Prezantohet projekti për Qendrën e re Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, në bashkëpunim me UNICEF
Dritare.net
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, ka prezantuar projektin për modelin e ri të menaxhimit të Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, pranë Parkut të Liqenit në Tiranë. Në bashkëpunim me UNICEF, ministri theksoi se përmes këtij projekti synohet krijimi i një institucioni modern e multifunksional, që do të ofrojë hapësira dhe programe të reja për edukimin artistik, krijimtarinë dhe zhvillimin e talenteve të fëmijëve.
Postimi i ministrit Blendi Gonxhja:
"Qendra jonë e re Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, pranë Parkut të Liqenit, drejt jetëzimit, me një model të ri menaxhimi në bashkëpunim me UNICEF! Infrastrukturë publike dhe arkitekturë multifunksionale që ndërtohet për herë të parë në rajon!
Një takim shumë konstruktiv me z. Murat Sahin dhe ekipin këshillues nga UNICEF në Shqipëri, ku dëgjuam prezantimin e punës për Planin e Menaxhimit të Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, një hap i rëndësishëm drejt funksionalizimit të kompleksit më të ri kulturor, që do të ofrojë hapësira moderne për edukimin artistik, krijimtarinë dhe zhvillimin e talenteve të reja.
Në qendër të bashkëpunimit tonë është programacioni artistik dhe edukativ, mbështetja e programeve të reja në teatër, muzikë, balet, arte pamore dhe disiplina të tjera krijuese, si dhe ndërtimi i një rrjeti sa më aktiv bashkëpunimi me qendrat kulturore në të gjithë vendin, shkollat, institucionet artistike dhe profesionistët e artit.
Synojmë një Qendër që jo vetëm mirëpret fëmijët, por krijon mundësi të vazhdueshme për pjesëmarrje, aktivitete dhe motivimin e zbulimin e talenteve.
Paralelisht me përfundimin e punimeve, mobilimin dhe pajisjen e ambienteve me teknologji audiovizive e skenike, po punohet për një model profesional dhe të qëndrueshëm administrimi, me kalendar publik aktivitetesh, shërbime digjitale, standarde sigurie dhe partneritete që garantojnë cilësi e vazhdimësi të programeve.
Një investim domethënës për fëmijët, familjet, artistët dhe edukatorët, që synon ta kthejë Qendrën e re Kombëtare të Kulturës për Fëmijë në një pikë referimi për krijimtarinë, edukimin kulturor bashkëkohor dhe për brezat e ardhshëm të artistëve shqiptarë!", shkruan ministri në rrjetet sociale./L.F-dritare.net