
Nga ROLAND QAFOKU
Mbrëmë kisha kënaqësinë të ndiqja dokumentarin e Rudina Xhungës “Viva la liberta” që u shfaq në institutin “Ivanaj”. Një histori në dukje e njohur, por në realitet, pothuajse e panjohur e 20 mijë ushtarëve italianë që u strehuan në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për 45 minuta u transmetuan jo thjesht fakte, dokumente e dëshmi të rralla të siguruara këtej dhe përtej detit për ushtarët italianë që ne i njihnim nga kinematografia si Augusto në filmin “Njeriu me top”, Pelicieli te “Malet me blerim mbuluar”, apo Antonio te “Tomka dhe shokët e tij”. Por historia e kolonelit Goffredo Zignan-it që pas kapitullimit të Italisë Fashiste kaloi një kalvar vuajtjesh për shkak të përndjekjes gjermane, e kapërcen të zakonshmen brenda asaj drame po të jashtëzakonshme që italianët po kalonin në shtator të vitit 1943. Ishin po ata italianë që një ditë më parë ishin armiq pushtues dhe brenda 24 orëve u kthyen në viktima dhe çudia është se shqiptarët u bënë shpëtimtarët e tyre.
Si fillim, bashkë me një detachment Italian që drejtonte, Zignan-i iu atashua forcave partizane në rrethinat e Tiranës. Por, pas një beteje, gjermanët arritën ta detyronin të dorëzohej rob dhe më pas e pushkatuan në Elbasan. Këtu nis përkujdesja e dytë e shqiptarëve. Banorët e zonës që panë edhe skenën e pushkatimit, e varrosën trupin e tij me nderime në një Manastir. Në vitin 1984 familja arrin ti marrë eshtrat dhe ti dërgojë në Itali. Por që atëherë ajo familje ka shprehur mirënjohje ndaj shqiptarëve në mënyrë nga më të ndryshme. Nipi i tij që mban emrin e gjyshit, e tregoi këtë edhe dje përpara shfaqjes së filmit. Një histori humanizmi, por edhe prekëse që simbolizon ata 20 mijë ushtarë italianë duke u strehuar në shtëpitë fshatarëve, Dhe të mendosh që shqiptarët ishin tejet të varfër. Pjesa që solli jo pak emocion në këtë dokumentar ishte dëshmia e një ushtari italian të shkruar në ditar që u strehua nga një familje shumë te varfër.
Në këtë situatë ai i tha të zotit të shtëpisë që të bënte punën e gomarit që ata kishin duke transportuar gjithçka dhe në këmbim vetëm të ushqehej. Ky është një nga shumë raste kur shqiptarët kanë çuditur italianë dhe mbarë botën me mirësinë dhe bamirëisnë e tyre. Mjaftonte vetëm të ishe në besën e tyre. Rudina Xhunga e ka sjellë këtë dokumentar vërtetë me një fabul dhe realizim artistik tejet profesional. Mendonim se e dinim mirë këtë histori, por ky dokumentar na tregoi shumë labirinthe me të panjohura. Bravo dhe suksese Rudina!/dritare.net