Veliaj kërkon shtyrjen e seancës për arsye shëndetësore, GJKKO refuzon!
Dritare.net

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pozhvillohet sot seanca e gjyqit në themel për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Vetë kryebashkiaku Veliaj, përmes një shkrese, ka kërkuar shtyrjen e seancës gjyqësore. Ai pretendon se dëshiron të jetë i pranishëm, por nuk e përballon dot transportin nga Fieri në Tiranë për shkak të problemit me këmbën.
Veliaj, po ashtu, në shkresë i bën me dije gjykatës se nuk i janë vënë në dispozicion dokumentet mjekësore lidhur me nevojën për ndërhyrje kirurgjikale. Ndërkohë i pranishëm në seancë është avokati i kryebashkiakut, Plarent Ndreca.
Për shkak të gjendjes shëndetësore, për të cilën më është rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale, kam 10 ditë që kërkoj dokumentacionin mjekësor, por s’më është dhënë asnjë shpjegim. Kjo situatë më pengon të marr pjesë në gjykim dhe kërkoj që seanca gjyqësore të shtyhet”, shkruan mes të tjerash Veliaj në letrën drejtuar Gjykatës.
Gjatë seancës, prokurori Altin Dumani deklaroi se Prokuroria nuk disponon dokumentacion mjekësor që të pasqyrojë gjendjen shëndetësore të kryebashkiakut.
“Ne nuk kemi asnjë relacion mjekësor nga mjeku i burgut të na përshkruajë gjendjen shëndetësore të Veliajt. Nuk kemi asnjë dokument konkret mbi gjendjen e tij që të ishim të qartë”, deklaroi Dumani.
Nga ana tjetër, avokati i kryebashkiakut, Plarent Ndreca kundërshtoi qëndrimin e prokurorit, duke theksuar se Prokuroria është e informuar për gjendjen shëndetësore të Veliajt. Sipas tij, klienti kërkon informacion mbi gjendjen e këmbës dhe grafitë për t’i konsultuar me një mjek, por nuk i vihet në dispozicion kartela mjekësore.
“Prokuroria është e informuar mbi gjendjen shëndetësore të Veliajt. Këtë thotë edhe i pandehuri, kërkon informacion mbi situatën reale të këmbës dhe grafinë për ta konsultuar me mjek. Nuk i jepet kartela mjekësore. Veliaj e ka shprehur vullnetin për të marrë pjesë në seancë”, tha mes të tjerash gjatë seancës Ndreca.
Ndërkohë, trupi gjykues i GJKKO-së pasi u tërhoq në dhomën e këshillimit për të vendosur nëse seanca do të vijojë apo do të shtyhet, u kthye duke vijuar gjyqin me parashtrimet e kërkesave të të pandehurve të tjerë, ndërsa deklaroi se pretendimi i Veliajt për pamundësi që të vijë në seancë, nuk provohet nga mbrojtja.
Prokurori Ols Dado ndër të tjera pranoi situatën shëndetësore të Veliajt, por sipas tij nuk është në gjendjen që t’i pamundësohet ardhja në gjyq, dhe solli në vëmendje edhe kërkesën e kryebashkiakut ndaj SPAK, që ta lejonte të merrte pjesë në Asamblenë e Partisë Socialiste.
“Informacioni i sjellë nga Spitali Memorial i Fierit dhe mjeku turk, paraqet situatën e Veliajt, që nuk ka gjendje emergjente. Avokati sjell informacione të njëanshme. DPB ka zbatuar korrekt procedurat dhe ndjekur strikt rregulloren. Di që ka patur komunikim mes mbrojtjes dhe burgjeve. Gjendja që përcakton mjeku turk nuk pamundëson ardhjen në gjyq, për më tepër i pandehuri kërkoi leje nga SPAK të merrte pjesë në evente, ndërsa në gjyq thotë jam në pamundësi të vij”, tha mes të tjerash Dado.
Avokati Plarent Ndreca, duke iu përgjigjur Dados, tha se kërkesa për eventin ka qenë me alternativë ,ose pjesmarrje fizike, ose lidhje me videokonferencë.
Në 3 nëntor gjyqi ndaj Veliajt është shtyrë për shkak të mungesës së avokatit Gentian Sula, ndërkohë që u pezulluan edhe afatet e paraburgimit për kryebashkiakun.