Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Buxheti 2027 miratohet në tërësi në komisione vetëm me votat e PS!

Buxheti 2027 miratohet në tërësi në komisione vetëm me

Projektbuxheti i vitit 2027 po shqyrtohet në komisionet parlamentare, ku po miratohet nen për nen dhe në tërësi. Ai ka marrë miratimin e Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Çështjet e Brendshme si dhe të Komisionit për Nismat Qytetare. Ky i fundit e votoi vetëm me votat e mazhorancës, duke miratuar 809.9 milionë lekë shtesë për disa institucione, mes tyre ato të drejtësisë dhe INSTAT-in.


Për Këshillin e Lartë Gjyqësor u miratuan 80 milionë lekë për 95 punonjës të rinj. Prej tyre, 45 do të angazhohen për sigurinë në gjykata dhe 50 si ndihmës të personelit ligjor. Për KLGJ-në u parashikuan edhe nëntë punonjës të tjerë, 100 milionë lekë për shpenzime operative dhe 170 milionë lekë për pajisje sigurie.


Prokurorisë së Përgjithshme iu miratua shtim i stafit, ndërsa Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë iu shtuan 125.5 milionë lekë për sistemin e menaxhimit të çështjeve dhe dokumenteve.

Për INSTAT-in u miratuan 115.9 milionë lekë shtesë për shpenzimet e personelit, pesë punonjës të rinj dhe 60 milionë lekë për serverët. Për Censin e Bujqësisë, komisioni propozoi një shtesë prej 70 milionë lekësh. Fondet prej 500 milionë lekësh të kërkuara për censin pritet të ndahen gjatë vitit 2027.


Avokatit të Popullit iu miratuan 4.5 milionë lekë shtesë, ndërsa KQZ-së 34 milionë lekë për ambiente magazinimi. Për Komisionin e Prokurimit Publik u miratuan pesë punonjës të rinj dhe 40 milionë lekë për qiranë e ambienteve. Autoritetit të Konkurrencës iu miratuan pesë vende të reja pune, me një fond prej 10 milionë lekësh.

Projektbuxheti prej rreth 10 miliardë eurosh mori 80 vota pro dhe 25 kundër në votimin në parim në seancën plenare. Pas shqyrtimit në komisione, ai do të rikthehet në seancë plenare për votimin në tërësi.