Urdhri i Hitlerit për ushtarët italianët në Shqipëri! Çfarë zbulojnë arkivat gjermane!
Dritare.net

Vetëm tri ditë pas shpalljes së armëpushimit të Italisë, më 8 shtator 1943, komanda ushtarake gjermane përcaktoi masat ndëshkuese ndaj ushtarëve italianë që nuk pranonin të dorëzoheshin apo që u jepnin armë shqiptarëve. Historiani Marenglen Kasmi sjell në një intervistë me Dritan Hilën në DritareTV një dokument të zbuluar në arkivat ushtarake gjermane, të datës 11 shtator 1943, drejtuar gjeneralit italian Renzo Dalmazzo.
Dokumenti përcaktonte detyrat e gjeneralit Dalmazzo, i cili emërohej komandant i përgjithshëm i Grupimit të Ushtrive Italiane Lindje dhe njëkohësisht merrte komandën e Armatës së 9-të Italiane, tashmë nën urdhrat e komandës gjermane.
Në dokument parashikoheshin dënime me vdekje për ushtarët italianë që kundërshtonin urdhrat e gjermanëve, që u shisnin apo u dhuronin armë civilëve shqiptarë, si dhe për ata që shkatërronin armatimet apo mjetet ushtarake.
Urdhri parashikonte gjithashtu ndëshkime kolektive, duke dënuar me vdekje edhe oficerë e ushtarë që nuk kishin kryer drejtpërdrejt veprimet për të cilat akuzoheshin.
Historiani Marenglen Kasmi shpjegon se dokumentacioni gjerman dëshmon se si qëndrimi ndaj ish-aleatëve italianë u ashpërsua brenda pak ditësh pas kapitullimit të Italisë.
“Pra, shikojmë që pushkatimi në masë është një masë, një urdhër i cili nuk vihej absolutisht në diskutim. Dhe kështu ka ndodhur”, shprehet Kasmi.
Pikërisht në këto kushte, mijëra ushtarë italianë gjetën strehim në familjet shqiptare, të cilat hapën dyert e shtëpive dhe ndanë bukën me ta, pavarësisht rrezikut që përbënte pushtimi gjerman. Dokumenti hedh dritë mbi rrethanat historike në të cilat ndodhi shpëtimi i mijëra ushtarëve italianë nga shqiptarët, histori që vjen në dokumentarin “Në besë të shqiptarëve 2 – Viva la Libertà”, me autore gazetaren Rudina Xhungën.
Ja çfarë shkruhet në dokumentin e arkivave gjermane, të sjellë nga historiani Marenglen Kasmi në DritareTV.
"11.9.1943
Lënda: Detyrat për gjeneralin Dalmazzo.
1) Grupimi i Ushtrive Italiane Lindje (EST), me të gjithë personelin dhe materialin e tij, ndodhet në robëri lufte gjermane. Ushtarët italianë që nuk dorëzohen do të pushkatohen si rebelë.
2) Gjenerali Dalmazzo emërohet komandant i përgjithshëm i Grupimit të Ushtrive Italiane Lindje (EST). Ai merr udhëzimet nga komandanti i përgjithshëm i Armatës së 2-të të Blinduar, nëpërmjet komandantit të Korpusit XXI Malor, gjeneralit Bader.
Gjenerali Dalmazzo merr njëkohësisht komandën e përgjithshme të Armatës së 9-të Italiane.
3) Detyrat:
a) Organizimi i formacioneve, mbajtja e trupave italiane të bashkuara në vendstrehimet e tyre aktuale, sigurimi i largimit të të gjitha armëve të rënda dhe i të gjitha automjeteve (me përjashtim të dy kamionëve të furnizimit për çdo batalion).
b) Drejtimi i kthimit të formacioneve italiane në vendet e përcaktuara për imbarkim.
Drejtimi i furnizimit gjatë marshimeve.
Ruajtja e disiplinës së rreptë.
4) Masat ndëshkuese:
a) Në rast të shkatërrimit ose plaçkitjes së armëve, municioneve, karburantit apo depove të ushqimeve, përveç autorëve, do të pushkatohet një oficer i shtabit të divizionit dhe 50 burra të divizionit përkatës.
b) Çdo ushtar që u shet ose u dhuron armë italiane personave civilë, ose që i bën ato të papërdorshme pa urdhër, do të pushkatohet.
c) Çdo ushtar italian që mbërrin në stacionin hekurudhor të imbarkimit pa armën që i është lënë, do të pushkatohet së bashku me komandantin përgjegjës të njësisë së tij.
d) Për çdo automjet të bërë të papërdorshëm, do të pushkatohen një oficer dhe dhjetë burra.
5) Ky urdhër duhet t’u përcillet menjëherë të gjitha korpuseve, divizioneve dhe formacioneve përkatëse dhe t’u bëhet i njohur deri në nivel kompanish, baterish etj.
6) Çdo formacion divizioni mban përkohësisht për furnizimin e tij një kolonë transporti prej 40 tonësh.
Komandanti i përgjithshëm i Armatës së 2-të të Blinduar
Nënshkrimi
Gjeneral i këmbësorisë.", thuhet në dokument./K.C/dritare.net

