Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Projektligji për sponsorizimet, bizneset përfitojnë zbritje deri në 30% nga tatim-fitimi

Projektligji për sponsorizimet, bizneset përfitojnë zbritje deri
Është publikuar projektligji “Për donacionet dhe sponsorizimet”, i cili parashikon lehtësi fiskale për bizneset që mbështesin financiarisht veprimtari me interes publik në fushën e artit, kulturës dhe sportit.

Sipas projektligjit, bizneset do të kenë mundësi të zbresin shumën e dokumentuar të sponsorizimit nga tatimi mbi fitimin, deri në masën 30% të tatimit të vitit të mëparshëm fiskal.

Megjithatë, skema parashikon kufizime për përfituesit. Shuma maksimale vjetore e sponsorizimeve për një biznes, për të cilat mund të aplikohet zbritja tatimore, do të jetë 30 milionë lekë. Ndërsa vlera totale e sponsorizimeve që mund të përfshihen në këtë mekanizëm nuk do të kalojë 2 miliardë lekë në vit, ose rreth 22 milionë euro.

Për të përfituar nga lehtësia fiskale, përpara nënshkrimit të kontratës, përfituesi duhet të marrë një vërtetim nga ministria përgjegjëse, që konfirmon se aktiviteti është me interes publik dhe zhvillohet në fushën e artit, kulturës ose sportit. Ministria duhet ta lëshojë këtë dokument brenda 15 ditëve nga dorëzimi i kërkesës së plotë.

Gjithashtu, bizneset do të duhet të pajisen me autorizimin e drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve për të përfituar zbritjen nga tatimi mbi fitimin. Nga ana tjetër, fondet e përfituara përmes sponsorizimit do të përjashtohen nga tatimi për përfituesin.

Projektligji parashikon gjithashtu mundësinë e dhënies së donacioneve dhe sponsorizimeve në fusha të tjera me interes publik, si arsimi, shëndetësia, mjedisi dhe shërbimet sociale.

Çdo sponsorizim do të formalizohet përmes një kontrate me shkrim dhe do të deklarohet nëpërmjet platformës e-Albania, në një regjistër kombëtar që do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Nisma synon të nxisë përfshirjen e sektorit privat në financimin e aktiviteteve me interes publik, duke krijuar një mekanizëm lehtësues për bizneset që kontribuojnë në zhvillimin e artit, kulturës dhe sportit në vend.