Na ndiqni edhe në

Bota

Aktori i njohur Russell Brand shpallet fajtor për përdhunim dhe tri sulme seksuale

Aktori i njohur Russell Brand shpallet fajtor për përdhunim dhe tri

Aktori dhe komediani i njohur britanik, Russell Brand, është shpallur fajtor për një rast përdhunimi dhe tre sulme seksuale ndaj katër grave. Vendimi u dha këtë të enjte, më 5 nëntor, nga Gjykata e Kurorës në Southwark të Londrës, pas një procesi gjyqësor që zgjati katër javë. Brand, 51 vjeç, përballej me shtatë akuza që lidheshin me ngjarje të dyshuara të ndodhura gjatë periudhës 1999-2009. Trupi gjykues e shpalli fajtor për katër prej tyre, ndërsa e deklaroi të pafajshëm për dy akuza të tjera përdhunimi dhe një akuzë për tentativë sulmi të pahijshëm seksual.
Pas shpalljes së vendimit, gjyqtari Joel Bennathan paralajmëroi se aktori do të përballet me një dënim të konsiderueshëm me burg. Brand u la në paraburgim, ndërsa masa përfundimtare e dënimit do të shpallet të hënën, më 9 nëntor. Sipas BBC-së, aktori u akuzua për sulme ndaj grave në ambiente të ndryshme, përfshirë një stacion radiofonik, një festë në Londër dhe banesën e tij. Një nga rastet për të cilat u shpall fajtor lidhet me përdhunimin e një gruaje në vitin 2009, në shtëpinë e tij në Hampstead.

Gjatë procesit, Brand i mohoi të gjitha akuzat, duke pranuar se në të kaluarën kishte pasur një jetë seksuale të shthurur, por duke këmbëngulur se nuk kishte detyruar kurrë askënd të kryente marrëdhënie seksuale kundër dëshirës.


Ndërkohë, pas vendimit të gjykatës është bërë e ditur se aktori po hetohet edhe për dy akuza të tjera përdhunimi, të ngritura nga dy gra të tjera. Hetimet për këto raste vijojnë dhe nuk ka ende një vendim gjyqësor.

Policia Metropolitane e Londrës bëri të ditur se gjatë hetimeve janë marrë në pyetje më shumë se 100 dëshmitarë dhe janë shqyrtuar mbi 1.400 dokumente. Autoritetet vlerësuan guximin e grave që denoncuan ngjarjet, duke theksuar se askush nuk qëndron mbi ligjin, pavarësisht famës apo ndikimit që ka.


Russell Brand është një nga figurat e njohura të televizionit dhe kinematografisë britanike. Ai ka luajtur në filma si Forgetting Sarah Marshall dhe Get Him to the Greek, ndërsa është i njohur edhe për martesën e tij të mëparshme me këngëtaren Katy Perry.

Vendimi i gjykatës shënon një zhvillim të rëndësishëm në çështjen ndaj aktorit, akuzat kundër të cilit u bënë publike për herë të parë në vitin 2023, pas një investigimi mediatik në Britaninë e Madhe./dritare.net