Pesë hapa të thjeshtë për të çliruar trurin nga lodhja mendore
Dritare.net

Detyrat e lëna përgjysmë mund të shkaktojnë stres, të dëmtojnë përqendrimin dhe të prishin gjumin. Ekspertët sugjerojnë pesë strategji të thjeshta për të ndihmuar trurin të shkëputet nga puna dhe të rikuperojë energjinë mendore.
Shumë njerëz e kanë të vështirë të shkëputen nga puna edhe pasi dita zyrtare ka përfunduar. Mendimet për detyrat e papërfunduara, emailet e palexuara dhe projektet që presin të përfundojnë vazhdojnë të mbajnë trurin në gjendje aktiviteti.
Ky fenomen lidhet me të ashtuquajturin efekti Zeigarnik, i emërtuar sipas psikologes ruse Bluma Zeigarnik, e cila në vitin 1927 vuri re se njerëzit kishin tendencë të mbanin mend më mirë detyrat e ndërprera sesa ato të përfunduara.
Sipas studiuesve, detyrat e papërfunduara vazhdojnë të zënë hapësirë në mendjen tonë, duke nxitur stresin dhe mendimet e përsëritura rreth punës. Megjithatë, disa ndryshime në rutinën e përditshme mund të ndihmojnë në uljen e këtij presioni.
Pesë strategji për të reduktuar lodhjen mendore:
1. Vendosni objektiva dhe planifikoni kohën
Nuk është e nevojshme të përfundoni çdo detyrë brenda ditës. Mjafton të përcaktoni prioritetet dhe të krijoni një plan të qartë për hapat e ardhshëm. Shënimi i detyrave dhe afateve ndihmon trurin të mos shqetësohet vazhdimisht për gjërat që mund të harrojë.
2. Çaktivizoni njoftimet jashtë orarit të punës
Kontrollimi i vazhdueshëm i emaileve dhe mesazheve të punës pengon shkëputjen mendore. Ekspertët këshillojnë që komunikimet profesionale të kontrollohen në orare të përcaktuara, duke shmangur ndërhyrjen e tyre në kohën personale.
3. Shmangni mbivendosjen e projekteve
Kalimi i vazhdueshëm nga një detyrë te tjetra rrit ngarkesën njohëse dhe lodh trurin. Përfundimi i një pune përpara se të nisni një tjetër, kur kjo është e mundur, ndihmon në ruajtjen e përqendrimit dhe lirimin e burimeve mendore.
4. Planifikoni punën përpara pushimeve
Përpara një periudhe pushimi, organizoni detyrat dhe përcaktoni qartë se ku do të rifilloni punën pas kthimit. Nuk është e domosdoshme të përfundoni gjithçka, por është e rëndësishme të lini një plan që ju lejon të riktheheni pa stres dhe pasiguri.
5. Krijoni rituale për të kaluar nga puna te koha personale
Ndryshimi i ambientit mund t'i japë trurit sinjalin se dita e punës ka përfunduar. Një shëtitje, kalimi në një dhomë tjetër apo largimi i laptopit nga hapësira e pushimit mund të ndihmojnë në krijimin e distancës psikologjike nga detyrat.
Studiuesit theksojnë se menaxhimi i detyrave të papërfunduara nuk ka të bëjë me përfundimin e çdo angazhimi, por me aftësinë për të mos lejuar që puna të pushtojë vazhdimisht mendimet tona.
Qëllimi është të mësojmë kur duhet të vazhdojmë dhe kur duhet t'i japim trurit mundësinë të pushojë./L.F-dritare.net