A do të kandidojë për president? JD Vance zbulon kur do të marrë vendimin
Dritare.net

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka deklaruar se do të marrë një vendim gjatë vitit të ardhshëm nëse do të garojë për Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Në një intervistë për Fox News, Vance tha se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar dhe se nuk është në nxitim për të përcaktuar të ardhmen e tij politike.
“Ende nuk kam marrë një vendim. Do ta shqyrtojmë këtë çështje diku gjatë vitit të ardhshëm”, u shpreh ai. I pyetur nga moderatorja Laura Ingraham, zëvendëspresidenti shtoi: “Kur të marr një vendim, do të angazhohem plotësisht për çfarëdo që të jetë ai vendim”.
Deklarata vjen pas zgjedhjeve afatmesme në SHBA, në të cilat republikanët pësuan humbje të konsiderueshme. Megjithatë, sipas burimeve pranë Vance, rezultati i zgjedhjeve nuk ka ndryshuar afatet që ai ka në mendje për të vendosur mbi një kandidim të mundshëm në vitin 2028.
Që prej momentit kur Donald Trump e përzgjodhi si kandidat për zëvendëspresident në zgjedhjet e vitit 2024, Vance është konsideruar si një nga figurat kryesore që mund të pasojë Trumpin në krye të lëvizjes “Make America Great Again” (MAGA).
Nëse vendos të kandidojë, ai pritet të jetë një nga emrat kryesorë në garën paraprake republikane. Megjithatë, në këtë garë mund të përfshihen edhe figura të tjera të njohura të Partisë Republikane, si sekretari i Shtetit Marco Rubio, senatori Ted Cruz, guvernatori i Floridës Ron DeSantis dhe ish-guvernatori i Nju Xhersit Chris Christie.
Mbështetja e Donald Trump mund të ketë ndikim të rëndësishëm në garën republikane, por presidenti amerikan ka deklaruar se ende nuk ka vendosur se kë do të mbështesë në zgjedhjet e vitit 2028.
Gjatë intervistës, Vance foli edhe për luftën me Iranin, duke pranuar se konflikti ka pasur një kosto politike për republikanët. Megjithatë, ai këmbënguli se nuk ka mosmarrëveshje mes tij dhe Trumpit lidhur me këtë çështje.
Zëvendëspresidenti tha gjithashtu se administrata amerikane nuk do të lejojë që konflikti të kthehet në një luftë pa fund./L.F-dritare.net