veta, të paarmatosur. Oficerët: kapiten Pizzamiglio, nëntoger Marzari, toger de Stefano, nëntoger Capabianca, nëntoger Rosetti, nëntoger de Luca. Përbëhej nga shërbimet e furnizimit, shoferët dhe kompania e punishteve.
Batalioni II: komandant majori Morelli. Forca 750 veta (kompania e furrës, shërbimet e furnizimit [...]), të paarmatosur. Oficerët: kapiten Gianni, toger Pagnini.
Batalioni III: komandant nënkoloneli i Shtabit të Përgjithshëm Zignani. Forca 250 veta, të armatosur, 10 të pa]armatosur. Vetëm 2 prej tyre ishin këmbësorë, të tjerët ishin nga shërbimet e furnizimit dhe personeli i shtabit.
Organizimi: Kompania 1, kapiten Lunardini. Kompania 2, kapiten Florea[...]. [Kompania 3] në formim, kapiten Re.
Armatimi: pushkë me nga 36 fishekë, me gjithsej 400 fishekë, 2 mitralozë të rëndë me 1000 fishekë, granata, 6 pushkë kundërtank me 50 fishekë.
Pak pas armëpushimit, italianët që kishin ikur nga Tirana dhe u mblodhën në Arbanë (7,5 km në jugperëndim të Tiranës). Shqiptarët i çarmatosën ata që kishin ende armë. Më 29.9 gjenerali Azzi ishte në Arbanë dhe e ngarkoi kolonelin R[aucci] të mblidhte italianët në zonën e Pezës dhe të merrte komandën e tyre. Pas kësaj, njerëzit e Myslim Pezës u dorëzuan italianëve armët e përmendura më sipër.
Pas sulmit të gjermanëve në Arbanë më 9.10.1943, shtabi i kolonelit Raucci u zhvendos fillimisht në Ba[lhaxhia?] (5,5 km në jugperëndim të Petrelës), pastaj në Treskë (3 km në jugperëndim të Balhaxhias) dhe më 31.10 në Guri i Bardhë (4 km në perëndim të Treskës).
Batalioni I qëndronte në Pezë të Madhe. Pjesëtarët e tij në fund punonin te fshatarët. Batalioni [II] qëndronte në fillim pranë Kavajës, më vonë edhe ai në Pezë të Madhe. Batalioni [III] deri më 31.10 ruante kodrat në lindje të Kavajës. Më 31.[10] mori nga komanda shqiptare, nëpërmjet kolonelit Raucci, urdhrin të tërhiqej në luginën e Pezës, me krahun e djathtë (4,5 km në veriperëndim të Treskës), ku ndodhej një batalion i brigadës shqiptare.
Në këtë pozicion, batalioni italian u sulmua më 7.11. Sipas dëshmive të robërve, u vu në ikje pa luftë. Mbretëronte një hutim i plotë, aq sa gjithë natën u ec pa asnjë orientim, në drejtimin e përgjithshëm drejt juglindjes. Edhe pjesë të brigadës shqiptare kishin marrë të njëjtën rrugë ikjeje. Robërit e kanë parë për herë të fundit Myslim Pezën më 7.11 në orën 17:30 dhe Spahinë bashkë më 8.11 në orën 04:00.
Thuhet se komanda shqiptare e kishte marrë vesh që më 31.10 se po përgatitej një aksion gjerman. Megjithatë, ajo besonte se do të ishte vetëm një sulm i shkurtër dhe vendosi të priste fillimisht urdhrin idërguar batalionit italian.) Pastaj u zu në befasi nga aksioni gjerman.", thuhet në dokument./dritare.net

