Reagon Majko: Videot erotike që përmenda në Asamble!
Dritare.net

Pandeli Majko ka reaguar pas jehonës të fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. Ai thotë se është keqinterpretuar dhe se nuk ka folur për "video seksi", por për lidhjet e papërshtatshme të disa personave me krimin e organizuar.
"Po ndjek me humor 'daullet' e mediave sipas të cilave në mbledhjen e fundit të Asamblesë së PSSH jam 'shqetësuar' për erotizmin dhe ndershmërinë e kolegëve të mi socialistë! Në fakt, në fjalën time në Asamblenë Kombëtare kam folur për kontaktet e papërshtatshme dhe diskredituese me krimin e organizuar! Në mbledhje kërkova që këta njerëz duhet të largohen nga politika!", shkruan Majko në reagimin e titulluar "Ndjesë e detyruar".
Ai shton se ka përmendur vetëm një informacion publik për videot e sekuestruara nga SPAK. "Asnjë fjalë për 'erotizmin' apo 'videot e seksit'! Ndjesë për zhgënjimin!", shkruan Pandeli Majko
Majko foli në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së. Aty ai kërkoi që partia të pastrohet nga personat që sipas tij kanë lidhje të papërshtatshme me botën e krimit. Ai kërkoi edhe një kandidaturë serioze për Bashkinë e Tiranës.
Majko ngriti shqetësim edhe për Tiranën. "Në kushtet që jemi rrezikojmë ta humbim Bashkinë e Tiranës. Duhet të gjejmë një kandidat me potencial dhe fitues", u shpreh ai./dritare.net