Qeveria pas dënimit të Thaçit dhe të tjerëve: Rezervat ndaj Speciales mbeten të qëndrueshme
Dritare.net

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale lidhur me dënimin e Thaçit dhe të tjerëve për administrim të drejtësisë.
Në komunikatën e tyre dërguar mediave, Qeveria ka thënë se kritikat dhe rezervat që kanë shprehur vazhdimisht ndaj Dhomave të Specializuara mbeten të qëndrueshme, veçanërisht sa i përket transparencës së procedurave, respektimit të të drejtave të palëve dhe garantimit të standardeve të një gjykimi të drejtë.
“Pavarësia e gjyqësorit dhe respektimi i vendimeve gjyqësore janë parime themelore të sundimit të ligjit. Megjithatë, kjo nuk e përjashton të drejtën dhe përgjegjësinë për të ngritur shqetësime lidhur me funksionimin e institucioneve të drejtësisë. Në këtë kuptim, kritikat dhe rezervat që kemi shprehur vazhdimisht ndaj Dhomave të Specializuara mbeten të qëndrueshme, veçanërisht sa i përket transparencës së procedurave, respektimit të të drejtave të palëve dhe garantimit të standardeve të një gjykimi të drejtë”, thuhet në reagim.
Tutje Qeveria thekson se besimi në drejtësi nuk ndërtohet vetëm mbi vendimet që merren, por edhe mbi mënyrën se si arrihet deri tek ato.
“Prandaj, angazhimi ynë për sundimin e ligjit dhe insistimi për respektimin e plotë të të drejtave dhe garancive procedurale janë pjesë e të njëjtit qëndrim parimor: drejtësia duhet jo vetëm të vihet në vend, por edhe të jetë e drejtë, transparente dhe e besueshme”, thuhet tutje në reagimin e tyre./Kohaditore