Çdo pallat në Tiranë ka një logoped. Kush ka të drejtë ta diagnostikojë autizmin?
Dritare.net

Nga Malvina Tare
Unë e kam ngritur edhe më parë shqetësimin për qendrat e logopedisë pa kriter të hapura nëpër Tiranë. Pa dashur të godas apo etiketoj. E kam përdorur zërin tim për të ndërgjegjësuar, jo për t’u klikuar.
Zbatimi i ligjit në vendin tonë është një deficit në çdo aspekt, nuk zbatohet në asnjë fushë.
As në një fushë kaq delikate siç është zhvillimi i fëmijëve.
Ka shumë fëmijë në 5 vitet e fundit që shfaqin së pari vonesën në të folur e më pas probleme të tjera të zhvillimit. A ka studime?
Në çdo pallat në Tiranë ka një furrë buke, një lokal, një farmaci dhe një logoped.
Çfarë po ndodh? Janë thjesht hapësira klienteliste? Janë hapësira që plotësojnë mungesën e hapësirave të shëndetshme urbanistike për zhvillimin dhe lojën e fëmijëve? A është një derivat i mungesës urbanistike që ka Tirana? A është kjo situatë edhe në rrethe?
Dhe pyetja më e rëndësishme: A janë vërtet të gjithë këta fëmijë me autizëm? Edhe nëse janë, në çfarë shkalle?
Sipas të dhënave të publikuara në vitin 2025, Shqipëria ka një problem serioz: nuk disponon një regjistër kombëtar të unifikuar që të tregojë numrin e saktë të fëmijëve të diagnostikuar me autizëm.
Si mund të flasim për një rritje të rasteve të autizmit, kur Shqipëria nuk disponon ende një regjistër kombëtar të saktë të fëmijëve të diagnostikuar?
Si mund të kuptojmë përmasat reale të këtij fenomeni, nëse nuk kemi statistika të unifikuara, studime epidemiologjike dhe të dhëna të besueshme?
Dhe pyetja bëhet edhe më e rëndësishme: Kush kontrollon nëse diagnoza është e saktë?
Nëse kemi një diagnozë, duhet të jemi të sigurt se ku e marrim. Te edukatorja? Te gjyshja? Te tezja, halla, fqinja?
Po logopedi, a e ka të drejtën e diagnostikimit në një shtet me rregulla e ligje?
Në Itali, jo! Duhet të kalosh në njëmijë filtra! Dhe diagnozën ta jep vetëm mjeku i shtetit, neuropsikiatri infantil. Sepse shteti duhet të jetë i sigurt. Ashtu siç mund të japë një diagnozë tjetër, mjeku bën gati recetën, por në rastin e autizmit nuk bëhet fjalë vetëm për ilaçe tri herë në ditë, supë e çaj. Bëhet fjalë për qindra orë mbështetjeje dhe terapie në shtëpi, në shkollë, në kopsht, në ambientet jashtë familjes, sepse shteti kujdeset për dinjitetin dhe zhvillimin e fëmijës.
Kam dëgjuar prindër që kanë marrë kredi në Shqipëri për të mbështetur nevojat e fëmijës. A duhet të ndodhë kjo?
Marrëdhënia me terapistin është krejtësisht private, pra askush nuk kontrollon se ku është ky fëmijë me zhvillimin?
Do të këshilloja me gjithë zemër çdo prind që së pari t'u drejtohet strukturave shtetërore. Eksperienca e terapistëve të shtetit, që kanë vite që trajtojnë këto problematika, është shumë herë më e lartë, po ashtu edhe përgjegjësia e tyre.
E megjithatë, mungesa e hapësirave për të gjitha familjet detyron shumë prindër t'i drejtohen privatit, por duhet bërë kujdes, sepse edukimi dhe aq më tepër qasja ndaj një diagnoze të tillë kërkojnë shumë përkushtim, profesionalizëm dhe bashkëpunim si nga prindi, ashtu edhe nga terapistja. Është një lojë në grup, nuk ka vend për akuza. Ka vend për përgjegjësi, transparencë dhe mbi të gjitha kujdes ndaj fëmijës./dritare.net