Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Kënga nacionaliste serbe interpretohet në hapje të Forumit të Zgjerimit të BE

Kënga nacionaliste serbe interpretohet në hapje të Forumit

Një incident ka ndodhur në hapje të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, ku është interpretuar në formë instrumentale muzika e këngës nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila përmban pretendime politike ndaj territorit të Kosovës.

Forumi, i organizuar nga Komisioni Evropian nën drejtimin e komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, ka nisur më 15 nëntor dhe përfundon më 16 nëntor. Aktiviteti i kushtohet procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe çështjeve që lidhen me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në agjendën e tij parashihen fjalime nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, dhe komisionerja Marta Kos.

Megjithatë, ajo që duhej të ishte një prezantim muzikor i vendeve të përfshira në procesin e zgjerimit, u shndërrua në një situatë të pakëndshme për pjesëmarrësit nga Kosova dhe Shqipëria.

Ekspertja e politikës së jashtme, Donika Emini, e cila do të jetë një nga folëset në forum në cilësinë e themelueses së think-tankut “d-square”, ka treguar për Koha.net se në mbrëmjen hapëse ishte paraparë interpretimi i këngëve nga vendet kandidate dhe ato të përfshira në procesin e zgjerimit të BE-së.

Sipas saj, orkestra kishte interpretuar muzikë nga vende të ndryshme, por kur erdhi radha e Kosovës, në ekran u shfaq titulli i këngës “Oj Kosovo, Kosovo”.

“Doli titulli i këngës që ishte shumë problematik dhe më pas u interpretua vetëm instrumental”, ka deklaruar Emini.

Ajo ka sqaruar se kënga nuk u interpretua me tekst, por vetëm në formë instrumentale. Megjithatë, shfaqja e titullit shkaktoi reagime dhe habi te pjesëmarrësit kosovarë dhe shqiptarë.

Emini ka treguar se ishte tronditur nga ajo që kishte ndodhur dhe kishte vendosur të largohej menjëherë nga salla.

“Unë u shokova, dola menjëherë jashtë dhe e lëshova sallën. Duke dalë, u kam folur edhe pjesëmarrësve të tjerë nga Kosova dhe kam kërkuar të di se kush e kishte zgjedhur këtë këngë dhe kush ishte përgjegjës”, ka rrëfyer ajo.

Ndërkohë, rasti ka nxitur reagime edhe nga përfaqësuesit institucionalë të Kosovës, të cilët e kanë cilësuar të papranueshme interpretimin e një kënge të tillë në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian.

Kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, ka kërkuar sqarim nga komisionerja Marta Kos, duke vënë në pikëpyetje edhe mospërfshirjen e Kosovës në këtë forum.

Edhe kryenegociatori për dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, ka kërkuar shpjegime nga Komisioni Evropian për mënyrën se si është përzgjedhur dhe miratuar repertori muzikor./L.F-dritare.net