Na ndiqni edhe në

Bota

Tronditen bursat botërore! Inteligjenca artificiale shkakton humbje prej 2.5 trilionë dollarësh

Tronditen bursat botërore! Inteligjenca artificiale shkakton humbje prej


Tregjet financiare ndërkombëtare janë tronditur nga një valë masive shitjesh të aksioneve të kompanive të lidhura me inteligjencën artificiale, duke shkaktuar humbje prej rreth 2.5 trilionë dollarësh në vlerën e tregut të Wall Street-it.

Sipas CNN, pas rënies së fortë të së enjtes, 5 nëntor, aksionet amerikane po shfaqnin shenja rikuperimi të premten. Kontratat e së ardhmes për indeksin Nasdaq u rritën me 1.5%, ndërsa ato të S&P 500 me 0.2%.

Edhe kompanitë e goditura më rëndë nisën të rikuperonin një pjesë të humbjeve. Aksionet e Nvidia-s u rritën me 4.5% përpara hapjes së tregut, ndërsa ato të SpaceX me 5.5%, pasi të dyja kishin humbur më shumë se 9% një ditë më parë.

Megjithatë, pasojat e tronditjes amerikane u ndien fuqishëm në Azi dhe Europë. Indeksi Kospi i Koresë së Jugut dhe Nikkei 225 i Japonisë ranë me nga 6%, ndërsa Taiex i Tajvanit humbi 4.5%.

Në Europë, indeksi Stoxx 600 ra me 1.7%, ndërsa bursat kryesore të Francës dhe Gjermanisë regjistruan gjithashtu humbje.

Çfarë e shkaktoi tronditjen?

Sipas analistëve, pasiguria lidhet kryesisht me fitoren e demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, të cilët morën kontrollin e Kongresit.

Investitorët druhen se shumica e re demokrate mund të ngadalësojë investimet në infrastrukturën e inteligjencës artificiale, veçanërisht ndërtimin e qendrave të mëdha të të dhënave, për shkak të shqetësimeve mjedisore dhe ndikimit të tyre te komunitetet lokale.

Këto zhvillime bënë që indeksi Nasdaq të binte me 5.5% të enjten, duke shënuar ditën më të keqe që prej prillit 2025.

Analistët paralajmërojnë se tregjet mund të vijojnë të luhaten edhe në muajt e ardhshëm, ndërsa investitorët presin të shohin politikat që do të ndjekë Kongresi i ri amerikan.

Megjithatë, ekspertët mbeten optimistë për kërkesën afatgjatë për teknologjinë dhe çipat që përdoren në inteligjencën artificiale.

Sipas tyre, rënia e fundit mund të jetë një korrigjim i tregut pas rritjes së jashtëzakonshme të aksioneve të teknologjisë gjatë këtij viti./dritare.net