Na ndiqni edhe në

Bota

Anthropic bën histori në bursë! Aksionet rriten me 34%

Anthropic bën histori në bursë! Aksionet rriten me 34%

Kompania amerikane e inteligjencës artificiale Anthropic ka shënuar një debutim historik në bursën Nasdaq, me aksionet që u rritën ndjeshëm në minutat e para të tregtimit, duke e çuar vlerën e saj në rreth 2 trilionë dollarë.

Kompania, e njohur për zhvillimin e chatbot-it Claude, nisi tregtimin të enjten, me një çmim prej 111.50 dollarësh për aksion, rreth 34% më shumë se çmimi fillestar i ofertës publike prej 83 dollarësh.

Sipas Reuters, kjo rritje e çoi përkohësisht vlerën e Anthropic në 2 trilionë dollarë, duke tejkaluar edhe vlerësimin e kompanisë SpaceX gjatë debutimit të saj në bursë në qershor.

Anthropic kishte siguruar rreth 81 miliardë dollarë nga oferta fillestare publike, duke realizuar ofertën më të madhe të këtij lloji në histori. Përpara nisjes së tregtimit, kompania vlerësohej në rreth 1.5 trilionë dollarë.

Interesi i madh i investitorëve vjen në një periudhë kur kompanitë e inteligjencës artificiale po tërheqin investime rekord, pavarësisht shqetësimeve për kostot e larta të zhvillimit të teknologjisë dhe qëndrueshmërinë e vlerësimeve të tyre në treg.

Anthropic, e themeluar në vitin 2021, është një nga konkurrentët kryesorë të OpenAI, kompanisë që zhvillon ChatGPT. Megjithëse ka regjistruar rritje të shpejtë, ajo vazhdon të përballet me humbje financiare dhe shpenzime të mëdha për infrastrukturën teknologjike./K.C/dritare.net