Na ndiqni edhe në

Bota

Sulme kibernetike, inteligjencë artificiale apo sisteme të vjetruara? Pse po paralizohet teknologjia në mbarë botën

Sulme kibernetike, inteligjencë artificiale apo sisteme të vjetruara?

Një valë ndërprerjesh teknologjike ka goditur ditët e fundit disa prej sistemeve më të rëndësishme në botë, duke shkaktuar probleme në shërbimet e Microsoft, bankat amerikane, aeroportet, sistemet e sigurisë kombëtare dhe platformat digjitale. Por çfarë fshihet pas këtyre incidenteve? Sulme kibernetike, inteligjenca artificiale apo infrastruktura e vjetruar?

Në një analizë të BBC-së, eksperti i teknologjisë Imran Rahman-Jones shpjegon se, megjithëse incidentet kanë ndodhur pothuajse njëkohësisht, nuk ka prova që ato të jenë të lidhura me njëra-tjetrën.

Vetëm gjatë javës së fundit, një ndërprerje masive e Microsoft shkaktoi probleme në shërbimet digjitale, ndërsa një defekt teknik pezulloi për disa orë fluturimet në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Probleme u raportuan edhe në sistemet e komunikimit të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (NSA), në shërbimet iCloud dhe Apple Pay, si dhe në disa prej bankave më të mëdha amerikane.

Çfarë po i shkakton ndërprerjet?

Sipas ekspertëve, një pjesë e konsiderueshme e problemeve lidhet me përditësimet e sistemeve teknologjike. Në rastin e Microsoft, një përmirësim i rrjetit shkaktoi mbingarkesë të serverëve dhe ndërprerje të shërbimeve. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara, problemet në kontrollin e trafikut ajror u shfaqën gjatë zëvendësimit të kabllove të vjetra prej bakri me fibra optike. Edhe problemet e NSA-së dhe të shërbimeve të Apple janë lidhur me përditësime teknike që nuk kanë funksionuar siç duhet. Ndërkohë, ndërprerjet e pagesave në bankat amerikane janë shpjeguar nga JPMorgan Chase si pasojë e një defekti në softuer, duke përjashtuar një incident të sigurisë kibernetike. Megjithatë, jo të gjitha problemet kanë qenë thjesht teknike.

Inteligjenca artificiale po ndryshon luftën kundër hakerëve

Inteligjenca artificiale po luan një rol gjithnjë e më të madh në zbulimin e dobësive të sistemeve informatike, por ekspertët paralajmërojnë se ajo mund të përdoret edhe nga kriminelët kibernetikë. Së fundmi, inteligjenca artificiale ndihmoi në identifikimin e dobësive në Java, një nga gjuhët më të përdorura të programimit në botë, si dhe në PHP. Eksperti i sigurisë Scott Helme zbuloi gjithashtu kode keqdashëse në platformën Optimizely, e përdorur nga disa prej kompanive më të mëdha ndërkombëtare. Përpara se të zbuloheshin, hakerët arritën të vidhnin rreth 7 mijë dollarë në kriptomonedha. Helme tha për BBC se do të ishte shumë i habitur nëse autorët e sulmeve kibernetike nuk do të përdornin inteligjencën artificiale për të përshpejtuar veprimet e tyre. Nga ana tjetër, kompanitë e inteligjencës artificiale, përfshirë OpenAI dhe Anthropic, po përballen me sfidën e kufizimit të rreziqeve që mund të krijojnë modelet e tyre më të avancuara.

A po bëhet bota peng i disa kompanive teknologjike?

Një tjetër shqetësim lidhet me varësinë e madhe të ekonomisë botërore nga një numër i kufizuar kompanish. Microsoft, Amazon dhe Google kontrollojnë një pjesë të konsiderueshme të infrastrukturës globale të serverëve, ndërsa Java, e administruar nga Oracle, përdoret nga pothuajse të gjitha kompanitë më të mëdha në botë. Kjo do të thotë se një defekt i vetëm mund të ketë pasoja në shumë vende dhe sektorë njëkohësisht.

Ekspertja Sheila Pancholi, nga kompania konsulente RSM UK, paralajmëron se dobësitë e zbuluara në Java tregojnë se sa të varura janë bërë bizneset nga një numër i vogël teknologjish kritike. Një problem tjetër është edhe ajo që ekspertët e quajnë "borxh teknik", pra grumbullimi ndër vite i zgjidhjeve të përkohshme në sistemet informatike, pa u trajtuar problemet themelore. Me kalimin e kohës, këto ndërhyrje mund të krijojnë defekte më serioze, veçanërisht gjatë përditësimeve të mëdha.

A duhet të shqetësohemi?

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka përjashtuar mundësinë që incidentet e fundit të jenë pjesë e një sulmi të koordinuar.

"Nuk jemi nën një sulm sistemik. Këto ngjarje nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën", deklaroi ai.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ndërprerje të tilla mund të bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Inteligjenca artificiale po përshpejton zbulimin e dobësive të sigurisë, por njëkohësisht po rrit ritmin e zhvillimit të programeve dhe numrin e problemeve që duhen korrigjuar.

Sipas Martin Reynolds, drejtues teknologjie në kompaninë Harness, zhvilluesit po përballen me gjithnjë e më shumë dobësi që kërkojnë ndërhyrje, ndërkohë që koha për t'i zgjidhur ato po zvogëlohet.

Ekspertët theksojnë se hakerëve u mjafton të gjejnë vetëm një dobësi për të depërtuar në një sistem, ndërsa specialistët e sigurisë duhet të mbrohen nga të gjitha kërcënimet e mundshme. Për këtë arsye, ndërprerjet teknologjike mund të jenë pjesë e realitetit të ri digjital, ku zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale, infrastruktura e vjetruar dhe sulmet kibernetike po krijojnë sfida gjithnjë e më të mëdha për sigurinë dhe funksionimin e shërbimeve në mbarë botën./Përshtati nga BBC, dritare.net