Na ndiqni edhe në

Opinione

Bota sipas Kinës!

Bota sipas Kinës!


Përktheu nga Financial Times: DritareTV

Nga Joe Leahy në Pekin, William Langley në Guangzhou dhe Haohsiang Ko në Hongkong

Këtë javë, në Shenzhen, udhëheqësit botërorë do të përjetojnë nga afër se si mund të jetë jeta në një botë të udhëhequr nga Kina, nëse Shtetet e Bashkuara një ditë heqin dorë nga hegjemonia e tyre dhe rendi liberal ndërkombëtar hyn në një rënie përfundimtare.

Samiti i Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që do të mbahet në qendrën moderne teknologjike të Kinës jugore, do të jetë një nga më të kontrolluarit që kur organizata me 21 anëtarë nisi të zhvillonte takimet e saj në vitin 1989, sipas personave që kanë dijeni për këtë çështje.

Me presidentin amerikan Donald Trump dhe udhëheqësin rus Vladimir Putin që pritet të jenë mes të ftuarve, programi i takimit është shkurtuar ndjeshëm. Ndryshe nga organizimi i zakonshëm i samiteve të tilla, nuk do të ketë takime joformale, ku udhëheqësit të mund të bashkëbisedojnë lirshëm me njëri-tjetrin.

Në vend të kësaj, udhëheqësve do t'u duhet të udhëtojnë për 20 minuta për të zhvilluar takime dypalëshe me mikpritësin e tyre, presidentin kinez Xi Jinping, në vilën madhështore Kylin, një rezidencë shtetërore pritjeje e vendosur mes kodrave të gjelbëruara, pranë parkut safari të tigrave në Shenzhen, sipas personave që kanë dijeni për organizimin, përcjell dritare.net

Ky forum, me një program shumë të reduktuar, për të cilin diplomatët ankohen se duket i projektuar për të kufizuar diskutimet e lira që karakterizonin edicionet e mëparshme, zhvillohet në një kohë kur Pekini po e paraqet gjithnjë e më shumë veten si qendrën e sistemit shumëpalësh, duke mbushur boshllëkun e udhëheqjes të lënë nga Shtetet e Bashkuara nën administratën Trump.

Vitin e kaluar, presidenti Xi nisi të ashtuquajturën “Nisma për qeverisjen globale”, një propozim diplomatik për krijimin e një sistemi ndërkombëtar “më të drejtë dhe më të barabartë”, duke kundërshtuar “të gjitha format e unilateralizmit, hegjemonisë, dominimit nga një numër i vogël vendesh dhe politikës së blloqeve”, një kritikë e drejtuar ndaj Shteteve të Bashkuara.

Por, ndërsa analistët kinezë përshëndesin përpjekjet në rritje të Pekinit për të ndryshuar rendin botëror, në mënyrë që ai të përfaqësojë më mirë vendet në zhvillim, të njohura së bashku si Jugu Global, analistët dhe diplomatët perëndimorë vënë në pikëpyetje nëse versioni kinez i multilateralizmit përputhet me kuptimin e zakonshëm të këtij termi.

Takimi i APEC-ut në Shenzhen, i pari që mbahet në Kinë që nga viti 2014, është një ilustrim i mirë i mënyrës se si Kina thekson pamjen e harmonisë globale, ndërkohë që zvogëlon hapësirën për debat të mirëfilltë ndërkombëtar dhe vendimmarrje të përbashkët, thonë ata.

Ndërsa mbron idenë e një bote shumëpolare, Kina, sipas tyre, është e përqendruar plotësisht te konkurrenca mes fuqive të mëdha. Për shembull, pjesa më e rëndësishme e takimit të APEC-ut pritet të jetë një takim i mundshëm trepalësh mes Xi-së, Putinit dhe Trump-it, si dhe një takim dypalësh mes udhëheqësve amerikanë dhe kinezë, i treti që nga maji.

Bota sipas Kinës!
Udhëtarët mbushin stacionin e metrosë Gangxia North gjatë orës së pikut të mëngjesit në Shenzhen. Qyteti pret këtë javë një samit me pjesëmarrjen e udhëheqësve amerikanë, kinezë dhe rusë në kuadër të forumit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor. © Qilai Shen/Bloomberg

Mesazhi themelor është se Kina do të jetë një lloj tjetër fuqie hegjemonike nga Shtetet e Bashkuara. Ajo dëshiron të ruajë institucionet shumëpalëshe, si Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Organizata Botërore e Tregtisë, por analistët perëndimorë argumentojnë se synon t'i formësojë ato sipas sistemit të saj leninist, ku rregullat vendosen nga lart-poshtë prej udhëheqësve të Partisë Komuniste.

“Kina është mjaft e vendosur të bëhet fuqia udhëheqëse në Azi dhe një nga fuqitë kryesore në skenën botërore”, thotë Ryan Hass, drejtor i Qendrës John L. Thornton për Kinën në Institutin Brookings. “Ajo pret dhe kërkon që të tjerët t'i nënshtrohen vullnetit të saj për çështjet që i konsideron interesa thelbësore dhe dëshiron të zbrazë nga përmbajtja thelbin liberal të rendit ndërkombëtar.”

Por, ndërsa Kina po vendos gradualisht themelet e këtij rendi të ri, duke kërkuar mbështetjen e vendeve në zhvillim dhe duke shfrytëzuar fuqinë e saj të madhe tregtare, suksesi i saj nuk është aspak i garantuar. Edhe nëse Shtetet e Bashkuara do të ishin të gatshme të hiqnin dorë nga dominimi i tyre, nuk është aspak e qartë nëse vetëm fuqia ekonomike do t'i jepte Pekinit pushtet hegjemonik.

Megjithëse Kina ka një nga ushtritë më të mëdha në botë, ajo duket se nuk është e gatshme të projektojë fuqinë e saj ushtarake përtej rajonit të afërt apo të luajë një rol vendimtar në zgjidhjen e konflikteve gjeopolitike jashtë kufijve të saj, thonë analistët. Ajo dëshiron të përdorë institucionet ndërkombëtare, si OKB-ja, për të ndryshuar rregullat në përputhje me axhendën e saj, por në këtë fazë duket se nuk është e gatshme të investojë në të mirat publike globale, si siguria ndërkombëtare, në të njëjtën mënyrë si Shtetet e Bashkuara apo fuqitë e mëparshme hegjemonike.

“Ambiciet e Kinës po bëhen padyshim gjithnjë e më të qarta. Por mendoj se mbetet ende një pyetje e hapur nëse ajo do të jetë në gjendje t'i realizojë”, thotë Hass.

Në pamje të jashtme, Partia Komuniste shfaq një vetëbesim të jashtëzakonshëm për pozitën e saj globale.

Pas plenumit të pestë muajin e kaluar, një mbledhje e Komitetit Qendror të fuqishëm të partisë, një takim studimor në Ministrinë e Jashtme shpjegoi mësimet që Kina kishte për pjesën tjetër të botës.

“Ne duhet të zhvillojmë në mënyrë aktive propagandën e jashtme... të demonstrojmë plotësisht imazhin e lavdishëm dhe staturën fisnike të Sekretarit të Përgjithshëm Xi Jinping si një udhëheqës i klasit botëror i një partie të madhe dhe i një vendi të madh”, thuhej në një deklaratë për takimin. “Ta nxisim komunitetin ndërkombëtar... të ‘shohë nga Lindja’, të ‘mësojë nga Kina’ dhe të ‘mësojë nga partia’.”

Që kur erdhi në pushtet si sekretar i përgjithshëm në vitin 2012, Xi ka ndjekur atë që analistët e quajnë një politikë të jashtme më këmbëngulëse, duke braktisur strategjinë e paraardhësve të tij, të njohur si “fshihu dhe prit”, e cila synonte të minimizonte fuqinë dhe ambiciet në rritje të Kinës, për të shmangur alarmimin e kundërshtarëve në Perëndim.

Analistët përmendin disa zhvillime që shënojnë këtë qëndrim të ri, më të vendosur, që nga shtimi i stërvitjeve ushtarake kineze përreth Tajvanit dhe ndërtimi i ishujve artificialë në Detin e Kinës Jugore, deri te përplasja ekonomike me Shtetet e Bashkuara.

Kjo arriti kulmin kur Pekini përdori kontrollet mbi eksportet e metaleve të rralla, thelbësore për industrinë prodhuese, për ta detyruar Trumpin të ndalte luftën e tij tregtare vitin e kaluar. Ky ishte një sukses që shumë njerëz në Kinë e konsideruan si dëshmi se vendi ishte bërë i barabartë me Shtetet e Bashkuara, të paktën në aspektin ekonomik.

Por, në kontrast me retorikën e fortë të Pekinit, studiuesit në Kinë zhvillojnë një debat më të nuancuar mbi llojin e fuqisë që duhet të jetë vendi dhe mënyrën se si duhet të konkurrojë me Shtetet e Bashkuara.

Në një studim të 100 artikujve akademikë kinezë, të realizuar nga Jing Men, e Universitetit Normal të Kinës Lindore në Shangai, dhe të botuar në librin The Transatlantic Community and China in the Age of Disruption: Partners, Competitors, Rivals (Komuniteti transatlantik dhe Kina në epokën e trazirave: Partnerë, konkurrentë, rivalë), analistët kinezë thonë se Kina nuk dëshiron të përballet drejtpërdrejt me Shtetet e Bashkuara apo të përmbysë plotësisht sistemin ekzistues ndërkombëtar, nga i cili ajo ka qenë një ndër përfitueset kryesore.

Bota sipas Kinës!
Megjithëse Kina ka një nga ushtritë më të mëdha në botë, ajo duket se nuk është e gatshme të projektojë fuqinë e saj ushtarake përtej rajonit të afërt. © Tingshu Wang/Reuters

Ajo që Kina dëshiron është të “ushtrojë më shumë ndikim në vendimmarrjen ndërkombëtare”, shkruan Jing.

Në të njëjtën kohë, pushtimi rus i Ukrainës ka “forcuar ndjesinë e konkurrencës ideologjike mes shteteve demokratike dhe atyre autoritare”, shkruan Jing, duke bërë që Kina të përballet me “më shumë sfida” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Për dekada të tëra, mendimi kinez mbi diplomacinë ndërkombëtare është përcaktuar nga ajo që disa studiues vendas e quajnë amerikanocentrizëm, pra përqendrimi te konkurrenca me Shtetet e Bashkuara, dhe sinocentrizëm, besimi i rrënjosur në epërsinë dhe veçantinë e Kinës.

Një studim i vitit 2008 mbi çështjet e politikës kineze, për shembull, nxirrte në pah një mënyrë të menduari të tipit: “Nëse Amerika bie, kush tjetër përveç nesh mund të udhëheqë?”. Studimi, i shkruar nga Tang Shiping i Universitetit Fudan dhe Qi Dapeng i Universitetit të Mbrojtjes Kombëtare të Ushtrisë Çlirimtare Popullore, dhe i ribotuar nga Pekingology, paralajmëronte kundër një mentaliteti “G2”, ku Kina dhe Shtetet e Bashkuara përpiqen ta drejtojnë botën mes tyre.

Por kjo ide është rishfaqur si në Kinë, ashtu edhe jashtë saj, pas uljes së tensioneve mes Trumpit dhe Xi-së vitin e kaluar.

Trampizmi po e “zhvendos më tej... qendrën e gravitetit të konkurrencës mes fuqive të mëdha drejt... një strukture të ashtuquajtur ‘G2 de facto’”, shkruanin Zheng Yongnian, i Universitetit Kinez të Hongkongut në Shenzhen, dhe Sun Yixin, i Akademisë së Shkencave Sociale të Shangait, në një studim të kohëve të fundit.

Përgjigjja e Xi-së ndaj tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga sistemi ndërkombëtar që ato krijuan pas Luftës së Dytë Botërore është Nisma për Qeverisjen Globale, krahas nismave të tjera të një serie që përfshin zhvillimin ndërkombëtar, sigurinë dhe qytetërimin.

Nisma për qeverisjen mbështet një rend më të mirëfilltë shumëpolar, thotë Yu Jie, studiuese e lartë për Kinën në Chatham House. Ajo e ruan OKB-në si institucionin qendror të qeverisjes ndërkombëtare, por njëkohësisht u jep vendeve në zhvillim të Jugut Global, që nuk janë të rreshtuara në blloqe, më shumë ndikim në përcaktimin e rregullave dhe përparësive.

“Kina nuk është në të vërtetë një fuqi e re hegjemonike botërore”, sipas modelit të Shteteve të Bashkuara, thotë Yu. Ajo shpjegon se SHBA-ja ka promovuar aleanca të hapura ushtarake dhe marrëdhënie ekonomike “të pandërprera” mes partnerëve, ndërsa Kina argumenton se dëshiron “të përcaktojë mënyrën se si luhet loja” dhe të ketë një zë më të fuqishëm “në përcaktimin e institucioneve ndërkombëtare”.

Në Forumin e Nismës për Qeverisjen Globale, muajin e kaluar në Xiong'an, qytetin utopik të Xi-së që po ndërtohet pranë Pekinit, ministri i Jashtëm Wang Yi e lidhi drejtpërdrejt APEC-un dhe reformën e OKB-së me këtë nismë.

Bota sipas Kinës!
Terminali i kontejnerëve Longtan në portin e Nanjingut, në provincën Jiangsu të Kinës lindore. Pekini përdori kontrollet mbi eksportet e metaleve të rralla për ta bindur Donald Trumpin të ndalte luftën e tij tregtare vitin e kaluar. © CN-STR/AFP/Getty Images

Ai paraqiti gjithashtu një listë fushash të tjera ku kërkohej më shumë “qeverisje”, përfshirë hapësirat ndërkombëtare detare, shtratin e detit, hapësirën kozmike dhe rajonet polare. Ai tha gjithashtu se Kina dëshiron të ndryshojë “qeverisjen globale të të drejtave të njeriut”, duke e vendosur “zhvillimin” si një “përparësi të lartë”. Kina prej kohësh e ka kundërshtuar theksin që Perëndimi vendos mbi të drejtat individuale civile dhe politike, si dhe mbi standardet universale të të drejtave të njeriut. Ai tha se Kina do të organizonte një seminar për të ndihmuar “vendet e tjera në zhvillim në ngritjen e kapaciteteve”, sipas këndvështrimit të saj për të drejtat e njeriut.

Përveç organizmave si APEC-u dhe OKB-ja, ku Kina mobilizon Jugun Global përmes grupit G77 të vendeve në zhvillim, Pekini përdor gjithashtu grupime shumëpalëshe joperëndimore, si BRICS-i, grupi i ekonomive në zhvillim, për të ushtruar ndikim.

Shumëllojshmëria e madhe e këtyre organizatave, të cilat përfshijnë edhe vende rivale si India, e bën të vështirë që ato të bashkohen në praktikë rreth politikave konkrete. Por grupime të tilla i mundësojnë Kinës të grumbullojë ndikim të mjaftueshëm për t'i detyruar vendet e tjera t'i përvetësojnë përparësitë e saj themelore, si pretendimi i saj mbi Tajvanin, thotë Jon Czin i Institutit Brookings, ish-drejtor për Kinën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

“Ata duan të kenë aq shumë fuqi, sa të mos kenë nevojë as t'u komunikojnë vendeve të tjera se cilat janë interesat e Kinës. Duan që vendet t'i përvetësojnë preferencat e Kinës dhe të vetëcensurohen”, thotë ai.

Për më tepër, edhe vetë shfaqja e unitetit është e rëndësishme për Kinën.

“Me multilateralizmin ose organizatat shumëpalëshe, ajo që kinezët po përpiqen të krijojnë është imazhi i Kinës si përfaqësuese e Jugut Global. Ose imazhi se Kina vazhdon të kujdeset për këndvështrimin e Jugut Global, ndërkohë që fuqitë e tjera të mëdha, në thelb, po veprojnë nëpër botë pa marrë parasysh të tjerët”, thotë Yun Sun, drejtoreshë e programit për Kinën në institutin kërkimor Stimson Center, me seli në Uashington.

Vendet në zhvillim kanë qenë gjithashtu përfitueset më të mëdha të “të mirave publike” globale që Kina i ka ofruar botës. Programi i saj “Një brez, një rrugë” ka sjellë investime prej më shumë se 1 trilion dollarësh në infrastrukturën e transportit, energjisë dhe sektorë të tjerë. Ndërsa Pekini akuzohet se i ka futur vendet përfituese në një kurth borxhesh, disa mbështetës argumentojnë se shumë prej këtyre vendeve, në të kundërt, nuk do të kishin marrë investime kaq të mëdha.

Megjithëse shpenzimet në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë” nuk janë më në nivelet e mëparshme, Kina nisi këtë vit një program të ri për të ndihmuar vendet në zhvillim në fushën e inteligjencës artificiale, duke ofruar trajnimin e mijëra njerëzve nga Jugu Global për përdorimin e modeleve të saj, përmes krijimit të “qendrave ndërkombëtare të bashkëpunimit për aplikimet”.

“Nëse Kina arrin ta paraqesë veten si udhëheqëse të asaj që ajo e quan shumica globale, atëherë do të ketë arritur të ribalancojë marrëdhëniet globale, duke i larguar nga rendi ndërkombëtar i pas Luftës së Dytë Botërore, i cili është disi i ndërtuar në favor të demokracive liberale, drejt një sistemi ku Kina ndihet shumë më rehat”, thotë Hass i Institutit Brookings.

Megjithëse statusi i Kinës si superfuqi ekonomike dhe tregtare është i padiskutueshëm, të tjerë thonë se ambicia e Pekinit për të ndërtuar një rend të ri botëror me Kinën në qendër ka ende shumë rrugë për të bërë.

Përveç nismës “Një brez, një rrugë”, nismat e saj të politikës globale shoqërohen me pak investime konkrete, thonë analistët. Kjo është ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, të cilat, për mirë apo për keq, e mbështetën vizionin e tyre për rendin botëror me Planin Marshall, sistemin financiar të bazuar te dollari amerikan, aleancat e sigurisë, sasi të mëdha ndihme ndërkombëtare dhe forma të tjera angazhimi.

“Ndërsa Kina po e paraqet gjithnjë e më shumë veten si kampione të reformës së qeverisjes globale dhe mbrojtëse të multilateralizmit, ajo vazhdon të ngurrojë të angazhojë atë shkallë burimesh financiare që historikisht është lidhur me udhëheqjen globale”, thotë Yu e Chatham House në një studim të kohëve të fundit.

Disa vënë gjithashtu në pikëpyetje nëse Pekini është i gatshëm apo i aftë ta projektojë fuqinë e tij për t'i ofruar botës më shumë stabilitet gjeopolitik.

“Nëse do të duhej ta përmblidhnim me një slogan mënyrën se si do të silleshin ata, nëse do të bëheshin ndonjëherë fuqia hegjemonike, ai do të ishte: pushtet pa përgjegjësi”, thotë Czin i Institutit Brookings.

Ai thotë se seria e nismave që Xi ka ndërmarrë gjatë viteve të fundit është “dekorative”, ndërsa politika e bazuar te interesat dhe raportet reale të forcës përcakton veprimet e Pekinit kur bëhet fjalë për zona ku zhvillohen konflikte të armatosura.

Për shembull, sa i përket Ukrainës, Kina nuk e ka dënuar kurrë pushtimin në shkallë të plotë nga Rusia, pavarësisht se këmbëngul që vendet të respektojnë Kartën e OKB-së, e cila mbron sovranitetin kombëtar. I njëjti pasivitet mund të vërehet edhe në rastin e Iranit, ku Kina ka pasur pak ndikim të dallueshëm në negociatat për arritjen e paqes.

Bota sipas Kinës!
Ndërtesat e zyrave mbushin horizontin e distriktit qendror të biznesit Nanshan në Shenzhen. Takimi i APEC-ut është një ilustrim i mirë i mënyrës se si Kina thekson pamjen e harmonisë globale, ndërkohë që kufizon hapësirën për debat të mirëfilltë ndërkombëtar. © Tingshu Wang/Reuters

“Ata janë thjesht shumë të përqendruar te interesat e tyre të ngushta”, thotë Czin.

Studiuesit në Pekin kundërshtojnë duke argumentuar se Kina, në fund të fundit, nuk e ka fuqinë për t'u dhënë fund këtyre konflikteve. Ata përmendin përpjekjet e pafrytshme të Trumpit që nga ardhja e tij në pushtet për të ndalur luftën në Ukrainë, si dhe përplasjen e tij me Iranin.

Czin shton se politika më pasive e Pekinit ndaj konflikteve globale ndoshta po i shërben mirë Kinës. Si superfuqia e dytë, ajo nuk ka nevojë të marrë përsipër përgjegjësi shtesë dhe mund t'i lejojë Shtetet e Bashkuara të bëjnë gabime, ndërkohë që vetë grumbullon ndikim.

“Ata janë të kënaqur duke arritur fitore të vogla dhe të ndërmjetme”, thotë ai, duke përdorur një term nga bejsbolli për fitore të vogla e graduale. “Efekti që kjo ka me kalimin e kohës është se gërryen pak nga pak avantazhet e Shteteve të Bashkuara”, pa shkaktuar një reagim të dhunshëm nga Uashingtoni, thotë ai.

Ideja, në planin afatgjatë, është të krijohet një sistem ndërkombëtar me elemente të tianxia, që do të thotë “gjithçka nën qiell”. Ky është koncepti historik sipas të cilit, kur perandoria kineze ishte e pasur, e fuqishme dhe teknologjikisht më e përparuar, vendet e tjera natyrshëm i nënshtroheshin autoritetit të saj dhe i drejtoheshin asaj për udhëzim. Kështu argumentojnë Steven Tsang dhe Olivia Cheung në librin e tyre të ri, China’s Global Strategy Under Xi Jinping (Strategjia globale e Kinës nën Xi Jinping).

APEC-u, pra, ofron pikërisht atë lloj forumi shumëpalësh ku Kina mund ta vërë në praktikë qasjen e saj ndaj hegjemonisë, duke predikuar doktrinën e saj të shumëpolaritetit, ndërkohë që përpiqet të dalë përpara në konkurrencën mes fuqive të mëdha.

Nuk ka rëndësi që diskutimet e lira do të jenë të kufizuara. Sipas një personi që ka dijeni për këtë çështje, është anuluar madje edhe një seancë e zakonshme e Këshillit Këshillimor të Biznesit të APEC-ut, ku përfaqësuesit e biznesit informojnë udhëheqësit.

“Mënyra se si po e organizojnë është padyshim ‘APEC me karakteristika kineze’”, thotë një diplomat i lartë i huaj nga një vend pjesëmarrës, duke iu referuar programit të shkurtuar.

“Shkurtimi i aktiviteteve dhe madje organizimi i takimeve dypalëshe lart në mal... gjithçka është e përqendruar te vendi mikpritës.”/dritare.net