Modeli i ri i prokurimeve publike! Rama: Dosje virtuale për çdo biznes!
Dritare.net

Nga dokumentet që dorëzojnë bizneset për të marrë pjesë në tender, te fondi limit dhe vlerësimi i ofertave, Diella do të përfshihet në të gjitha hallkat e prokurimit publik. Kryeministri Edi Rama prezantoi modelin e ri të prokurimit publik. Ministritë dhe institucionet qendrore do t’i planifikojnë dhe realizojnë prokurimet përmes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara.
“Për herë të parë, në fazën e diskutimit të buxhetit të vitit të ardhshëm, përfshihet edhe sistemi i ri i prokurimit përmes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, i cili do të shërbejë si mekanizëm në dispozicion të dikastereve qendrore për të planifikuar dhe realizuar në kohë prokurimet publike. Ky është një transformim në funksionimin tërësor të pushtetit ekzekutiv sa i përket eficiencës së prokurimeve. Vëmë në dispozicion të këtij qëllimi një strukturë të specializuar, e cila po integrohet në sistemin europian të prokurimeve dhe po merr ekspertizë të nivelit të lartë nga institucione të ngjashme.
Synimi është që të jetë një model ekselence dhe inovacioni për të gjithë këtë pjesë të botës ku ne jetojmë. Do të kombinojmë arkitekturën ligjore europiane me centralizimin strategjik të sistemit të prokurimit përmes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara dhe me përdorimin e inteligjencës artificiale në analizën e riskut dhe në hartimin e të gjithë dokumentacionit", u shpreh Kryeministri.
Për bizneset, ndryshimi nis që në dorëzimin e ofertës. Dokumentet që sot u duhet t’i mbledhin vetë do të sigurohen përmes Diellës, në një dosje virtuale për çdo kompani. Rama tha se kjo do të ulë kostot dhe do t’i bëjë procedurat më të shpejta e më transparente.
“Sot jemi gati të nisim punën për ndërtimin e sistemit të ri të prokurimit. Një sistem unik, jo vetëm në Shqipëri, por shumë më gjerë, ku inteligjenca artificiale do të flasë gjuhën e çdo grupi interesi që e ka të lidhur aktivitetin e tij me prokurimet publike. Për sipërmarrjen do të ketë shumë më tepër qartësi, shpejtësi dhe transparencë absolute. Po aq e rëndësishme është se do të ketë ulje të kostove dhe eliminim masiv të burokracisë.
Asnjë biznes s’do të mbledhë letra lart e poshtë për të pasur mundësinë të dorëzojë një ofertë për një prokurim publik, pasi gjithçka që lidhet me informacionin për secilin biznes do të kalojë përmes Diellës. Çdo biznes do të ketë një dosje virtuale, me të dhëna nga mbi 40 regjistra publikë, të cilët do të mund të hapen me një klik të vetëm. Kështu do të bëhet e gjithë puna që sot biznesi e bën duke angazhuar njerëz, duke harxhuar kohë dhe duke ndeshur pengesa të natyrave të ndryshme", tha Rama.
Mbikëqyrja e Diellës do të nisë që përpara shpalljes së tenderit, kur përcaktohet fondi limit, dhe do të vijojë pasi bizneset të kenë dorëzuar ofertat.
“Ky do të jetë një revolucion për përcaktimin e fondeve limit, si dhe për mënyrën e shqyrtimit dhe të vlerësimit të ofertave. Të gjitha këto do të jenë nën mbikëqyrjen e Diellës, e cila po përgatitet të ofrojë zgjidhje me algoritme inteligjente për të gjitha hallkat e këtij procesi. Procesi i reformimit dhe i modernizimit të prokurimit publik mbështetet në standardet e transparencës", vijoi Rama.