Na ndiqni edhe në

Letër Psikologes

Djali i shkruan psikologes: Dua akoma ish-partneren, po flas sërish po nuk di nga t'ia nis!

Djali i shkruan psikologes: Dua akoma ish-partneren, po flas sërish po nuk

Përshëndetje Dritare.net dhe psikologe Enertila!

Jam një djalë 26 vjeç. Dy vite më parë kam qenë në një lidhje me një vajzë më të vogël se unë. Pas ndarjes e pata shumë të vështirë ta harroja, por prej disa muajsh kemi filluar të komunikojmë përsëri. Unë dëshiroj ta kem sërish pranë dhe të jemi bashkë. Nga t'ia filloj? Ju lutem, më këshilloni, sepse kam frikë se mos e humbas përsëri.

Faleminderit!

Psikologe Enertila Bekteshi përgjigjet:

Të fitosh përsëri ish-partneren, sigurisht që në fillim duhet të analizosh mirë situatën dhe, mbi të gjitha, të shmangësh gabimet. Qëllimi yt është të krijosh kushtet për një rikthim të mundshëm, të gjesh formën tënde më të mirë psiko-fizike dhe të kesh sukses edhe në periudhën më të vështirë të jetës tënde. Beso te vetja, lëri mënjanë frikërat dhe ji i sigurt se mund t'ia dalësh.

I dashur lexues, ndalo së vepruari jashtë logjikës. Nuk do të jenë gjestet e nxituara apo veprimet e drejtuara nga frika ato që do ta bëjnë atë të kthehet. Për ta fituar përsëri, duhet fillimisht të ndihesh mirë me veten. Përpiqu të rizgjosh interesin e saj.

Në këndvështrimin tim, duhet t'i japësh kohë vetes dhe të mos nxitosh për të kërkuar vazhdimisht kontakt me të. Lëre komunikimin të rrjedhë natyrshëm, pa ushtruar presion. Mund të provosh gjithashtu ta ftosh për një darkë, ndoshta për një picë, fillimisht edhe në shoqërinë e disa miqve, në mënyrë që ajo të mos ndihet në siklet. Më pas mund të kaloni kohë edhe vetëm.

Sigurisht, gjatë takimeve me të, nuk duhet të flasësh keq për të dhe duhet të shmangësh absolutisht skenat e xhelozisë. Përpiqu të rindërtosh besimin e saj.

Lexuesi im, nuk mund të garantoj se gjithçka do të shkojë mirë. Suksesi i kësaj përpjekjeje varet edhe nga mënyra se si do t'i zbatoni këto këshilla në praktikë dhe nga gjendja juaj mendore. Një gjendje pozitive do t'ju ndihmojë të keni qëndrimin e duhur dhe të përballoni më mirë situatën. Përkundrazi, lejimi i mendimeve negative që t'ju rëndojnë nuk do t'ju ndihmojë.

Duke thënë këtë, ju uroj shumë fat dhe shpresoj që këndvështrimi im t'ju ndihmojë sadopak në situatën tuaj.

Gjithë të mirat!

/Dritare.net