Rama nga Brukseli: BE-ja duhet të bëjë një hap të guximshëm drejt integrimit të vendeve kandidate!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje Bashkimit Europian të ndërmarrë një hap të guximshëm drejt integrimit të mëtejshëm të vendeve kandidate, duke ruajtur procesin e anëtarësimit të bazuar në meritë.
Në mbërritje në samitin BE-Ballkani Perëndimor, që zhvillohet në Bruksel, kreu i qeverisë shqiptare theksoi rëndësinë e përfshirjes së vendeve kandidate rreth tryezës së Bashkimit Europian, si një sinjal i fortë për qytetarët dhe botën.
“Sigurisht, ky samit vjetor është ngjarja kryesore e vitit për të gjitha vendet kandidate. Ka rëndësinë e vet edhe për vendet anëtare. Është një moment për një bisedë të hapur dhe shumë konstruktive, për të shkëmbyer përshtypjet e vitit dhe idetë për të ardhmen. Është e rëndësishme të jemi këtu dhe pikërisht në samitin e këtij viti ka një arsye shumë të mirë për të ecur përpara drejt një integrimi më të madh. Mbetem i bindur se BE-ja duhet të ketë guximin të bëjë një hap të guximshëm përpara, duke sjellë të gjitha vendet kandidate rreth tryezës, pa ndryshuar procesin e bazuar në meritë për secilin vend, por duke u dhënë një sinjal të fortë qytetarëve tanë dhe botës”, tha Rama./dritare.net