"Oxhaku i Këlcyrës": Libri i ri i Mero Bazes rindërton historinë e familjes së njohur shqiptare që la gjurmë në disa shekuj të historisë së vendit
Dritare.net

Publicisti dhe gazetari Mero Baze vjen me një botim të ri, “Oxhaku i Këlcyrës”, një libër që ndjek historinë e një prej familjeve më në zë të Jugut të Shqipërisë dhe, përmes saj, një pjesë të historisë së vendit.
Libri shkon pas në kohë, te rrënjët e hershme të familjes, lidhjet me Muzakajt dhe periudha osmane, për të mbërritur më pas te shekulli XIX, Pavarësia, formimi i shtetit shqiptar dhe brezat e fundit të Këlcyrajve. Në qendër është përpjekja për të rindërtuar një histori që për shumë kohë ka mbijetuar e shpërndarë mes dokumenteve, kujtesës familjare dhe gojëdhënave.
Historiania prof. dr. Nevila Nika, e cila ka shkruar edhe parathënien e librit, ndalet pikërisht te rëndësia e familjes në ruajtjen e kujtesës:
“Familja, nga Antikiteti e në vazhdim, ka qenë mjedisi shoqëror ku për një kohë shumë të gjatë, kujtesa është përpunuar, ruajtur e transmetuar. Ka qenë për periudha kohe shumë të gjata, qeliza nga ku gjenerohej nevoja e rindërtimit historik. Dhe kjo bëhej jo vetëm për të përshkruar gjenealogjinë familjare. Bërthamat familjare, të pajisura me mbiemër dhe pasuri për t’ua përcjellë pasardhësve, përgjatë shekujve e kishin themeluar fuqinë dhe prestigjin e tyre në ruajtjen e transmetimin e kujtesës historike.”
Për Bazen, kjo ka nënkuptuar një kërkim të gjatë në arkiva dhe burime të ndryshme historike, sidomos në dokumentacionin osman. Një pjesë e rëndësishme e librit i kushtohet edhe pemës gjenealogjike të familjes dhe përpjekjes për të dalluar atë që mund të provohet me dokumente nga ajo që për shekuj është përcjellë si gojëdhënë familjare.
Por, përmes historisë së Këlcyrajve, libri hap edhe një dritare mbi marrëdhëniet mes familjeve të mëdha shqiptare dhe mënyrën se si ndërtoheshin e funksiononin aleancat mes tyre, duke e bërë veprën edhe një lexim të historisë politike e shoqërore të vendit përmes analizimit të marrëdhënieve mes këtyre familjeve të mëdha. Në faqet e tij dalin lidhjet me Vrionët, Vlorajt, Frashërit, Libohovajt, Konicajt, Luarasët dhe familjen e Ali Pashë Tepelenës. Martesat, aleancat dhe konfliktet familjare shfaqen si pjesë e një historie më të gjerë politike dhe shoqërore.
Siç shkruan Nika, “[Gjithsesi] duhet pranuar se pavarësisht se autori në punimin e tij ia ka dalë mbanë të na sjellë të rindërtuar historinë e një prej familjeve më në zë të Jugut të Shqipërisë për disa shekuj, na ka bërë ndërkaq edhe një shërbim tjetër që personalisht e quaj me mjaft vlerë. Ka arritur t’i përcjellë lexuesit një pamje krejt tjetër të jetës shqiptare nën sundimin osman dhe pas Pavarësisë, deri në fund të Luftës së Dytë Botërore.”
Një tjetër element që libri e sjell me vëmendje është roli i grave në historinë e familjes, jo vetëm si pjesë e pemës gjenealogjike, por si figura që kanë ndikuar në ruajtjen e kujtesës dhe në lidhjet mes familjeve.

“Mendoj se vlerë e shtuar e këtij punimi është edhe fakti se autori s’ka lënë mënjanë edhe ndikimin e gruas, pjesëmarrjen e saj në këto zhvillime, gjë që gjithashtu është pothuaj e fshirë nga historiografia zyrtare e para vitit 1990. Por me keqardhje duhet të pranojmë se edhe në vitet më pas, janë shumë të paktë autorët që vlerësojnë rolin e vajzës, bashkëshortes dhe nënës”, shkruan Nika.
Gratë shfaqen në këtë histori shpesh edhe si nyjet që lidhnin një familje të madhe me një tjetër, duke ndikuar kështu edhe në raportet e pushtetit. Duke ndjekur edhe linjën femërore, libri arrin të tregojë më qartë se sa të ndërthurura ishin familjet e mëdha shqiptare dhe sa e vështirë është të kuptosh historinë e tyre duke parë vetëm burrat që mbanin postet publike apo emrat që kanë mbetur në dokumentet zyrtare.
Ky këndvështrim merr një rëndësi të veçantë edhe në fundin e historisë së "Oxhakut të Këlcyrës", që lidhet me dy gra, Shegë dhe Hëna Këlcyra. Kjo e fundit ka një vend të veçantë edhe në historinë e vetë librit, për të cilin autori shkruan se është edhe një homazh për të si bija e fundit e Oxhakut të Këlcyrës.

Ndërkaq, Ali Këlcyra, figura më e njohur e familjes, në këtë libër shfaqet vetëm si pjesë e historisë së saj më të gjatë. Por, jeta dhe veprimtaria e tij politike do të trajtohen në një vepër më vete të Mero Bazes, “Ali Këlcyra, Tribuni i papranuar”, e ndarë në dy vëllime, “Përndritja” dhe “Përbaltja”.
“Oxhaku i Këlcyrës” është botim i UET Press, me parathënie nga prof. dr. Nevila Nika dhe redaktim e art grafik nga Arben Bllaci.