Alma, historia e një "prostitute murgeshë"
Dritare.net
Nga Xhensil Shkëmbi
Kjo është Alma, e takova rastësisht së fundmi. Kishte ardhur në një fshat të Ersekës, aty ku u lind e u rrit, siç bën çdo vit. Vjen të kujtojë fëmijërinë e saj, jetën e vështirë dhe fisin e largët që ende jeton në këto zona.
Teksa rastisëm në të njëjtën tavolinë, gruaja e bukur, rreth të 50-ave, me një buzëqeshje të çiltër, sy që vezullonin dhe me disa shprehi të vjetra që ngacmonin tavolinën, më bëri kurioz për ta pyetur për jetën e saj.
-Alma, si përfundove në Itali? Çfarë të lidhte me atë vend?
Asgjë. Rashë në dashuri me një djalë mashtrues. Ai ishte trafikant. Më premtoi jetën e lumtur në Itali. Hipëm në gomone në Vlorë në vitet 90 dhe përfundova në brigjet italiane.
-Kur e kuptove ti që ishte trafikant?
Kur më çoi mes vajzave të tjera shqiptare. Mbi 40 vajza që punonin si prostituta. Kishin krijuar rrjet me vajzat shqiptare. U premtonin jetë të lumtur dhe më pas vetëm kur shkonin aty, e kuptonin vajzat se ishin gënjyer.
-Ti punove prostitutë?
Jo. Unë isha vajzë grifshë që këtej. Isha rritur nëpër ara. Ata të dhunonin për vdekje në qoftë se nuk punoje. Nuk e dija as ku isha.
-E si ja bëre?
U arratisa. Në mesnatë. Por nuk ma hapnin derën. Gjeta vetëm të hapur derën e një konvento, manastiri. U tregova murgeshave për historinë time dhe më pranuan aty. Me veshën si murgeshë. Për 5 vite.
-5 vite ishe murgeshë?
Jo fiks. Isha studente. Duhet të bëje shkollë. Por unë nisa dhe shkollën e infermierisë. Me ndihmen e tyre. Aty gjeta atë që sot kam bashkëshort dhe prind të dy fëmijëve, Sarës dhe Robertos.
-Më pas? Si e pritën murgeshat largimin tënd?
U mërzitën. Por unë sot shkoj i takoj. Janë perënditë e mia në tokë. Më pranuan kur nuk kisha askënd. Me dhanë të haja, më strehuan, më larguan nga vdekja.
-Po atë djalin që të trafikoi? E ke kërkuar?
Jo. Nuk e kthej kokën pas. Thjesht sot, bëj murgeshën edhe unë, në formën time.
-Çfarë do të thotë?
Unë nuk i vesh si murgesha shqiptaret e vuajtura. Ka ende shumë prostituta shqiptare në Itali. Përpiqem t'i ndihmoj. Unë shpëtova se u arratisa. Shumica nuk kanë forcë as të vrapojnë. Madje, vajza ime u bë police. Karabinere. Me qëllim për të ndihmuar gratë që kanë qënë dikur si mami i saj, të pambrojtura.
-Alma, a mund të shkruaj dy rreshta për ty?
Po. Unë nuk para flas për jetën time. Por shkruaj diçka të mirë. Fundja, prostitutat nuk bëhen me qejf. Bëhen nga halli. Edhe murgeshat, për të nxjerrë nga halli.
-Po ti, çfarë je?
Unë jam "prostituta murgeshë". Unë jam ajo që fatin do e kishte rrugëve të errëta të Italisë ndërsa sot shijoj lirinë e familjen time. E sot, unë jam brenda çdo gruaje që do të jetojë jetën e saj në liri të plotë. Ama, kurrë e mashtruar.
-Çfarë u thua vajzave shqiptare kur i takon dhe ndihmon?
Të mos kenë turp nga fatkeqësitë e tyre. Të marrin forcën e të vrapojnë drejt lirisë. Shembulli jam unë. Fundja, e të më vrisnin, të paktën, nuk do thoshin, një prostitutë më pak. Por një grua më tepër që do vdiste për liri...
Shkrim jo me chatgpt. Ersekë 2026.