Na ndiqni edhe në

Opinione

Pse duan të rrëzojnë Edi Ramën para çdo zgjedhjeje?

Pse duan të rrëzojnë Edi Ramën para çdo zgjedhjeje?

Nga Ylli Pata

Zgjedhjet amerikane të mesmandatit që ishin eventi më i madh botëror mbrëmë dhe sot patën një zhvillim të rëndësishëm. Opozita amerikane, edhe pse e përçarë prej vitesh dhe pa një lider të tyre në nivel kombëtar, arriti të mundë republikanët e MAGA-s edhe vetë Donald Trump që doli në shtetet kyçe për të sulmuar kandidatët për senatorë apo kongresmenë, të cilët i mendonte se ishin në dyshim.

Ajo çfarë ndodhi në zgjedhjet e së martës ishte një uragan blu siç i thotë media botërore, ku për kandidatët demokratë votuan të gjithë votuesit tradicionalë të Partisë Demokratike, si dhe mjaft votues të moderuar të Partisë Republikane.

Ndërkohë, shumë votues radikalë të MAGA-s që nga 2016-a nuk dolën të votonin fare. E gjitha kjo nuk është gjë tjetër veçse dialektika e sistemit demokratik. Ku ndryshimi ndodh vetëm me votë, e kur përballë kanë dinosaur mishngrënës si Donald Trump.

Vetë Presidenti Amerikan, i gjendur përballë një uragani të tillë nuk kishte tjetër rrugë veçse të pranonte rezultatin. E njëjta gjë ndodhi në Beograd, me një tjetër dinosaur si Vuçiç. Ku e ashtuquajtura “Lëvizja Studentore” që nuk ishte gjë tjetër veçse një konturim politik i opozitës së bashkuar fitoi dhe e detyroi politikanin e quajtur autokrat prej vitesh me një shumicë dërrmuese votash.

Po ashtu në Hungari me Orbanin e Magyarin. Kjo është rruga jo thjesht normale, por e vetmja në një sistem alternance me votë të lirë.

Logjika irruptive nuk ekziston si një opsion, përveç rasteve kur ka ndonjë konflikt qytetar e jo përplasje politike.

Qoftë flamingot, qoftë maskat që dogjën Tiranën janë thjesht një kryengritje pallati e jo një revolt popullore. E cila ka dimensione, e mbi të gjitha kushte e narrativë.

Ka politikanë edhe të quajtur të moderuar nga opozita, si për shembull Dashamir Shehi, të cilët i mëshojnë tezës së zëvendësimit të Edi Ramës me një socialist tjetër, e krijimit të një qeverie të përbashkët të opozitës deri në zgjedhje.

Sipas Shehit, kjo qeveri do të kishte më mbështetje ndërkombëtare e do të përshpejtonte procesin e anëtarësimit në BE.

Retorika e Shehit, mund të jetë legjitime, por logjika e përgënjeshtron. Kjo pasi brenda kësaj opozite që kundërshton Edi Ramës, ka pjesë si PD që e konsideron Shqipërinë si narko shtet, por edhe rrymë brenda flamingove që është kundër hyrjes në BE.

Qeveria e përbashkët nën një mazhorancë socialiste me 84 vota është absurd dhe totalisht jo dialektike politikisht. Zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm janë rasti më i mirë për ta sfiduar Edi Ramën, e ndoshta nëse fitojnë edhe mund të kërkojnë zgjedhje të parakohshme, por që normalisht nuk ja vlejnë se janë një vit më pas.

Por për ta bërë këtë, e gjithë kjo opozitë, duhet të zgjedhë vetëm kandidatët e duhur që të sfidojnë mazhorancën, të konturohen politikisht në një betejë e cila është tërësisht e mundur. Madje mund të shpërthejë energji të paparë që demokracia i shpërthen më mirë sesa dhuna. Janë energji pozitive, nxjerrin ide, e mbi të gjitha fytyra të reja, të cilat e bëjnë ndryshimin jo me fjalë por me emra, fytyra dhe fakte. Por për ta bërë këtë, duhen emra dhe fytyra, e jo dinosaurët e epokës para akullnajave./dritare.net