Ambasadori amerikan mesazh drejtësisë shqiptare: Askush nuk është mbi ligjin! Ndiqni provat dhe paratë
Dritare.net

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, u ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë institucioneve të drejtësisë shqiptare, duke kërkuar zbatimin e barabartë të ligjit dhe hetime të bazuara vetëm në prova, pavarësisht pozitës apo lidhjeve të personave të përfshirë.
Mesazhi i diplomatit bëhet publik nga Ambasada Amerikane, një ditë pas takimit të tij me kreun e SPAK, Klodian Braho, dhe drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta.
Wendt theksoi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka rëndësi jo vetëm për sigurinë e Shqipërisë dhe SHBA-së, por edhe për klimën e investimeve amerikane në vend. Sipas tij, kompanitë amerikane do të investojnë në Shqipëri nëse kanë besim se kontratat respektohen, tenderët janë të drejtë dhe drejtësia garanton zbatimin e barabartë të ligjit.
Ambasadori u ndal edhe te rëndësia e provave dixhitale në hetimet për korrupsionin, trafikun e drogës dhe pastrimin e parave, duke nënvizuar nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar dhe reagim të shpejtë për sigurimin e të dhënave që mund të zhduken.
Në përfundim, Wendt rikonfirmoi mbështetjen amerikane për institucionet shqiptare të drejtësisë, duke theksuar rëndësinë e pavarësisë dhe të vendimmarrjes pa ndikime të jashtme.
“Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligj. Thjesht zbatoni ligjin në mënyrë të barabartë. Ndiqni provat. Ndiqni paratë.”, ishte mesazhi i ambasadorit amerikan për hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë./L.F-dritare.net