Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Në besë të shqiptarëve 2, nga Rudina Xhunga! Parashfaqja e dokumentarit

Në besë të shqiptarëve 2, nga Rudina Xhunga! Parashfaqja e

Më 17 nëntor, u organizua parashfaqja e dokumentarit “Në besë të shqiptarëve 2”, me autore Rudina Xhungën, ku u prezantua edhe libri “Në besë të shqiptarëve”.

Parashfaqja u organizua për stafin e DritareTV, historianët dhe bashkëpunëtorët që kontribuuan në realizimin e dokumentarit, si dhe për miqtë e Fondacionit Ivanaj, që mikpriti këtë aktivitet. I pranishëm ishte edhe Goffredo Zignani, nipi i nënkolonelit italian që u pushkatua në Shqipëri më 17 nëntor 1943.

Në fjalën e hapjes, Rudina Xhunga tregoi se dokumentari ishte fryt i një pune dyvjeçare dhe i një kërkimi që nisi nga historia e nënkolonelit Goffredo Zignani, për t'u zgjeruar më pas në dëshmitë e mijëra ushtarëve italianë që mbetën në Shqipëri në shtatorin e vitit 1943.

Autorja tregoi se fillimisht historinë ia kishte rrëfyer Sali Onuzi. Më pas, përmes komunikimit me ambasadën dhe familjen Zignani, u bë e mundur njohja me një arkiv të pasur familjar, ku ruheshin dokumente dhe dëshmi të rralla.

“Arsyeja pse u bë ky dokumentar është sepse ajo familje kishte ruajtur një superarkivë. Dhe kjo është një gjë për ta mësuar dhe për ta besuar, që mund të duash të tregosh histori, por kur nuk ke arkiva, nuk i tregon”, tha Xhunga

Në besë të shqiptarëve 2, nga Rudina Xhunga! Parashfaqja e

Ajo vlerësoi veçanërisht kontributin e historianes Nevila Nika, e cila ndihmoi në kërkimin e dokumenteve dhe në rindërtimin e historisë. Historia e familjes Zignani kishte tërhequr vëmendjen e institucioneve shqiptare edhe gjatë viteve '80, kur Shqipëria dhe Italia po përpiqeshin të afroheshin. Në atë periudhë, Alberto Zignani, djali i nënkolonelit, mbante një detyrë në Ministrinë e Mbrojtjes së Italisë.

“Është një histori që nuk mbaron. Ne kemi dy vjet, por do të na duheshin 20 në fakt për ta treguar të gjithën”, u shpreh Xhunga.

Ajo theksoi se dokumentari dhe libri nuk synojnë ta mbyllin këtë histori, por të krijojnë një bazë të rëndësishme dokumentare për këdo që dëshiron ta studiojë më tej.

Ministria e Mbrojtjes së Italisë hapi dyert e arkivave historike
Një rol të rëndësishëm në realizimin e dokumentarit pati edhe bashkëpunimi me institucionet italiane.

Rudina Xhunga tregoi se ministri i Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto, është një nga zërat e dokumentarit dhe se përmes këtij bashkëpunimi u hapën dyert e arkivave historike italiane.

Ekipi arriti të siguronte letra dhe dokumente të ushtarëve italianë që kishin qenë në Shqipëri, të cilët kishin përshkruar situatën dramatike pas kapitullimit të Italisë fashiste.

Mijëra ushtarë italianë mbetën të bllokuar në Shqipëri, pa mundësi për t'u kthyer në atdhe. Portet ishin mbyllur, transporti ajror mungonte dhe ushtria gjermane po i ndiqte e po i ekzekutonte ushtarët që refuzonin t'i bindeshin.

“Çfarë ndodhi me këta njerëz? I hapën dyert shqiptarët”, tha Xhunga.

Ajo e cilësoi këtë një nga historitë më të jashtëzakonshme të humanizmit shqiptar, duke theksuar se familjet shqiptare shpëtuan njerëzit që deri pak kohë më parë kishin qenë pjesë e ushtrisë pushtuese.

“Shqiptarët i hapën dyert pushtuesve dhe kjo është e rrallë, e jashtëzakonshme, e pandodhur. I shpëtuan nga vdekja e sigurt dhe kjo duhet treguar brez pas brezi”, u shpreh ajo.

Në besë të shqiptarëve 2, nga Rudina Xhunga! Parashfaqja e

Goffredo Zignani: Gjyshi im dëgjoi ndërgjegjen dhe bëri atë që ishte e drejtë


Një nga momentet më të bukura të organizimit ishte fjala e nipit të Goffredo Zignani-t.

Ai tregoi se atë mëngjes, ashtu si çdo vit kur ka mundësi, kishte shkuar me familjen në Elbasan për të vendosur një lule në vendin ku u vra gjyshi i tij. Ai u përpoq të përfytyronte çastet e fundit të jetës së dy oficerëve italianë, mendimet e tyre për familjet që kishin lënë në Itali dhe pasojat e vendimit që kishin marrë. Sipas tij, historia e gjyshit është mbi të gjitha historia e një zgjedhjeje të bërë në emër të ndërgjegjes.

“Ata bënë atë që ishte e drejtë. Dëgjuan ndërgjegjen e tyre, nuk menduan për interesin personal dhe as për urdhrat që merrnin nga komandantët. Vendosën të bënin atë që, sipas tyre, ishte e drejtë”, u shpreh Zignani.

Ai theksoi se falë sakrificës së brezit të gjyshit, fëmijët dhe nipërit e tyre nuk janë përballur me vendime kaq të rënda. Megjithatë, zhvillimet e sotme në Evropë dhe në botë, sipas tij, ngrenë shqetësimin se brezat e ardhshëm mund të gjenden përballë zgjedhjeve të ngjashme.

“Prandaj ia vlente ta tregonim këtë histori, sepse këto ngjarje që duken kaq të largëta dhe të papërsëritshme, ndoshta nuk janë të tilla”, ishte mesazhi i tij.

Në përfundim të fjalës së tij, Goffredo Zignani falënderoi autoren Rudina Xhungën për përkushtimin në realizimin e dokumentarit dhe për miqësinë e krijuar gjatë këtij rrugëtimi.

Në besë të shqiptarëve 2, nga Rudina Xhunga! Parashfaqja e

Në përfundim të parashfaqjes, Rudina Xhunga falënderoi njerëzit që kontribuuan në realizimin e dokumentarit dhe përgatitjen e librit. Ajo vlerësoi punën e ekipit të DritareTV, duke përmendur bashkëpunëtorët që e kishin shoqëruar gjatë dy viteve të kërkimeve, intervistave, montazhit dhe përgatitjes së materialeve historike.

Gazetarja theksoi se “Në besë të shqiptarëve 2” është dokumentari i dytë i ciklit “Në besë të shqiptarëve” dhe se mbeten ende shumë histori të tjera për t'u zbuluar e treguar. Xhunga falënderoi gjithashtu Sali Onuzin, i cili i kishte rrëfyer fillimisht historinë, historianen Nevila Nika, Behar Gjokën dhe të gjithë bashkëpunëtorët që ndihmuan me dëshmi, kërkime dhe materiale historike.

Mbrëmja u mbyll në një atmosferë të ngrohtë, me biseda mes të ftuarve dhe mikpritjen e Mrizit të Zanave me verë dhe gështenja.

Në besë të shqiptarëve 2, nga Rudina Xhunga! Parashfaqja e

Parashfaqja e dokumentarit “Në besë të shqiptarëve 2” dhe prezantimi i librit “Në besë të shqiptarëve” shënuan një moment të rëndësishëm të këtij rrugëtimi dyvjeçar, duke sjellë së bashku njerëzit që kontribuuan në dokumentimin dhe ruajtjen e një historie të jashtëzakonshme të marrëdhënieve shqiptaro-italiane.

Premiera zyrtare e dokumentarit “Në besë të shqiptarëve 2” do të mbahet shumë shpejt në Itali dhe Shqipëri./dritare.net