Na ndiqni edhe në

Bota

Alarmet për bomba përhapen në Evropë, pas aeroporteve kërcënohen edhe televizionet! Çfarë po ndodh?

Alarmet për bomba përhapen në Evropë, pas aeroporteve


Një valë kërcënimesh anonime për bomba ka përfshirë Evropën gjatë kësaj jave, duke shkaktuar ndërprerje të fluturimeve, evakuime dhe masa të shtuara sigurie. Pas aeroporteve dhe kompanive ajrore, në shënjestër kanë përfunduar edhe disa organizata mediatike.

Sipas CNN, të premten, më 6 nëntor, autoritetet në Danimarkë dhe Republikën Çeke raportuan kërcënime të reja ndaj aeroporteve të Kopenhagës dhe Pragës, ndërsa avionët luftarakë hungarezë shoqëruan tre avionë pas sinjalizimeve për rrezik. Në Holandë, një avion i kompanisë KLM, që udhëtonte nga Praga drejt Amsterdamit, iu nënshtrua kontrolleve pas uljes, por nuk u gjet asnjë lëndë shpërthyese.

Kërcënimet shtrihen edhe te mediat

Situata u përshkallëzua të premten, kur transmetuesi kombëtar irlandez RTÉ evakuoi zyrat pas marrjes së një mesazhi kërcënues. Edhe organizata të tjera mediatike, përfshirë Sky, raportuan kërcënime të ngjashme.

Në një prej emaileve, autorët pretendonin se kishin vendosur eksploziv në ndërtesën e televizionit dhe se shpërthimi do të ndodhte brenda 45 minutave. Mesazhi përmbante gjithashtu kërcënime ndaj avionëve, anijeve turistike, stacioneve të metrosë dhe trenave në Evropë.

Kush qëndron pas kërcënimeve?

Autoritetet europiane nuk kanë identifikuar ende përgjegjësit. Megjithatë, dyshimet janë përqendruar te mundësia e një fushate sulmesh hibride që synon të shkaktojë panik dhe të destabilizojë shërbimet kryesore. Një prej emaileve të dërguara në Itali mbante emrin e grupit antifeminist “The Male State”, i krijuar në Rusi në vitin 2016 dhe i shpallur organizatë ekstremiste nga një gjykatë ruse në vitin 2021. Disa ekspertë të sigurisë kanë ngritur dyshime për një përfshirje të mundshme të aktorëve të lidhur me Rusinë, por deri tani nuk ka prova zyrtare që konfirmojnë një lidhje të tillë. Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, deklaroi se mund të bëhet fjalë për një përpjekje agresioni hibrid dhe një formë lufte psikologjike.

Dhjetëra fluturime të prekura, por asnjë bombë e gjetur

Të paktën 14 fluturime u prekën nga kërcënimet të enjten, ndërsa shtatë të tjera ishin devijuar të martën. Një avion i Aer Lingus, që udhëtonte drejt Romës, u detyrua të ulej në Francë, ndërsa dy fluturime të tjera u devijuan drejt Sofjes, në Bullgari. Pavarësisht situatës alarmante, të gjitha kërcënimet e kontrolluara deri tani kanë rezultuar të rreme dhe nuk është gjetur asnjë pajisje shpërthyese. Ekspertët paralajmërojnë se qëllimi i këtyre veprimeve mund të jetë jo vetëm shkaktimi i kaosit, por edhe testimi i reagimit të autoriteteve europiane ndaj situatave të emergjencës./dritare.net