Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Dështon mbledhja për Reformën Zgjedhore, Balla ultimatum PD-së

Dështon mbledhja për Reformën Zgjedhore, Balla ultimatum

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka lënë afat Partisë Demokratike deri më 30 nëntor për t’u rikthyer në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, pas dështimit të mbledhjes së radhës për shkak të mosmarrëveshjeve për rendin e ditës. Balla paralajmëroi se, nëse opozita vijon të bllokojë punën e komisionit, mazhoranca do të procedojë me propozimet e saj në Kuvend, duke shfrytëzuar shumicën prej tre të pestash. Ai prezantoi gjithashtu disa nga ndryshimet që socialistët synojnë të realizojnë përpara zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027, mes të cilave rikthimin e numërimit të votave në qendrat e votimit dhe garantimin e përfaqësimit të zonave të bashkuara në këshillat bashkiakë.

“Partia Demokratike duhet ta ketë shumë të qartë: koha kur kishte të drejtën ekskluzive të bllokimit të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore përfundon më 30 nëntor.”

Balla theksoi se reforma duhet të adresojë katër çështje kryesore: depolitizimin e komisioneve zgjedhore, financimin e partive politike, mbulimin mediatik të fushatave dhe ndarjen e shtetit nga zgjedhjet, përmes parandalimit të përfshirjes së administratës publike në fushatë. Sipas tij, PS synon që ndryshimet e nevojshme ligjore dhe nënligjore të miratohen përpara zgjedhjeve të 9 majit 2027.

Një tjetër propozim lidhet me garantimin e përfaqësimit të qyteteve dhe zonave që janë bashkuar në një bashki, duke marrë si shembull Rrogozhinën dhe Kavajën.

Balla bëri të ditur se socialistët kanë propozuar rikthimin e numërimit të votave në qendrat e votimit, me qëllim përshpejtimin e shpalljes së rezultatit përfundimtar.

I pyetur për mundësinë e zgjedhjes së anëtarëve të këshillave bashkiakë përmes listave 100% të hapura, ai u shpreh kundër kësaj formule.

“Formula aktuale që kemi është formula më e mirë për të garantuar një Këshill Bashkiak funksional, demokratik.”

Sa i përket përfaqësimit të zonave rurale, Balla shpjegoi se propozimi i PS-së synon një përfaqësim më uniform të të gjithë territorit në këshillat bashkiakë.

Në përfundim, ai njoftoi se në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, më 14 nëntor, do të prezantohen ide të reja për përzgjedhjen paraprake të kandidatëve për këshillat bashkiakë, me synimin për të garantuar përfaqësimin e të gjithë territorit./dritare.net