Arrestohet ish-ministri gjatë një operacioni antidrogë
Dritare.net

Ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, Astrit Haraqija, është arrestuar gjatë një operacioni antidrogë të zhvilluar të shtunën nga Policia e Kosovës.
Arrestimin e ka konfirmuar avokati i tij, Korab Bokshi, i cili bëri të ditur se Haraqijës i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Gjatë kontrollit në banesën e tij janë sekuestruar telefona dhe një shumë parash, ndërsa sipas avokatit nuk është gjetur asgjë që e lidh me veprën penale.
Haraqija ka mohuar çdo përfshirje në aktivitetin kriminal, duke deklaruar se nuk ka lidhje me personat e tjerë të arrestuar. Mbrojtja e tij ka kundërshtuar masën e ndalimit.
Operacioni antidrogë, i koduar “Heshtja”, çoi në arrestimin e gjashtë personave dhe sekuestrimin e rreth 1.6 kilogramëve kokainë, 16 mijë eurove, automjeteve luksoze, armëve dhe sendeve të tjera.
Astrit Haraqija ka qenë ministër i Kulturës gjatë viteve 2004–2007 dhe zëvendësministër i Financave në vitin 2012./dritare.net