Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rrezik për bankat, spitalet dhe institucionet! Zbulohet një e metë kritike në Java

Rrezik për bankat, spitalet dhe institucionet! Zbulohet një e


Një e metë serioze sigurie është zbuluar në Java, një nga gjuhët më të përdorura të programimit në botë, duke ngritur shqetësime për sigurinë e sistemeve informatike të bankave, spitaleve, kompanive të mëdha dhe institucioneve qeveritare.

Dobësia, e identifikuar me ndihmën e inteligjencës artificiale nga kompania amerikane e sigurisë kibernetike Calif, është quajtur “Java4Shell” dhe mund t'u mundësojë hakerëve të ndërhyjnë nga distanca në sistemet e prekura, pa pasur nevojë për fjalëkalime apo autorizim.

Sipas BBC dhe Reuters, për zbulimin e saj është përdorur modeli i inteligjencës artificiale GPT-6 Cyber i OpenAI. Problemi lidhet me mënyrën se si Java menaxhon memorien e kompjuterit, duke krijuar mundësi për ekzekutimin e kodeve keqdashëse, vjedhjen e informacioneve të ndjeshme apo bllokimin e sistemeve.

Pas zbulimit, kompania Oracle, e cila zotëron markën Java, publikoi më 17 nëntor një përditësim urgjent sigurie për të korrigjuar dobësinë. Agjencia amerikane për Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturën (CISA) u bëri thirrje institucioneve dhe kompanive të instalojnë menjëherë përditësimet.

Alarmi është përhapur edhe në vende të tjera, përfshirë Korenë e Jugut, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe. Autoritetet koreanojugore zhvilluan një mbledhje emergjente, pasi Java përdoret gjerësisht në sistemet e administratës publike.

Zbulimi vjen pas një serie ndërprerjesh të mëdha teknologjike që kanë prekur Microsoft-in, transportin ajror amerikan dhe shërbime të tjera digjitale gjatë ditëve të fundit.

Megjithatë, deri tani nuk ka prova që dobësia e zbuluar në Java të jetë shfrytëzuar në sulme të suksesshme kibernetike apo të ketë lidhje me ndërprerjet e fundit.

Ekspertët paralajmërojnë se inteligjenca artificiale po e ndryshon me shpejtësi sigurinë kibernetike. Ndërsa ndihmon në identifikimin e dobësive që kanë ekzistuar prej vitesh, ajo mund të përdoret edhe nga hakerët për të zbuluar dhe shfrytëzuar më shpejt problemet e sistemeve digjitale./dritare.net