Berisha zbulon kush e shkatërroi protestën: Flamingon i kapën për fyti dhe…
Dritare.net

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza për ndërhyrje të qëllimshme në protestën e opozitës, duke pretenduar se persona të caktuar synuan të devijonin dhe të cenonin organizimin e saj. Gjatë një takimi me kryetarët dhe sekretarët e degëve të PD-së, Berisha e përshkroi protestën si një lëvizje të fuqishme qytetare, ku spikatën të rinjtë dhe figura të njohura të jetës intelektuale. Sipas tij, përdorimi i sloganit “Rama në burg, Berisha në burg” ishte pjesë e një skenari për të dobësuar opozitën aktuale dhe për ta zëvendësuar atë me një forcë politike që, siç pretendon Berisha, do t'u shërbente interesave të kryeministrit Edi Rama.
“E vërteta që në këtë uragan të paparë, i dominuar nga të rinjtë dhe qytetarët, por që tërhoqi dhe intelektualët ndër më të shquarit, jehona e tij botërore ishte e jashtëzakonshme.
Mirëpo çfarë ndodhi? Për koincidencë fatale, flamingon e kapën për fyti. E kapën për fyti me sloganin sine qua non ‘Rama në burg, Berisha në burg’.
Me këtë slogan, këta besëprerë në zbatim të projekteve të Edi Ramës dhe të tjerëve, menduan se skenari serb i zëvendësimit të opozitës së vërtetë, që kishte qëndruar në kushte më të vështira, që kishte rezistuar një kalvari të paprecedent në historinë e Evropës, një force politike që në mbrojtje të parimeve të njerëzve të lirë, donin ta arkivonin.
Donin ta arkivonin në banesën e harresës dhe orientuan at protestë të paparë ndonjëherë në Shqipëri, në çdo aspekt, pankombëtare, e orientuan drejt shkatërrimit.
Ata të cilët mbërthyen flamingon për fyti, ata meritojnë të kualifikohen në rrafshin social dhe psikologjik si vrasësit më barbarë.
Natyrisht projekti i tyre për një opozitë tjetër në shërbim të Edi Ramës, solli fatkeqësisht shumë drejt shkatërrimit të atij uragani.
Dhe Partia Demokratike ka një qartësi shumë të madhe dhe denoncon me forcë këtë grup makbethian që në zbatim të porosive të Edi Ramës ndërmori akte të tilla”, tha Berisha./dritare.net