Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Në Besë të Shqiptarëve!

Në Besë të Shqiptarëve!

Parathënie e librit Në Besë të Shqiptarëve nga Rudina Xhunga*

Ka histori që na shoqërojnë gjithë jetën, pa e kuptuar as vetë pse. Janë histori të vogla, familjare, që nuk gjenden në librat e historisë, por në tregimet e shtëpisë.

Për mua, ky dokumentar nisi nga një histori e tillë. Nga një kujtim i nënës sime. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në shtëpinë e familjes së saj kishte jetuar një italian. Ishte nga Bolonja. E quanin Corradino. Nuk e di nëse ky ishte emri apo mbiemri i tij. Di vetëm se kështu e mbante mend nëna ime. Të cilës ia kishte treguar nëna e saj. Ai kishte gjetur strehë në shtëpinë e stërgjyshit tim, Gaq Xhoxhi, në një familje të madhe të Myzeqesë. Kishte jetuar me ta, ishte bërë pjesë e familjes. Pastaj u sëmur dhe vdiq. E varrosën në varrezat e familjes së nënës sime, te porta e kishës së tyre. Askush nuk erdhi ta kërkonte. Asnjëherë.

Gjithmonë kam dashur të di: A e dinte familja e tij si kishte përfunduar? Ai tregonte që kishte dy vajza. Qante kur fliste për to. Gruaja e tij, në foton që mbante me vete, ishte bjonde. Kishte një dyqan në Bolonjë. Çfarë ndodhi me ta? Nuk e di. Por di që në shtëpinë e nënës sime ai nuk u harrua. Edhe pse vitet kaluan dhe shumë hollësi humbën, Corradino dhe luga e tij prej sërmi mbetën në familjen Xhoxhi.

Unë e mbaj mend fëmijë këtë histori. Më pas u bëra gazetare. Takova njerëz, bëra intervista, udhëtova nëpër Shqipëri dhe jashtë saj, tregova shumë histori të të tjerëve. Por ajo e Corradino-s mbeti gjithmonë një pyetje pa përgjigje. Kur nisa të merresha me historinë e ushtarëve italianë në Shqipëri pas 8 shtatorit 1943, thellë-thellë, doja të gjeja familjen e Corradino-s.

Në Besë të Shqiptarëve!


Pas armëpushimit të Italisë me aleatët, mijëra ushtarë italianë mbetën në Shqipëri pa një drejtim të qartë, përballë rrezikut të arrestimit, internimit dhe vdekjes. Ata që kishin ardhur si pushtues, papritur u gjendën në mëshirën e njerëzve të një vendi që kishin pushtuar. Dhe shqiptarët ua hapën dyert. I strehuan, i ushqyen, i fshehën, i mbrojtën. Ndanë me ta atë pak që kishin. Shpesh rrezikuan jo vetëm jetën e tyre, por edhe të fëmijëve dhe familjeve.

Sa më shumë kërkoja, aq më shumë më dukej sikur historia e nënës sime po përsëritej në qindra shtëpi të tjera shqiptare. Dikush kishte pasur një italian në shtëpi. Dikush mbante mend një ushtar që kishte punuar tokën me gjyshin. Dikush ruante një fotografi, një letër, një emër. Ashtu si në familjen time.

Vendosa të shkoj më tej. Nga Shqipëria në Itali. Nga kujtimet te dokumentet. Nga historitë e treguara në familje te arkivat ushtarake. Në Romë, në Zyrën Historike të Ushtrisë Italiane, kërkuam dokumente për Shqipërinë e viteve 1943–1944. Takova historianë, dëgjova dëshmi, kërkova familjarë të ushtarëve italianë që nuk ishin kthyer më në atdhe. Doja të kuptoja çfarë kishte ndodhur me ta. Por mbi të gjitha, doja të kuptoja çfarë kishte ndodhur mes shqiptarëve dhe italianëve në ato vite.

Si kishte qenë e mundur që njerëzit që kishin përjetuar pushtimin italian, të shpëtonin pikërisht pushtuesit? Pse kishin hapur dyert? Pse kishin ndarë bukën? Pse kishin rrezikuar jetën për ta?

Gjatë këtij kërkimi njoha historinë e Goffredo Zignanit. Një nënkolonel italian që në një nga momentet më të vështira të luftës u përball me një zgjedhje. Të bindej apo të kundërshtonte. Të pranonte urdhrat apo të ndiqte ndërgjegjen e tij. Ai zgjodhi të mos bashkëpunonte me nazistët në fatin që po u përgatitej ushtarëve italianë. Në tren drejt kampeve të përqendrimit në Gjermani.

Historia e tij më çoi më thellë në atë kohë, te dokumentet, dëshmitarët, pasardhësit dhe vendet ku ishin marrë vendime që kishin kushtuar jetë njerëzish. Kështu, duke kërkuar një ushtar italian nga Bolonja, emrin e të cilit ende nuk e di saktësisht, mbërrita te historia e Goffredo Zignanit. Dhe kuptova se po tregoja diçka shumë më të madhe se një histori familjare.

Ky dokumentar është historia e mijëra italianëve që mbetën në Shqipëri. E atyre që u strehuan, e atyre që luftuan kundër nazizmit, e atyre që u kthyen në Itali dhe e atyre që nuk u kthyen kurrë. Por është po aq historia e shqiptarëve që i pritën. E njerëzve të zakonshëm që bënë gjëra të jashtëzakonshme. Njerëz që nuk kërkuan asgjë në këmbim. Që nuk pyetën nga vinte ai që u trokiste në derë, por nëse kishte uri, nëse kishte ftohtë, nëse kishte nevojë të shpëtonte.

Dhe sa më shumë e njihja këtë histori, aq më shumë kuptoja sa e vogël është bota. Një burrë nga Bolonja vjen si pushtues në Shqipëri gjatë luftës. Pas kapitullimit e gjen veten në një familje. Jeton, sëmuret dhe vdes e varroset pranë kishës së tyre. Askush nuk vjen ta kërkojë. Por dekada më vonë, stërmbesa e asaj familjeje vazhdon të dojë një përgjigje. A nuk është kjo e jashtëzakonshme?

Ne mendojmë se historia është ajo që bëjnë shtetet, ushtritë, udhëheqësit. Por historia është edhe ajo që ndodh në një shtëpi, kur një njeri i hap derën një tjetri. Dhe ndonjëherë ajo derë e hapur jeton më gjatë se ata që e hapën.

Unë e bëra këtë dokumentar sepse doja të tregoja një histori që nuk ishte treguar sa duhej. Por e bëra edhe sepse doja të kuptoja historinë e familjes sime. Të kuptoja pse një italian që nuk ishte kthyer kurrë në Bolonja kishte mbetur kaq gjatë në kujtesën tonë.

Nuk e gjeta Corradino-n. Të paktën jo ende. Por gjatë kërkimit të tij gjeta shumë histori të tjera. Gjeta njerëz që kishin shpëtuar njerëz. Familje që kishin mbrojtur të panjohur. Italianë që nuk i kishin harruar kurrë shqiptarët dhe shqiptarë që, pas kaq shumë vitesh, vazhdonin t’i kujtonin italianët që kishin jetuar mes tyre.

Dhe kuptova diçka që dua ta ndaj me këdo që do ta shohë këtë dokumentar. Se bota është shumë më e vogël nga sa mendojmë. Se jeta na bashkon në mënyra që nuk i parashikojmë. Dhe se në fund, përtej luftërave, kufijve, gjuhëve dhe politikës, është njerëzilleku ai që na mban.

Një gjest i mirë mund të jetojë për breza. Një njeri mund të mos kthehet kurrë në shtëpinë e tij, por të gjejë një shtëpi tjetër ku të mos harrohet. Sepse njerëzit ikin, luftërat mbarojnë, brezat ndërrohen. Por njerëzorja mbetet. Dhe nuk harrohet.

P.S. Dhe që të mos harrohet, duhet edhe dokumentuar. Siç ka bërë në vite familja Zignani. Që ka ruajtur çdo foto, tregim, dëshmi, dokument. Pa to nuk do të mund ta bëja këtë dokumentar, as këtë libër. Mirënjohëse!

*Autore e dokumentarit “Viva la Libertà” në Besë të Shqiptarëve 2, kushtuar shpëtimit nga shqiptarët të mbi 20 mijë italianëve, pas kapitullimit të Italisë fashiste!