Na ndiqni edhe në

Ekonomi

Çfarë është Ueno Bank dhe si shkaktoi krizën politike në Paraguaji?

Çfarë është Ueno Bank dhe si shkaktoi krizën politike

Çfarë është Ueno Bank?

Ueno është një bankë dixhitale që u rrit me shpejtësi nga një kompani e vogël fintech në një bankë të përmasave të mesme në Paraguaj.

E krijuar në vitin 2021, ueno ishte krahasuar shpesh me banka të tjera dixhitale me rritje të shpejtë, si Nubank, Monzo apo Revolut.

Në qershor, kompania deklaronte rreth 3 milionë klientë, në një vend me vetëm 6.5 milionë banorë. Ajo administronte gjithashtu rreth 850 milionë dollarë fonde publike, përfshirë para të institucioneve shtetërore dhe fonde të lidhura me pensionet.

Rritja e shpejtë e bëri ueno-n një prej historive më të mëdha të suksesit në sektorin financiar të Paraguajit. Por gjatë muajve të fundit banka përfundoi nën vëzhgim nga autoriteteve pas dyshimeve se kishte dhënë kredi të pasiguruara për kompani guackë të lidhura me aksionerin e saj kontrollues, Grupo Vázquez.

Banka Qendrore e Paraguajit ndërhyri pasi konstatoi se ueno nuk kishte kapital dhe rezerva të mjaftueshme për të përmbushur nivelin minimal të sigurisë financiare të kërkuar nga rregullatorët.

Ndërhyrja shkaktoi një krizë që la përkohësisht miliona klientë pa mundësi për të përdorur llogaritë e tyre.

Çfarë e lidh presidentin Santiago Peña me Ueno-n?

Santiago Peña, ekonomist i zgjedhur president në vitin 2023, është vënë nën presion politik për shkak të lidhjeve të tij të mëparshme të biznesit me Grupo Vázquez.

Peña ka deklaruar se ka qenë aksioner i grupit deri në mars të vitit 2025, kur e shiti pjesën e tij.

Ueno, nga ana tjetër, thotë se Peña nuk ka pasur asnjëherë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me bankën si aksioner apo investitor.

Ligjvënës të opozitës e kanë akuzuar presidentin për konflikt interesi, keqpërdorim të fondeve të pensioneve dhe përpjekje për të mbuluar institucionalisht problemet e bankës.

Peña i ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur akuzat për lidhje të papërshtatshme me bankën. Ai ka deklaruar se çështja nisi si një problem rregullator dhe më pas u shndërrua në një përplasje politike, duke argumentuar se akuzat duhet të trajtohen nga gjykatat.

Prokurorët njoftuan të enjten se Peña ishte mes personave që po hetohen për falimentimin e bankës, megjithëse deri tani nuk është marrë në pyetje.

Gjatë kësaj jave, autoritetet kanë lëshuar urdhër-arreste për tetë drejtues të ueno-s.

Si vepruan autoritetet rregullatore ndaj Ueno-s?

Një prej pikëpyetjeve kryesore lidhet me faktin nëse autoritetet e mbikëqyrën në mënyrë të mjaftueshme ueno-n gjatë periudhës së zgjerimit të saj.

Dyshimet janë shtuar edhe për shkak se kreu i Bankës Qendrore të Paraguajit, Carlos Carvallo, kishte qenë më parë drejtues i bankës dixhitale.

Carvallo dha dorëheqjen nga drejtimi i Bankës Qendrore pasi institucioni vendosi ta fuste ueno-n në procedurën e zgjidhjes, masa më e fortë që mund të merret ndaj një banke përpara likuidimit të menjëhershëm.

Banka Qendrore ka mohuar se ekzistonte konflikt interesi, duke deklaruar se Carvallo ishte tërhequr nga çdo vendimmarrje që kishte lidhje me ueno-n.

Megjithatë, presioni u shtua pasi detaje mbi hetimin rregullator u bënë publike. Ligjvënës, përfaqësues të sektorit bankar dhe figura të opozitës ngritën pikëpyetje nëse kontrolli ndaj bankës kishte qenë i mjaftueshëm gjatë viteve të rritjes së saj të shpejtë.

Çfarë ka ndodhur me llogaritë e klientëve?

Banka Qendrore ka bërë të ditur se po punon për transferimin e llogarive të klientëve të ueno-s drejt institucioneve të tjera financiare.

Procesi ka krijuar vështirësi në sistemin bankar dhe ka kontribuar në probleme teknike dhe ndërprerje të disa aplikacioneve bankare.

Klientët vazhdojnë të mos kenë akses në llogaritë e tyre brenda ueno-s. Gjatë kësaj jave, disa prej tyre janë mbledhur përpara degëve të bankës duke kërkuar të kenë sërish akses në kursimet e tyre.

Modeli i ueno-s, i ndërtuar kryesisht rreth telefonit celular, kishte tërhequr shumë klientë që më parë kishin pasur pak akses në bankat tradicionale. Për shumë paraguajanë, banka e kishte bërë më të lehtë përdorimin e pagesave dixhitale, kursimeve dhe shërbimeve të tjera financiare.

Mes personave që nuk kanë mundur të përdorin llogaritë e tyre janë edhe pensionistë që marrin përfitime shtetërore përmes ueno-s.

Kjo ka bërë që autoritetet të lëvizin me shpejtësi për garantimin e depozitave dhe mbrojtjen e fondeve publike.

Presidenti Peña miratoi më herët gjatë javës një ligj që synon të përshpejtojë pagesat për depozituesit e prekur nga kolapsi i bankës.

A mund të përhapet kriza në të gjithë sistemin financiar?

Autoritetet e Paraguajit këmbëngulin se kriza është e kufizuar vetëm te ueno dhe nuk tregon probleme më të gjera në sistemin bankar të vendit.

Përveç depozitave të klientëve, banka deklaronte në vitin 2026 se kishte siguruar rreth 510 milionë dollarë financime nga institucione zhvillimi, fonde ndërkombëtare dhe tregjet e kapitalit.

Në këtë shumë përfshihej edhe një emetim obligacionesh me vlerë 350 milionë dollarë në Wall Street, i udhëhequr nga JPMorgan dhe Bank of America.

Gjatë viteve të fundit Paraguaji ka arritur të sigurojë vlerësime kreditore të nivelit “investment grade” dhe ka ndërtuar reputacionin e një prej ekonomive më të qëndrueshme dhe më të hapura ndaj reformave në Amerikën e Jugut.

Mbetet ende e paqartë nëse kriza e ueno-s do të ketë pasoja afatgjata për këtë reputacion.

Por përmasat e bankës, miliona klientët e saj, fondet publike që administronte dhe lidhjet politike që tashmë janë në qendër të hetimeve kanë bërë që kolapsi i një institucioni financiar të shndërrohet në një prej krizave më të mëdha politike të Paraguajit. /Reuters