Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Më shumë na duan plakat e Italisë se burrat tanë në shtëpi

Nga Malvina Tare

Prej pak vitesh jam zhvendosur në shtetin fqinj, për arsye familjare. Siç është e natyrshme, këtu komuniteti shqiptar është i pranishëm kudo dhe, për shkak të rrethanave, më së shumti më bie rasti të takoj gra shqiptare, shumë prej të cilave prej vitesh punojnë dhe jetojnë në emigracion.

Duke marrë shkas edhe nga intervista e fundit në Dritare, ku shkrimtarja Adelina Mamaqi, në një rrëfim të ndjerë, tregoi peripecitë dhe vështirësitë e emigrimit, mendova gjatë për historitë që dëgjoj këtu.

Pothuajse të gjithë shqiptarët që kanë jetuar me vite në Itali tregojnë për vështirësitë e fillimit. Përballjen me racizmin, përbuzjen, paragjykimet. Për faktin se vinin nga një vend që për shumë italianë i përkiste një bote të varfër e të pazhvilluar. Tregojnë për punët e vështira, për orët e gjata dhe përpjekjet e pafundme për të zënë vend në një shoqëri të re.

Dhe, në të vërtetë, me shumë mund, me ndershmëri e këmbëngulje, shqiptarët ia kanë dalë. Kanë ndërtuar jetën e tyre, kanë siguruar të ardhura dhe mirëqenie për fëmijët, kanë ndihmuar prindërit e moshuar, vëllezërit e motrat në Shqipëri dhe kanë qenë për vite me radhë një mbështetje e madhe për familjet e tyre.

Por ka diçka tjetër, shumë më të dhimbshme, që del në pah kur këto gra flasin pas kaq shumë vitesh emigracion.

Edhe pse tashmë jetojnë prej kohësh në një shoqëri europiane, edhe pse kanë punuar, janë integruar, kanë parë një tjetër mënyrë jetese dhe kanë fituar një pavarësi ekonomike që dikur ndoshta nuk e kishin, brenda shumë familjeve shqiptare duket se kanë mbetur ende të gjalla disa nga mentalitetet e vjetra.

Dhe, në shumë raste, janë gratë ato që e paguajnë çmimin.

Ka gra që punojnë gjithë ditën, kujdesen për fëmijët, mbajnë shtëpinë dhe në fund të ditës përballen me një tjetër realitet brenda mureve të shtëpisë së tyre. Për disa, lodhja e burrit shoqërohet me alkool. Për të tjera, me fyerje, presion psikologjik, kontroll, poshtërim e, në rastet më të rënda, edhe me dhunë fizike.

Ka gra që nuk kanë përjetuar dhunë fizike, por që çdo ditë përballen me një formë tjetër përçmimi, nënvlerësimi, indiference, me mungesën e respektit dhe ndjenjën se në shtëpinë e tyre janë gjithmonë një hap më poshtë.

Gra që punojnë në një vend europian, fitojnë vetë paratë e tyre, kujdesen për të moshuar, për shtëpi e familje të tjera, ndërsa në shtëpinë e tyre vazhdojnë të jetojnë sipas rregullave të një realiteti që duket sikur ka mbetur pas tridhjetë vitesh.

Ndonjëherë duket sikur, brenda disa familjeve, koha ka ndaluar.

Sikur këto gra të mos jetonin në Itali, në zemër të Europës, por në një nga ato zona të thella të Shqipërisë ku dikur gruaja duhej të duronte, të heshtte, të bindej dhe të mos kërkonte shumë.

Është një kontrast i dhimbshëm: jashtë shtëpisë jetojnë në një shoqëri që u ka mësuar se gruaja mund të punojë, të jetë e pavarur, të ketë të drejta, të flasë, të vendosë për jetën e saj. Por sapo mbyllet dera e shtëpisë, ende peshojnë mentalitete të vjetra.

Po, është e vërtetë. Dhe është një e vërtetë shumë e trishtë.

Jam shokuar kur kam dëgjuar histori të tilla nga gra që prej vitesh punojnë pa u lodhur, shpesh në punë të rënda fizike, duke u kujdesur për të moshuar, për shtëpi e familje të huaja. Gra që punojnë “si kuajt”, siç thonë vetë me shaka, ndërsa kur kthehen në shtëpinë e tyre, në vend të paqes, gjejnë frikën, heshtjen ose përçmimin.

Gra që mund të jenë të pavarura në punë, por ndihen të varura në jetën e tyre familjare. Gra që, për shkak të fëmijëve, mungesës së mbështetjes, pamundësisë ekonomike apo frikës nga e nesërmja, zgjedhin të durojnë.

Dhe këtu vjen ironia më e hidhur.

Paqen, ngrohtësinë dhe respektin që nuk e gjejnë gjithmonë në shtëpinë e tyre, disa prej këtyre grave e gjejnë në shtëpitë e të moshuarave për të cilat punojnë.

“Më shumë na duan plakat e Italisë se burrat tanë në shtëpi”, shprehen shpesh me shaka.

Por sa e dhimbshme është kjo shaka.

Sepse pas saj fshihet një realitet që nuk ka asgjë për të qeshur.

Ato plaka, që ndoshta në fillim i kanë parë thjesht si punëtore që vijnë t’u shërbejnë, me kalimin e kohës bëhen për shumë prej këtyre grave një lloj strehe emocionale. U japin rroba, ushqime, ndonjë dhuratë të vogël, një kafe, një përqafim. Por mbi të gjitha u japin diçka që ndonjëherë mungon edhe në shtëpinë e tyre: një fjalë të mirë.

Një “brava”, një “faleminderit”, një “sa shumë punon”, një “pa ty nuk do t’ia dilja”.

Fjalë të vogla, por që për një grua të lodhur mund të kenë peshën e një bote të tërë.

Sepse njeriu nuk jeton vetëm me bukë, rrogë dhe një çati mbi kokë. Ka nevojë edhe të ndihet i vlerësuar. Ka nevojë të dëgjojë se puna e tij ka rëndësi. Ka nevojë të ndiejë se dikush e sheh, e dëgjon dhe e respekton.

Dhe ndoshta kjo është pjesa më e dhimbshme e gjithë kësaj historie: që disa gra shqiptare, pasi kanë kaluar vite duke ndërtuar jetën e familjeve të tyre, duke punuar pa u lodhur dhe duke sakrifikuar për të gjithë, në fund të ditës gjejnë më shumë mirësi tek një e moshuar italiane për të cilën kujdesen, sesa tek burri me të cilin ndajnë shtëpinë.

Ndoshta emigracioni ka ndryshuar shumë gjëra. Ka ndryshuar mënyrën si punojmë, si jetojmë, si mendojmë.

Por duket se ende nuk na ka ndryshuar të gjithëve mënyrën se si sillemi me njëri-tjetrin brenda shtëpisë.

Dhe kjo është një plagë për të cilën duhet të flasim. Sepse nuk mjafton të kemi ndërruar shtetin ku jetojmë, nëse brenda mureve të shtëpisë vazhdojmë të jetojmë me mentalitetet e një kohe që duhej ta kishim lënë pas.

Gratë shqiptare kanë bërë një rrugë të gjatë. Kanë punuar, kanë sakrifikuar, kanë mbajtur familje, kanë rritur fëmijë dhe kanë ndihmuar të tjerët të jetojnë më mirë.

Ndoshta ka ardhur koha që edhe në shtëpitë e tyre të marrin atë që prej vitesh ua japin të tjerëve: respektin, mirënjohjen dhe një fjalë të mirë./dritare.net