Gjykata Speciale shpall sot vendimin për Hashim Thaçin. Ja sa vite burg kërkon Prokuroria!
Dritare.net

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të shpallin sot aktgjykimin në çështjen kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të akuzuarve të tjerë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Përveç Thaçit, në këtë proces gjyqësor janë të akuzuar edhe Bashkim Smakaj, ish-drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Isni Kilaj, ish-kryetar i Malishevës, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, ish-ministër i Drejtësisë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dënimin e Thaçit me gjashtë vite burgim. Për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun ka kërkuar nga tre vite burgim, ndërsa për Hajredin Kuçin nëntë muaj burgim.
Sipas aktakuzës, pesë të akuzuarit dyshohet se janë përpjekur të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Prokuroria pretendon se gjatë vizitave që ka pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Hagë gjatë vitit 2023, Thaçi u ka përcjellë të bashkakuzuarve informacione konfidenciale për dëshmitarët, si dhe udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e tyre.
Akuzat përfshijnë pengimin e personave zyrtarë, shkeljen e fshehtësisë së procedurës dhe mosbindjen ndaj gjykatës. Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Gjatë nisjes së gjykimit, në shkurt të vitit 2026, Prokuroria publikoi edhe audio-incizime nga takimet e Thaçit me vizitorët në paraburgim, të cilat, sipas saj, mbështesnin pretendimet për përpjekje për të ndikuar te dëshmitarët.
Ky proces është i ndarë nga gjykimi kryesor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.
Më 16 shtator Gjykata Speciale i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së fajtorë për disa akuza për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet burgim./L.F-dritare.net