Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama ironizon PD-në pas braktisjes së Kuvendit: Ata hapën gropa, ne po ndërtojmë Shqipërinë e re europiane

Rama ironizon PD-në pas braktisjes së Kuvendit: Ata hapën gropa,

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar deputetët e Partisë Demokratike, të cilët braktisën sallën e Kuvendit gjatë diskutimeve për projektbuxhetin e vitit 2027. Rama deklaroi se demokratët do të mbahen mend si “hapësit e gropave”, ndërsa socialistët si ndërtuesit e Shqipërisë së re europiane.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri foli edhe për politikat fiskale, duke njoftuar se nga 1 janari nuk do të ketë më taksë qarkullimi.

“Dëshirën për të ulur taksat e kemi të shkruar në programin tonë të parë. Duke nisur nga 1 janari, s’do të kemi taksë qarkullimi. Dëshirën për të rritur më shumë pensionet, për të mbështetur familjet e reja, e kemi pasur qysh në krye të herës, por nuk janë dëshirat që mbushin arkën e shtetit, nuk janë dëshirat që përcaktojnë rrugën e një qeverisjeje, nuk janë dëshirat që e bëjnë një qeveri më të mirë, por është ekonomia që mbush arkën e shtetit.

Ndryshimi mes asaj që ti do të bësh dhe asaj që je në gjendje të bësh është dallimi mes premtimeve që mbeten në ajër dhe zotimeve që nuk harrohen, por që me këmbëngulje përmbushen, duke mbushur paraprakisht arkën e shtetit për t’i mbajtur ato zotime. Nëse përpiqesh t’u pëlqesh njerëzve pa bërë llogaritë, atëherë nuk bën asgjë tjetër veçse i hap gropën atij që vjen pas.

Këta që nuk janë këtu, bashkë me ca që kanë mbetur, janë ata që në historinë e këtij vendi do të mbeten si hapësit e gropave të qeverisjes së parë e të dytë. Ndërkohë që historia do të flasë për ne si ndërtuesit e Shqipërisë së re europiane”, deklaroi Rama./L.F-dritare.ne