Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kuvendi shqyrton projektbuxhetin 2027 dhe paketën fiskale, opozita me 12 deputetë të përjashtuar

Kuvendi shqyrton projektbuxhetin 2027 dhe paketën fiskale, opozita me 12

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare për të shqyrtuar në parim projektbuxhetin e vitit 2027 dhe paketën fiskale, të cilat kanë kaluar më herët në komisionet parlamentare.

Seanca pritet të zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, ndërsa opozita do të jetë e përfaqësuar me një numër të reduktuar deputetësh. 12 deputetë të Partisë Demokratike janë të përjashtuar nga punimet parlamentare, mes tyre kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, dhe sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka.

Një ditë para seancës, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se demokratët do të votojnë kundër projektbuxhetit të vitit 2027. Sipas tij, dokumenti është hartuar në fshehtësi dhe pa konsultim me qytetarët dhe grupet e interesit.

Berisha kundërshtoi gjithashtu paketën fiskale, duke e cilësuar atë si të dëmshme për qytetarët, biznesin e vogël dhe investimet e huaja.

Ai akuzoi qeverinë se ka përgatitur një buxhet pa transparencë dhe pa konsultime, duke pretenduar se përfitimet do të përqendrohen te një grup i kufizuar njerëzish, ndërsa barra do të rëndojë mbi qytetarët dhe bizneset shqiptare.

Projektbuxheti i vitit 2027, sipas të dhënave të bëra publike në materialin e paraqitur, kap vlerën e 10 miliardë lekëve.

Pas votimit në parim në Kuvend, projektbuxheti do të rikthehet në komisionet parlamentare për shqyrtimin nen për nen, përpara se të rikthehet në seancë plenare për votimin dhe miratimin përfundimtar./L.F-dritare.net