Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Kur protesta humbet paqen, demokracia nuk fiton kurrë

Kur protesta humbet paqen, demokracia nuk fiton kurrë

Prof. Asoc. Dr. Bledar Kurti

Ka momente kur një shoqëri nuk mund të heshtë. Kur qytetarët ndihen të papërfaqësuar, kur të rinjtë shohin të ardhmen me pasiguri, kur besimi te institucionet dobësohet, protesta bëhet një instrument legjitim i demokracisë. Ajo është mënyra përmes së cilës qytetari i thotë pushtetit: “Na dëgjo”.

Por ekziston një vijë që nuk duhet kaluar. Dhe ajo është dhuna.

Dhuna, në çdo formë të saj, fizike, psikologjike, djegie, goditje, thyerje, vandalizëm, imponim, polarizim, intimidim, demonizim të palës tjetër, etj., nuk ka asnjë lidhje me demokracinë. Dhe, siç ka treguar historia, me të vërtetat dhe qartësinë e saj, asnjë akt dhune nuk ka rezultuar në demokraci, e asnjë revolucion i dhunshëm nuk ka prodhuar qeverisje demokratike. Asnjë.

Protestat e javëve të fundit në Tiranë e kanë sjellë këtë debat në qendër të vëmendjes. Fillimisht me kërkesa të lidhura me arsimin, kostot e studimit, kushtet universitare dhe shqetësime të tjera sociale, një pjesë e protestave u përshkallëzua në përplasje të rëndë e të paprecedentë me policinë, dëmtime të ndërtesave publike e private dhe sulme ndaj institucioneve. Pati djegie në godina qeveritare dhe banka, hedhje gurësh dhe molotov ndaj policisë, dëmtime të bizneseve private, e madje u dogjën edhe flamujt e shteteve pjesëmarrëse në Bienalen Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor në Durrës, e u thyen skulptura e vepra monumentale.

Kjo nuk do të thotë se çdo protestues është i dhunshëm. Përkundrazi. Një nga gabimet më të mëdha do të ishte të identifikohej e gjithë një lëvizje qytetare me veprimet e atyre që zgjedhin dhunën. E drejta për protestë është e drejtë themelore. Por po aq themelore është edhe përgjegjësia individuale për aktet e dhunës.

Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes është më e thellë: a ka ndërtuar ndonjëherë dhuna një demokraci më të fortë?

Historia na jep një paralajmërim të fortë.

Një studim i vitit 2025 nga J. Ammons dhe Sh. Shakya, që analizon ndryshimet revolucionare të regjimeve gjatë periudhës 1950–2022, krahasoi revolucionet e dhunshme me ato jo të dhunshme. Përfundimi i tyre është domethënës: revolucionet e dhunshme nuk patën efekt në përmirësimin e demokracisë. Ndërsa lëvizjet revolucionare jo të dhunshme u shoqëruan me përmirësime në demokracinë liberale, sundimin e ligjit, lirinë e shprehjes, llogaridhënien dhe liritë civile.

Ky nuk është thjesht një argument moral. Është një gjetje empirike.

Edhe një studim tjetër, i botuar nga M. Cervellati, P. Fortunato dhe U. Sunde, arrin në një përfundim të ngjashëm. Duke analizuar proceset e demokratizimit, autorët gjetën se kur kalimi drejt demokracisë shoqërohet me konflikt të dhunshëm, demokracia që del prej tij ka më pak gjasa të ketë një nivel të lartë të lirive civile. Studimi zbuloi se efektet negative të dhunës vazhdojnë gjatë edhe pasi konflikti përfundon.

Kjo duhet të na bëjë të mendojmë thellë edhe për Shqipërinë tonë.

Sepse demokracia nuk është vetëm mundësia për të rrëzuar një qeveri. Demokracia është aftësia për të ndërtuar institucione më të mira pas çdo konflikti politik. Është gjykata që funksionon. Parlamenti që debaton. Universiteti që prodhon dije. Media që vë para përgjegjësisë pushtetin. Policia që respekton ligjin. Qytetari që mund të protestojë pa frikë. E sigurisht, emancipimi i shoqërisë që të bëjë dallimim midis qeverisjes dhe republikës, lirisë individuale dhe asaj ligjore, zërit të zemërimit dhe platformës politike, flamurit të partive dhe flamurit tonë kombëtar.

Nëse protesta bëhet e dhunshme, ajo rrezikon të humbasë pikërisht atë që pretendon të mbrojë: hapësirën demokratike.

Dhuna krijon një logjikë tjetër. Në vend të argumentit vjen përplasja. Në vend të dialogut vjen ultimatumi. Në vend të institucioneve vjen rruga apo bulevardi. Dhe në momentin që rruga apo bulevardi bëhet arbitri i vetëm i politikës, askush nuk mund të garantojë se rezultati do të jetë më demokratik.

Ka edhe një paradoks tjetër.

Një protestë paqësore mund të mbledhë mijëra njerëz rreth një kërkese. Një protestë e dhunshme mund t’i trembë ata. Mund të largojë qytetarët që duan ndryshim, por nuk duan shkatërrim. Mund ta zhvendosë debatin nga arsimi, korrupsioni, papunësia apo drejtësia te gurët, zjarret, dëmtimet dhe përplasjet me policinë. Dhe kështu mesazhi politik humbet.

Kjo nuk do të thotë se përgjegjësia është vetëm e protestuesve. Një demokraci funksionale kërkon edhe nga shteti maturi, proporcionalitet dhe respekt të plotë për të drejtën e tubimit. Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Gjermania etj., kanë bërë thirrje për përmbajtje dhe kanë dënuar përshkallëzimin e dhunshëm, ndërsa kanë kërkuar gjithashtu reagim proporcional nga autoritetet.

Pra, standardi duhet të jetë i njëjtë për të gjithë: as dhunë nga protestuesit, as tejkalim proporcionaliteti nga shteti. Një shtet demokratik nuk duhet t’i frikësohet protestës. Përkundrazi, duhet ta dëgjojë e të dialogojë me të. Por asnjë turmë në shoqëri demokratike nuk mund të pranojë që zemërimi të kthehet në licencë për shkatërrim.

Protesta më e fortë nuk është ajo që thyen më shumë xhama. Është ajo që bind më shumë qytetarë. Revolucioni më i fuqishëm nuk është ai që djeg një ndërtesë. Është ai që ndryshon mënyrën se si funksionon një shoqëri. Dhe ndryshimi demokratik nuk matet me numrin e gurëve të hedhur, por me numrin e institucioneve që bëhen më të mira.

Shqipëria ka nevojë për protestë. Ka nevojë për kritikë. Ka nevojë për qytetarë që nuk heshtin. Ka nevojë për studentë që kërkojnë më shumë nga shteti. Por mbi të gjitha, ka nevojë për një kulturë politike ku kundërshtari nuk është armik dhe ku protesta nuk kthehet në luftë.

Qëllimi i demokracisë nuk është të fitojë ai që bërtet më fort apo godet më fort. Qëllimi i demokracisë është që ndryshimi të fitojë pa u shkatërruar vendi.

Por ndoshta pasoja më e rëndë e dhunës nuk është vetëm dëmi fizik apo material që ajo shkakton. Është dëmi që i bën vetë strukturës së shoqërisë. Gjatë javëve të fundit kemi arritur në një pikë ku dhuna në protesta dhe gjuha e urrejtjes që e shoqëron kanë filluar të ndajnë miq, familjarë, kolegë, madje edhe njerëz që ndajnë të njëjtin besim dhe të njëjtat vlera. Njerëz që deri dje uleshin në të njëjtën tryezë, sot e shohin njëri-tjetrin si kundërshtarë. Besimtarë që dje i bindeshin urdhërimit të Krishtit “Duaje armikun tënd” befas mxorrën vrer ndaj njërës apo tjetrës palë.

Një polarizim i tillë, i paprecedentë në intensitetin e tij, e zhvendos konfliktin politik nga hapësira publike brenda familjeve, miqësive dhe marrëdhënieve njerëzore. Dhe kur dhuna arrin të prishë edhe lidhjet më të natyrshme njerëzore, atëherë shoqëria ka një problem shumë më të madh se një konflikt mes palëve politike. Demokracia kërkon kundërshtarë që debatojnë, jo njerëz që urrejnë njëri-tjetrin.

E kjo ndasi u pa qartë, dhe është e provuar (përpos dëshmisë time personale) në shumë situata, ndër të cilat kur grupe të maskuara iu afruan xhamave të klasave të nxënësve minorenë të shkollave të mesme e 9-vjeçare, teksa prindërit u alarmuan mbi sigurinë fizike dhe psikologjike të fëmijëve të tyre, ndërkohë që në këtë skenë tmerri një pjesë e shoqërisë dhe portaleve thjesht sehiroseshin nga kafeneja me “like” dhe “share” dhe “komente” si gjithmonë.

Kësaj situate i shtohet edhe një faktor i ri dhe jashtëzakonisht ndikues: algoritmi. Në epokën digjitale, një gënjeshtër mund të udhëtojë më shpejt se e vërteta, një pamje e manipuluar mund të krijojë një realitet të rremë dhe një pretendim i pakonfirmuar mund të përhapet në pak orë përtej kufijve kombëtarë. Algoritmet e platformave sociale, duke favorizuar shpesh përmbajtjen që gjeneron reagime të forta, mund t'i japin më shumë dukshmëri zemërimit, frikës dhe përçarjes sesa argumentit dhe verifikimit. Kështu, gënjeshtrat nuk mbeten më brenda një qyteti apo një vendi, por përhapen në të gjithë Evropën, duke ushqyer mosbesimin, radikalizimin dhe tensionet shoqërore. Në një kontinent që po përballet me konflikte, protesta të dhunshme dhe polarizim politik, kemi një Evropë që duket sikur është në zjarr, jo vetëm nga përplasjet fizike, por edhe nga zjarri i dezinformimit dhe armiqësisë digjitale.

Kësisoj, sot mbrojtja e demokracisë kërkon jo vetëm ruajtjen e rendit publik, por edhe mbrojtjen e së vërtetës, të debatit racional dhe të aftësisë sonë për të dalluar faktin nga manipulimi.

Kur protesta humbet paqen, demokracia nuk fiton kurrë. Sepse demokracia nuk ndërtohet mbi frikën, urrejtjen dhe shkatërrimin, por mbi lirinë, arsyen, respektin dhe përgjegjësinë qytetare.

Është paralajmëruar që dita e nesërme do sjellë sërish flakë në mbarë Evropën, e disa shtete kanë mobilizuar edhe ushtrinë. Çdo njeri duhet të mbajë një qëndrim: me dhunën apo me demokracinë. Të dyja nuk kanë bashkëekzistuar kurrë në histori.

Zgjedhja dhe përgjegjësia është e jotja./dritare.net