Ekspertët paralajmërojnë: Ndryshimet hormonale gjatë jetës rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës tek gratë
Dritare.net
Sëmundjet kardiovaskulare mbeten shkaku kryesor i vdekjeve tek gratë, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet hormonale gjatë jetës mund të ndikojnë ndjeshëm në shëndetin e zemrës.
Udhëzimet e reja, të publikuara më 26 tetor në revistën shkencore Circulation, theksojnë rëndësinë e identifikimit të hershëm të faktorëve të rrezikut, që nga fëmijëria dhe adoleshenca deri në shtatzëni dhe menopauzë.
Sipas ekspertëve, menstruacionet e parakohshme, ciklet e çrregullta, gjakderdhjet e tepërta dhe komplikacionet gjatë shtatzënisë mund të jenë tregues të një rreziku më të lartë për sëmundje kardiovaskulare në të ardhmen.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe sindromës së vezoreve policistike, e cila mund të shoqërohet me rezistencë ndaj insulinës dhe rritje të rrezikut për probleme të zemrës.
Shtatzënia dhe menopauza, periudha vendimtare
Shtatzënia përbën një ngarkesë të konsiderueshme për sistemin kardiovaskular. Presioni i lartë i gjakut, diabeti gestacional dhe lindja e parakohshme mund të rrisin rrezikun për sëmundje të zemrës në vitet pasuese.
Ndërkohë, gjatë perimenopauzës dhe menopauzës, rënia e nivelit të estrogjenit mund të ndikojë në rritjen e kolesterolit të keq (LDL), ngurtësimin e arterieve dhe grumbullimin e yndyrës rreth organeve.
Parandalimi nis që në fëmijëri
Ekspertët rekomandojnë ushqyerje të shëndetshme, aktivitet fizik të përditshëm, gjumë cilësor dhe kontrolle të rregullta mjekësore që në moshë të vogël.
Ata theksojnë gjithashtu se gratë nuk duhet të neglizhojnë simptoma si dhimbja e gjoksit, vështirësia në frymëmarrje, lodhja e pazakontë dhe ënjtja e këmbëve, veçanërisht gjatë shtatzënisë dhe vitit të parë pas lindjes.
Mesazhi kryesor i udhëzimeve të reja është se historia hormonale dhe riprodhuese e një gruaje duhet të jetë pjesë e vlerësimit të rrezikut kardiovaskular, krahas matjes së tensionit dhe kontrollit të kolesterolit.
Identifikimi i hershëm i faktorëve të rrezikut dhe ndjekja e rregullt mjekësore mund të ndihmojnë në parandalimin e infarktit dhe goditjes në tru./L.F-dritare.net