
Nga Vasil Merko
Shqipja, gjuha që ma mësuan im atë dhe ime më.
Kam ikur nga Shqipëria shumë i vogël, dy apo tre vjeç. Praktikisht, kujtimet e mia
të fëmijërisë fillojnë në Greqi. Atje shkova në kopsht, në shkollë dhe më pas në universitet. I gjithë arsimimi im ka qenë në gjuhën greke.
Shqipen ma mësuan prindërit e mi.
Në shtëpi, im atë dhe ime më flisnin shqip me ne. Ishte gjuha e familjes, edhe pse jashtë saj e gjithë jeta ime zhvillohej në greqisht. Babai, megjithatë, nuk donte që vetëm ta flisja. Donte që të mësoja edhe ta lexoja e ta shkruaja. Kur hyra në klasë të parë, krahas librave të shkollës greke, më solli abetaren shqipe. Pastaj librin e leximit. Dhe kështu vazhdoi vit pas viti.
Unë kundërshtoja.
“Pse duhet të bëj shqip? Fëmijët e tjerë janë duke luajtur. Pse duhet të rri unë të shkruaj e të lexoj? Unë nuk do të jetoj në Shqipëri. Ç’më duhet?” Për një fëmijë ishte krejt e logjikshme. Jeta ime, shkolla dhe shokët e mi ishin në Greqi. Bota që njihja ishte ajo.
Babai më përgjigjej me një fjali që atëherë nuk e kuptoja:
“Nuk është e thënë që do të kthehesh në Shqipëri. Por shqipja do të të duhet. Sot jemi në Greqi, nesër s’jemi.”
Sot, pas kaq vitesh, ajo fjali ka një kuptim krejt tjetër.
Nuk u ktheva të jetoja në Shqipëri, siç i thosha atëherë. Por ika nga Greqia. Sot jetoj në Gjermani. Dhe shqipja, ajo gjuhë për të cilën dikur ankohesha se më merrte kohë nga loja, është pjesë e pandashme e jetës sime. E flas dhe e shkruaj çdo ditë. Komunikoj me shqiptarë dhe njohja e saj është sot edhe një nga boshtet e punës sime. Ndonjëherë pyes veten: çfarë e bënte babanë tim aq largpamës?
Ai nuk merrej me teori mbi dygjuhësinë apo identitetin e brezit të dytë. Ishte një emigrant shqiptar që punonte deri në 15 orë në ditë, në punë të rënda, për të mbajtur familjen. E megjithatë, gjente kohë të ulej me mua, të hapte abetaren dhe të duronte kundërshtimet e një fëmije që donte vetëm të dilte jashtë e të luante. Sot e kuptoj atë këmbëngulje. Prindërit e mi po kujdeseshin që të mos humbnim gjuhën tonë.
Nëna e mbante gjallë çdo ditë në familje, ndërsa babai këmbëngulte që të mësoja edhe ta lexoja e ta shkruaja. Ndoshta nuk e dinin se ku do të na çonte jeta. Por kishin kuptuar diçka të
thjeshtë: Vendet mund të ndryshojnë. Gjuhën e merr me vete.
Një histori që nuk është vetëm e imja
Historia ime është njëra nga shumë histori të fëmijëve shqiptarë të emigracionit. Shumë prej nesh u rritëm në Greqi, Itali, Gjermani, Zvicër e gjetkë, ndërsa shqipen e mësuam kryesisht në shtëpi. Nga prindërit, nga gjyshërit, nga të afërmit, nga pushimet në Shqipëri dhe nga librat që prindërit na vinin përpara, ndonjëherë edhe kur ne nuk donim.
Ata mund të mos kishin shumë mjete apo kohë. Shumë punonin me orë të gjata vetëm për të mbajtur familjen. Por kishin kuptuar se gjuha e vendit ku jetonim ishte kudo rreth nesh. Shqipja ishte në shtëpi. Sot, kur kujtoj veten para abetares, do të doja t’i thosha atij fëmije vetëm një gjë:
“Lexoje. Një ditë do ta kuptosh pse.”
Sepse babai kishte të drejtë.
Jeta më çoi nga Shqipëria në Greqi dhe më pas në Gjermani. Gjatë rrugës mora greqishten, më pas gjermanishten, por shqipja mbeti gjuha e familjes dhe e një pjese të identitetit tim. Nga Shqipëria në Greqi. Nga Greqia në Gjermani. Shqipja erdhi me mua.
Prandaj, kur dëgjoj sot një fëmijë shqiptar të lindur jashtë që flet shqip, edhe me gabime apo me theks, më vjen mirë. E di sa shumë mund të bëjë familja që ajo gjuhë të mos humbasë. Foluni shqip fëmijëve. Jepuni një libër. Lexoni me ta. Por mos ua ktheni gjuhën në nbarrë. Sepse ndoshta një ditë do t’ju pyesin, ashtu siç pyesja edhe unë:
“Ç’më duhet shqipja?”
Atëherë mund t’u thoni atë që më thoshte im atë:
“Sot jemi këtu. Nesër nuk e dimë ku do të jemi.” Unë atëherë nuk e kuptoja. Sot e kuptoj./dritare.net