Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, Gjykata e Tiranës kalon për gjykim dosjen për tre të pandehurit
Dritare.net

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për kalimin në gjykim të dosjes së vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, i cili u qëllua për vdekje më 6 tetor 2025, brenda ambienteve të gjykatës.
Për këtë ngjarje do të përballen me drejtësinë tre të pandehur: Elvis Shkambi, xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, dhe punonjësi i sigurisë së gjykatës, Banush Koxhaj.
Elvis Shkambi akuzohet për vrasjen e funksionarit publik, tentativën e vrasjes së dy personave dhe armëmbajtje pa leje. Xhaxhai i tij akuzohet për vrasje në rrethana të tjera cilësuese, në bashkëpunim, të mbetur në tentativë, ndërsa punonjësi i sigurisë për shpërdorim detyre.
Sipas hetimeve, krimi ndodhi pas një vendimi gjyqësor në disfavor të familjes Shkambi, lidhur me një konflikt pronësie. Elvis Shkambi hapi zjarr në sallën e gjyqit, duke vrarë gjyqtarin Kalaja dhe duke plagosur dy persona të tjerë, Ragip dhe Ervis Kurtaj, babë e bir, të cilët ishin palë kundërshtare në proces.
Me kalimin e dosjes për gjykim, tashmë do të jetë gjykata ajo që do të shqyrtojë provat dhe do të përcaktojë përgjegjësinë penale të secilit të pandehur./dritare.net