Rrezikojmë të humbasim Tiranën! Majko paralajmëron socialistët, Rama i përgjigjet!
Dritare.net

Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ish-kryeministri Pandeli Majko ka kërkuar largimin nga PS-ja të personave që kanë pasur lidhje të papërshtatshme me botën e krimit të organizuar. Ai ka ngritur gjithashtu shqetësimin për zgjedhjet e ardhshme vendore, duke paralajmëruar se socialistët rrezikojnë të humbasin Bashkinë e Tiranës nëse nuk zgjedhin një kandidat me potencial fitues.
Pandeli Majko është shprehur:
“Duhet të marrim në konsideratë edhe çfarë mund të bëjë SPAK deri në maj, kur janë zgjedhjet lokale. Kush nga anëtarët e familjes tonë kanë pasur kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar dhe diskredituese duhet të largohet menjëherë për të mos i dhënë kosto Partisë Socialiste. E them këtë pasi është bërë publike ekzistenca në duart e SPAK-ut e 1000 orë filmime, të cilat mund të jenë kompromentuese për persona të caktuar brenda partisë tonë. Në kushtet që jemi rrezikojmë ta humbim Bashkinë e Tiranës. Duhet të gjejmë një kandidat me potencial dhe fitues.”
Pas fjalës së Majkos, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur:
“Skepticizmi i përhershëm i Majkos më ka motivuar mua të bëj zgjedhjet e duhura dhe kështu do të ndodhë edhe këtë herë me Tiranën.”/dritare.net