Na ndiqni edhe në

Bota

Vret familjarët, më pas del në rrugë dhe qëllon njerëzit! 9 viktima në Poloni!

Vret familjarët, më pas del në rrugë dhe qëllon

Një sulm i rëndë me armë zjarri ka tronditur Poloninë, ku nëntë persona kanë humbur jetën, gjashtë prej tyre gjatë një sulmi në qytetin e Krakovës dhe tre të tjerë të gjetur të vrarë në banesën e autorit të dyshuar.

Ngjarja ndodhi të shtunën, më 7 nëntor, në sheshin kryesor të qytetit, ku një shtetas polak rreth 25 vjeç, i veshur me uniformë të stilit ushtarak, hapi zjarr ndaj kalimtarëve.

Sipas kreut të Policisë polake, Marek Boroń, gjashtë persona u vranë dhe 16 të tjerë mbetën të plagosur, mes tyre dy efektivë policie, pesë shtetas të huaj dhe vetë autori i dyshuar. Një shtetas britanik është identifikuar mes viktimave.

Autori u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, u arrestua dhe u transportua në spital.

Disa orë pas sulmit, kryeministri polak Donald Tusk njoftoi se në banesën e të dyshuarit ishin zbuluar edhe tre trupa të pajetë. Policia konfirmoi më pas se viktimat ishin babai, nëna dhe motra e autorit. Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e vdekjes së tyre.

Ministri i Brendshëm i Polonisë, Marcin Kierwiński, deklaroi se i dyshuari kishte pikëpamje radikale dhe ishte i ndikuar nga ideologjitë e ekstremit të djathtë. Sipas autoriteteve, gjatë sulmit ai përdori armë të tipit ushtarak, ndërsa në automjetin e tij u gjetën armë dhe municione të tjera.

Kryeministri Donald Tusk e cilësoi sulmin si një akt terrorizmi, ndërsa autoritetet po hetojnë motivet dhe po përpiqen të përcaktojnë nëse ngjarja ishte planifikuar më parë.

Pas tragjedisë, presidenti polak Karol Nawrocki shpalli dy ditë zie kombëtare, më 8 dhe 9 nëntor, në nderim të viktimave./dritare.net